Ekipi i mediumit britanik, BBC, ka realizuar intervista me disa punëtorë verikoreanë që kanë arritur t’u shpëtojnë kushteve të rënda dhe çnjerëzore të punës në Federatën Ruse. Të gjashtë punëtorët e kanë përshkruar të njëjtën rutinë rraskapitëse: zgjohen në orën 6 të mëngjesit dhe punojnë deri në orën 2 të mëngjesit të ditës tjetër, teksa kanë vetëm dy ditë pushim në vit. Këto oferta të punës jashtë shtetit janë shumë të dëshiruara në Korenë e Veriut, pasi premtojnë pagesa më të mira sesa puna brenda vendit. Shumica e punëtorëve nisen me shpresën se do t’i shpëtojnë varfërisë dhe do të jenë në gjendje të blejnë ndonjë shtëpi për familjet e tyre apo të hapin biznese pasi të kthehen. Mirëpo, pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre i dërgohen shtetit të origjinës si “taksë besnikërie”.
Moska zyrtare ka kërkuar vazhdimisht ndihmë nga Pheniani për të përballuar luftën — duke përdorur raketat, predhat e artilerisë e madje edhe ushtarët e Koresë së Veriut.
Tani, derisa shumë nga burrat rusë janë vrarë, janë në vijën e frontit, ose kanë ikur nga vendi, zyrtarët e inteligjencës jugkoreane i kanë thënë mediumit britanik BBC se Moska po mbështetet gjithnjë e më shumë te punëtorët verikoreanë.
Ata i kanë përshkruar kushtet e punës si “të tmerrshme”, e njëkohësisht edhe mënyrat përmes të cilave autoritetet verikoreane po e shtrëngojnë kontrollin ndaj tyre për të parandaluar arratisjet.
Njëri prej punëtorëve, Jin, ka treguar se kur zbriti në Lindjen e Largët të Rusisë, u shoqërua nga një agjent i sigurisë verikoreane nga aeroporti drejt kantierit të ndërtimit. Agjenti e pati urdhëruar të mos fliste me askënd dhe të mos shikonte përreth.
“Bota e jashtme është armiku ynë”, i kishte thënë agjenti atij. Ai u vendos menjëherë në punë për ndërtimin e pallateve, duke punuar më shumë se 18 orë në ditë.
Emrat e tyre janë ndryshuar për t’ua mbrojtur identitetin.
“Të zgjoheshe ishte e tmerrshme, kur kuptoje se duhej ta përsëritje të njëjtën ditë sërish”, ka thënë Tae, një punëtor i ndërtimit që ia doli të arratisej nga Rusia vitin e kaluar. Tae ka rikujtuar se si në mëngjesin e ditës tjetër duart e tij nuk lëviznin dot, ishin të paralizuara nga puna e rëndë e ditës së mëparshme.
“Kushtet janë vërtet të tmerrshme”, ka theksuar Kang Dong-wan, profesor në Universitetin Dong-A të Koresë së Jugut, i cili ka udhëtuar disa herë në Rusi për të intervistuar punëtorët verikoreanë.
“Punëtorët ekspozohen ndaj situatave shumë të rrezikshme. Natën fiken dritat dhe ata punojnë në errësirë, me shumë pak pajisje të sigurisë”, ka shtuar ai.
Të arratisurit kanë treguar se punëtorët janë të mbyllur në kantieret e ndërtimit ditë e natë, ku mbikëqyren nga agjentë të Departamentit të Sigurisë Shtetërore të Koresë së Veriut.
Ata flenë në kontejnerë të ndotur, të mbushur me insekte, ose në dyshemenë e pallateve të papërfunduara, ku mbulohen me materiale plastike për t’u mbrojtur nga i ftohti.
Në të kaluarën, dhjetëra mijëra verikoreanë punonin në Rusi, duke gjeneruar miliona dollarë në vit për udhëheqësin suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe regjimin e tij të zhytur në krizë financiare.
Por në vitin 2019, Organizata e Kombeve të Bashkuara i ndaloi vendet që të përdornin këta punëtorë si pjesë e përpjekjeve për t’i prerë fondet Kimit dhe për të ndaluar ndërtimin e armëve bërthamore — duke bërë që shumica e tyre të ktheheshin në atdhe.
Megjithatë, vitin e kaluar mbi 10,000 punëtorë u dërguan sërish në Rusi, sipas një zyrtari të inteligjencës së Koresë së Jugut, që foli për BBC-në në kushte anonimiteti. Ai është shprehur gjithashtu se ky numër pritet që të rritet dukshëm këtë vit, paçka se ekziston mundësia që Pheniani të dërgojë mbi 50,000 punëtorë.
Sipas të dhënave të Qeverisë ruse, më shumë se 13,000 verikoreanë hynë në vend në vitin 2024 — rritje kjo 12-fish në krahasim me vitin e kaluar. Rreth 8,000 prej tyre hynë me viza studentore, porse sipas zyrtarit të inteligjencës dhe ekspertëve, kjo është strategji e përdorur nga Rusia për të anashkaluar ndalimin e OKB-së.
Në muajin qershor, zyrtari i lartë rus, Sergei Shoigu, kishte pranuar për herë të parë se 5,000 verikoreanë do të dërgoheshin për të rindërtuar Kurskun, rajonin rus që ishte kapur përkohësisht nga forcat ukrainase, por që më pas u rikthye në kontrollin e Rusisë.
“Rusia po përballet me mungesë të madhe të fuqisë punëtore për momentin dhe verikoreanët ofrojnë zgjidhjen ideale. Janë të lirë, punëtorë të zellshëm dhe nuk krijojnë probleme”, ka thënë Andrei Lankov, profesor në Universitetin Kookmin në Seul dhe ekspert i njohur për marrëdhëniet Rusi–Koreja e Veriut.
Këto oferta të punës jashtë shtetit janë shumë të dëshiruara në Korenë e Veriut, pasi premtojnë pagesa më të mira sesa puna brenda vendit. Shumica e punëtorëve nisen me shpresën se do t’i shpëtojnë varfërisë dhe do të jenë në gjendje të blejnë ndonjë shtëpi për familjen apo të hapin biznese kur të kthehen.
Vetëm burrat më të besuar përzgjidhen në kuadër të procesit të rreptë të verifikimit, dhe ata duhet të lënë pas familjet e tyre.

Kur burrat përballen me realitetin e punës së ashpër dhe mungesën e pagës së dinjitetshme, ata përjetojnë tronditje të thellë.
Drejtuesi i kantierit i kishte thënë se mund të mos merrte asgjë kur të kthehej në Korenë e Veriut, sepse shteti kishte nevojë për ato para. Pikërisht atëherë, ai vendosi të rrezikonte jetën për t’u arratisur.
Vitet e fundit, një numër i vogël punëtorësh ia kanë dalë të arratisen duke përdorur telefona të mençur, të blerë nga kursimet që mblidhnin prej shumave të vogla ditore të dhëna për cigare dhe alkool.
Në këtë klimë të represionit, numri i arratisjeve ka rënë ndjeshëm.
Qeveria e Koresë së Jugut ka njoftuar se numri i verikoreanëve që arrijnë të dalin nga Rusia dhe të mbërrijnë në Seul është përgjysmuar që prej vitit 2022 — nga rreth 20 vetë në vit në vetëm 10.
“Këta punëtorë do të jenë trashëgimia e vërtetë e miqësisë së kohës së luftës mes Kimit dhe Putinit”, ka thënë ai, tek ka shtuar se punëtorët verikoreanë do të vazhdojnë të dërgohen në Rusi, edhe pasi lufta të ketë përfunduar dhe dërgimi i ushtarëve dhe armëve të ketë pushuar.