E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Xhelal Sveçla nuk e nënshkruan tenderin prej 1.2 milionë euro, Policia mbetet pa autobusa

Ndaj

Zyra e Prokurimit e Policisë së Kosovës ka anuluar në tërësi tenderin për furnizim me autobusa, ndonëse tashmë kishte shpallur një fitues. Prokurimi i Policisë priti disa ditë që kontrata të nënshkruhej edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ashtu siç e përcakton ligji, por ministri nuk e ka nënshkruar atë, duke mos dhënë asnjë shpjegim, shkruan Kujdestari.info.

Për gati dy vite ka zgjatë procedura e prokurimit për blerjen e disa autobusëve për Policinë e Kosovës.

Por, edhe pas kësaj sage, organet e rendit kanë mbetur sërish pa autobusë, pasi edhe kur Autoriteti Kontraktues e kishte shpall fitues kompaninë “Ideal Shala B.I.” për furnizimin e PK-së me autobusë, ministri Xhelal Sveçla nuk e ka nënshkruar kontratën, duke i lënë policët pa autobusë.

Me 21 shtator 2023 ishte shpall tenderi në vlerë 1.2 milion euro, ndërsa, deri me 19.10.2023 kishte afat për dorëzimin e ofertave për pajisjen e Policisë së Kosovës me autobusë.

Në këtë tender kishin ofertuar katër Operator Ekonomik, Kosova Motors Group, Ideal Shaka B.I Parku i Biznesit, Drenas, Grupi i Operatorëve Ekonomik, Pricom Sh.P.K, EMPREUS Sh.P.K dhe Grupi i Operatorëve Ekonomik, Prishtina Auto L.L.C, D&T Group.

Pas vlerësimit të ofertave të ofertave, me 29 maj 2024, Policia e Kosovës si autoriteti Kontraktues kishte njoftuar për vendimin e tyre që fitues i tenderit, ishte kompania “Ideal Shala B.I.” me seli në Parkun e Biznesit në Drenas, për furnizimin e Policisë me autobusë, në vlerë prej 1 milion e 188 mijë e 850 euro.

Mirëpo, ndaj vendimi të Autoritetit Kontraktues, ishte ankuar Operatori Ekonomik, Prishtina Auto L.L.C, e cila kishte kërkuar rishqyrtim të vendimit, por që ishte refuzuar si e pabazuar nga Autoriteti Kontraktues.

Pas refuzimit të kësaj ankese, Autoriteti Kontraktues kishte njoftuar për dhënien e kontratës kompanisë “Ideal Shala B.I.” me seli në Parkun e Biznesit në Drenas.

Madje, prokurimi policisë kishte paraparë 30 gushtin 2024, nënshkrimin e kësaj kontrate me kompaninë fituese të tenderit.

Mirëpo, Operatori Ekonomik, Prishtina Auto L.L.C, ishte ankuar edhe në Organin Shqyertues të Prokurimit, ku ky i fundit kishte pezulluar procedurat deri në vendimmarrje.

Pas kësaj, Policia e Kosovës e kishte anuluar njoftimin për dhënie të kontratës, dhe e kishte kthyer në rivlerësim, sipas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Megjithatë, pas gjithë kësaj sage, me 21 gusht 2025, Autoriteti Kontraktues kishte marrë vendim që ta anulonte tërësisht këtë tender për shkak të mos nënshkrimit të kontratës nga ministri Xhelal Sveçla.

“Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, neni 26 Nënshkrimi i kontratave publike paragrafi 2. Përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit të përmendur sipas nenit 26 të LPP-së paragrafin 1. të këtij neni, kontratat me vlera të mëdha të autoriteteve kontraktuese duhet që gjithashtu të nënshkruhen në emër të autoritetit kontraktues nga Zyrtari Kryesor Administrativ, si dhe Ministri ose autoriteti tjetër përkatës publik. Nga kjo rregull përjashtohet Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij Neni, konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim me paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni janë të pazbatueshme”, thuhet në arsyetimin e anulimit të tenderit.

Kujdestari.info, ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku ka kërkuar sqarime se pse nuk është nënshkruar ky tender nga ministri Sveçla, porse nuk ka marrë përgjigje as pas disa ditëve pritje.

Po ashtu, Kujdestari.info i ka dërguar pyetje edhe kompanisë që e kishte fituar këtë tender por, as ajo nuk ka kthyer përgjigje, në pyetjet nëse ka marrë sqarime nga MPB-ja se pse nuk është nënshkruar tenderi dhe nëse do të ankohet diku.

Pse ministri nuk e ka nënshkruar kontratën dhe si do të bëhet sigurimi i autobusëve? Kujdestari.info ka dërguar pyetje edhe te Policia e Kosovës, por as ky institucion nuk është përgjigjur.

Ky nuk është tenderi i parë që ministri ka hezituar ta nënshkruajë. Kujdestari.info kishte raportuar para disa ditësh se dikush nga autoritetet shtetërore nuk e kishte nënshkruar as tenderin për furnizim me uniforma, për të cilin ishte shpallur një fitues me negocim në vlerë prej 2.7 milionë euro. Mësohet se edhe ky tender është anuluar përfundimisht për shkak se ministri i MPB-së nuk e ka vendosur firmën në të. As për këtë rast ministria nuk ka pranuar të përgjigjet. /Kujdestari.info/

Policia mbetet pa uniforma të reja – tenderi prej 2.7 milionë eurosh anulohet pasi nuk u nënshkrua nga autoritetet shtetërore

Lexo më shumë

Të tjera