Ekonomia

Varësia nga rryma e importuar po kushton shtrenjtë- mbi 154 milionë euro dolën nga Kosova për tetë muaj

Nga Kujdestari Media

Varësia nga importi i energjisë elektrike vazhdon t’i kushtojë shtrenjtë Kosovës. Përderisa problemet me kapacitetet vendore të prodhimit vazhdojnë të përsëriten, vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026 nga vendi kanë dalë mbi 154 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike nga jashtë, shkruan Kujdestari.info.

Të dhënat për periudhën janar-gusht 2026 tregojnë se Kosova ka importuar gjithsej 1.43 milion njësi energjie elektrike, me vlerë të përgjithshme prej 154.45 milionë eurosh.

Fatura më e lartë është regjistruar në janar, kur importi i energjisë elektrike arriti në rreth 35.8 milionë euro. Në shkurt u importua energji në vlerë prej 21.08 milionë eurosh, ndërsa në mars rreth 16.69 milionë euro.

Në prill importi kushtoi 16.87 milionë euro, në maj 15.71 milionë euro, ndërsa në qershor fatura u ngrit përsëri në 21.87 milionë euro. Korriku shënoi nivelin më të ulët të kësaj periudhe, me rreth 9.23 milionë euro.

Gushti e rikthen faturën mbi 17 milionë euro

Vetëm gjatë muajit gusht, Kosova importoi 144,214.06 njësi energjie elektrike, për të cilat u paguan gjithsej 17.20 milionë euro.

Pjesa më e madhe e importit të gushtit erdhi nga Maqedonia e Veriut, prej nga u ble energji në vlerë rreth 7.99 milionë euro. Nga Shqipëria u importuan rreth 3.96 milionë euro, ndërsa nga Zvicra rreth 1.77 milionë euro.

Import pati edhe nga Bullgaria, me rreth 1.22 milionë euro, Greqia me 1.16 milionë euro, Mali i Zi me rreth 970 mijë euro, Danimarka me rreth 118 mijë euro dhe Serbia me rreth 12 mijë euro.

Krahasuar me korrikun, kur importi kishte kushtuar rreth 9.23 milionë euro, në gusht fatura u rrit për afro 8 milionë euro, apo rreth 86 për qind brenda vetëm një muaji.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, burimet kryesore

Në totalin e tetë muajve, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dominojnë bindshëm furnizimin nga importi.

Nga Shqipëria janë importuar rreth 64.66 milionë euro energji elektrike, ndërsa nga Maqedonia e Veriut rreth 60.94 milionë euro. Së bashku, këto dy vende përbëjnë rreth 125.6 milionë euro, ose mbi 81 për qind të gjithë vlerës së importit gjatë periudhës janar–gusht.

Mali i Zi renditet pas tyre me rreth 17.9 milionë euro, ndërsa sasi më të vogla janë importuar nga Zvicra, Danimarka, Bullgaria, Greqia, Sllovenia dhe Serbia. /Kujdestari.info/