Në 21-vjetorin e vdekjes së Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, Presidenca e Republikës së Kosovës ka ekspozuar veturën e tij “Chevrolet” në sheshin që mban emrin e tij, pranë shtatores. Vetura, e njohur për atentatin e vitit 2005, i është nënshtruar një restaurimi të plotë për t’u përdorur në aktivitete ceremoniale, shkruan Kujdestari.info.
Presidentja Vjosa Osmani kishte publikuar fotografi të automjetit, duke e cilësuar atë si “veturën që sfidoi vdekjen”, simbol i përjetësisë së figurës së Rugovës dhe i një periudhe të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Tenderi për restaurimin e veturës ishte dhënë në vitin 2024, ndërsa kontrata u nënshkrua në maj të po atij viti. Vlera e kontratës kap shumën 16 mijë e 756 euro, me kohëzgjatje 12 muaj, dhe fitues i saj ishte Ymer Mariqi.

Sipas kontratës, restaurimi ka përfshirë një sërë ndërhyrjesh teknike dhe estetike, përfshirë servisimin e përgjithshëm të motorit dhe sistemit të frenimit, ndërrimin e baterisë, servisimin e ndërruesit të shpejtësive dhe sistemit të klimës, riparimin e enterierit, dyerve, ulëseve, bagazhit dhe dyshemesë, si dhe lyerjen totale të veturës dhe polirimin me qeramikë.

Vetura historike ishte ekspozuar fillimisht më 21 janar 2025, për t’u riekspozuar sërish sot, duke përfaqësuar një simbol të rëndësishëm të udhëheqjes së Rugovës dhe historisë së re të shtetit të Kosovës.
Ndryshe, një tender paraprak për riparimin e kësaj veture ishte shpallur në fund të vitit 2023, me vlerë të parashikuar 9 mijë e 900 euro, por ishte anuluar për shkak të mungesës së ofertave.
Presidentja Osmani në dhjetor të vitit 2023 kishte urdhëruar Zyrën e Prokurimit të niste procedurat për riparimin e veturës, duke theksuar nevojën e përdorimit të saj për ceremoni shtetërore. Ndërkohë, veturat e tipit “Chevrolet” kishin qëndruar për vite të tëra të parkuara në oborrin e Presidencës dhe në atë të Ministrisë së Kulturës.
Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), vdiq më 21 janar 2006, në moshën 62-vjeçare, dhe mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të vendit. /Kujdestari.info/