JYSK Danimarkë do të marrë drejtpërdrejt nën menaxhim biznesin e JYSK në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, pas një marrëveshjeje të arritur me Scandinavian Living Holding. Transaksioni pritet të përfundojë më 1 janar 2027.
Marrëveshja shënon përfundimin e një periudhe më shumë se 20-vjeçare gjatë së cilës biznesi i JYSK në këto tregje është zhvilluar nga kompanitë lokale të franshizës në bashkëpunim me kompaninë daneze.
Sipas njoftimit për shtyp të Scandinavian Living Holding, historia e JYSK në Kosovë nisi në vitin 2004 me hapjen e dyqanit të parë. Që atëherë, biznesi është zgjeruar në tri shtete, duke arritur në gjithsej 25 dyqane në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Me përfundimin e transaksionit, operacionet në këto tri vende do të kalojnë nën organizimin e drejtpërdrejtë të JYSK Danimarkë.
Pronari i Scandinavian Living Holding, Fatmir Zymberi, ka thënë se kompania është krenare për biznesin e ndërtuar gjatë më shumë se dy dekadave.
“Jemi shumë krenarë për atë që kemi ndërtuar së bashku gjatë këtyre viteve. Nga hapja e dyqanit të parë JYSK deri te 25 dyqane në tri vende, kjo është një arritje që pasqyron punën dhe kontributin e ekipeve tona, besimin e klientëve dhe forcën e partneritetit tonë me JYSK”, ka deklaruar Zymberi.
Ai e ka cilësuar marrëveshjen edhe si një investim të rëndësishëm të huaj direkt në Kosovë.
“Jemi veçanërisht krenarë që kemi ndërtuar kompani dhe një biznes me standarde të larta, të cilat kanë tërhequr një investim të tillë të huaj direkt në Kosovë nga një grup i fuqishëm ndërkombëtar me një portofol të gjerë markash”, ka thënë ai.
Sipas kompanisë, kalimi nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të JYSK-ut pritet t’u mundësojë bizneseve në tri vendet të përfitojnë nga investimet e drejtpërdrejta të kompanisë daneze dhe nga planet e saj për rritje të mëtejshme në rajon.
Për klientët nuk pritet të ketë ndërprerje të shërbimeve. JYSK do të vazhdojë të operojë përmes rrjetit ekzistues të dyqaneve dhe kanaleve online në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja parashikon që transaksioni të përfundojë më 1 janar 2027.
Scandinavian Living Holding, ndërkohë, vazhdon të ketë një portofol të gjerë biznesesh në rajon. Përveç biznesit të JYSK që tashmë do të kalojë te kompania daneze, grupi operon bizneset e franshizës së KFC-së në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Grupi zotëron dhe operon gjithashtu qendrën e vet logjistike dhe Scan Color, si dhe është një ndër investitorët kryesorë në Prishtina Mall. /Kujdestari.info/