Korporata Energjetike e Kosovës Ka njoftuar se e ka shkyçur nga operimi njësia B1 pas evidentimit të rrjedhjeve të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, raporton Kujdestari.info.
Njoftimi i plotë i KEK-ut:
NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se sot, gjatë ditës, në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B janë evidentuar rrjedhje të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës, të paraqitura rreth orës 10:00.
Pas vlerësimit teknik dhe për shkak të pamundësisë për të vazhduar operimin e sigurt, si rezultat i harxhimeve të larta të ujit dhe rrezikut për dëmtime më të mëdha teknike, është vendosur që njësia B1 të shkyçet nga operimi para orës 18:00, si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të njësisë.
KAPACITETET E ENERGJISË ELEKTRIKE JANË TË SIGURUARA
KEK Sh.A. informon se, edhe pas ndaljes së njësisë B1, furnizimi me energji elektrike është i siguruar, ndërsa operimi i sistemit vazhdon në mënyrë stabile me 4 njësi gjeneruese, duke realizuar prodhim ditor prej rreth 13,560 MWh, që mbulon 87.6% të kërkesës totale për konsum, e cila për ditën e nesërme nga KESCO është parashikuar 15,471 MWh.
Pjesa e mbetur e nevojave të shërbimit universal me energji elektrike është siguruar përmes:
• blerjes në bursën ALPEX, dhe
• shkëmbimit të energjisë me KESH Sh.A., bazuar në marrëveshjen ekzistuese të bashkëpunimit.
Vlen të theksohet se, përveç sigurimit të kapaciteteve për furnizimin universal, KEK Sh.A. ka arritur të sigurojë edhe rreth 75% të kërkesave për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes (KEDS) dhe transmisionit (KOSTT).
Për kohën e rikthimit të njësisë B1 në operim, opinioni do të njoftohet me kohë, pas përfundimit të kontrollave teknike.
KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese dhe garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS