E enjte, 5 Mars, 2026

Vetkalimet hekurudhore, pika të zeza të sigurisë: INFRAKOS hap tender 2.5 milionë euro për sistem automatik sigurie

Ndaj

Vetkalimet hekurudhore në Kosovë prej vitesh janë shndërruar në zona me rrezik të lartë për qytetarët. Aksidentet e shpeshta, mungesa e barrierave funksionale, sinjalizimi i pamjaftueshëm dhe pakujdesia në kalime kanë bërë që shumë prej këtyre pikave të njihen si “vende vdekjeje”. Çdo vit raportohen raste të përplasjeve mes trenave dhe automjeteve apo këmbësorëve, shkruan Kujdestari.info.

Shumë prej kalimeve hekurudhore në zona urbane dhe rurale nuk janë të pajisura me sisteme automatike paralajmëruese, ndërsa në disa raste mungojnë edhe barrierat fizike. Në kushte të tilla, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut, sidomos në orët e natës apo në zona me dukshmëri të kufizuar. Kjo situatë ka nxitur reagime të vazhdueshme publike dhe kërkesa për investime konkrete në rritjen e sigurisë.

Në këtë kontekst, Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës – INFRAKOS Sh.A. ka publikuar një njoftim paraprak për një kontratë të rëndësishme në fushën e sigurisë hekurudhore.

Tenderi i publikuar nga INFRAKOS Sh.A., i klasifikuar me kodin FPP 31623900-8 “Sigurimi i Vendkalimeve në Hekurudha”, me objekt furnizimin dhe instalimin e sistemit automatik për sigurinë e vendkalimeve hekurudhore, ka një vlerë të parashikuar prej 2,500,000.00 euro.

Tenderi parashikon furnizimin dhe instalimin e sistemeve automatike të sigurisë në vendkalimet hekurudhore, që zakonisht përfshijnë barriera automatike, sinjalizim ndriçues (drita të kuqe paralajmëruese), sinjalizim zanor dhe sisteme kontrolli të lidhura me lëvizjen e trenit.

Ky tender nënkupton modernizimin e një pjese të vendkalimeve hekurudhore në Kosovë përmes instalimit të teknologjisë automatike që aktivizohet sapo afrohet treni.

Me një vlerë të parashikuar prej 2.5 milionë eurosh, ky projekt konsiderohet një ndër investimet më të rëndësishme në fushën e sigurisë hekurudhore në vitet e fundit. Megjithatë, mbetet të shihet se sa vendkalime do të përfshihen konkretisht dhe sa shpejt do të realizohet implementimi në terren. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera