E premte, 19 Dhjetor, 2025

Valon Murseli: Qeverisja në Fushë Kosovë duhet të ndryshojë, në asamble do të jem zëri i qytetarëve

Ndaj

Kandidati i PDK-së për asambleist në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, do të jetë zëri i qytetarëve të cilët kërkojnë zgjidhje për problemet e përditshme, me të cilat përballen çdo ditë, shkruan Kujdestari.info.

Në një intervistë për Kujdestarin, Murseli ka treguar për prioritetet që ka ai dhe PDK-ja për transformimin e Fushë Kosovës me projekte madhore dhe në interes të qytetarëve të kësaj komune.

Murseli thotë se Qeverisja në Fushë Kosovë duhet të ndryshojë sepse për vite me radhë nuk ka pasur prioritet interesin dhe kërkesat e qytetarëve.

Intervista e plotë me kandidatin e PDK-së për asamble në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, Valon Murseli:

  1. Pse vendosët t’i hyni garës për asamble në Fushë Kosovë?

Valon Murseli: Prej 13 vitesh jetoj në Fushë Kosovë, ku kam blerë një pronë modeste dhe bashkë me bashkëshorten time kemi krijuar një familje të shëndoshë me dy djem të mrekullueshëm. Gjatë këtyre viteve, si në përvojën time personale ashtu edhe në biseda me bashkëqytetarët, kam vërejtur një mungesë të theksuar të kujdesit dhe përfaqësimit nga ana e qeverisjes komunale.

Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse kam vendosur të kandidoj për anëtar të Kuvendit Komunal – dëshira për të sjellë një përfaqësim dinjitoz dhe të ndershëm për qytetarët e Fushë Kosovës.

Jam i vendosur dhe i përkushtuar që t’u shërbej bashkëqytetarëve të mi, që zëri i tyre të dëgjohet, kërkesat të merren seriozisht dhe që ata të marrin shërbimet që me të drejtë i meritojnë nga komuna e tyre.

  1. Cili do të jetë fokusi juaj nëse merrni besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në kuvendin komunal të Fushë Kosovës?

Valon Murseli: Fokusi im si anëtar i ardhshëm i Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve përmes projekteve që ofrojnë shërbime më të mira, më të qasshme dhe me kosto të përballueshme. Një nga prioritetet e mia do të jetë hapja e qerdheve publike në çdo lagje, duke shfrytëzuar mundësitë ligjore që komuna të marrë me qira hapësira private deri në ndërtimin e objekteve të përhershme. Kjo do të ndihmojë prindërit të punojnë me më pak barrë ekonomike. Do të angazhohem për investime në infrastrukturë të qëndrueshme, përmirësimin e kushteve në shkolla ku klasat të mos kenë mbi 35 nxënës, për një kujdes shëndetësor më të mirë, për shërbime më dinjitoze për të moshuarit si dhe për politika sociale që ndihmojnë familjet me kushte të vështira ekonomike. Synimi im është të jem zëri i qytetarëve dhe të punoj që komuna t’u shërbejë atyre me përgjegjësi dhe përkushtim.

  1. Cilat janë projektet kryesore të PDK-së në Fushë Kosovë që do t’i realizoni nëse qytetari ua jep besimin për të udhëhequr në katër vitet e ardhshme?

Valon Murseli: Prioritetet e PDK-së në Fushë Kosovë, të prezantuara nga kandidati ynë për kryetar, z. Rrahim Terrnava, përfaqësojnë frymën e ndryshimit që ne duam ta sjellim në qeverisjen lokale. Ne synojmë të bashkojmë qytetin, të krijojmë hapësira publike funksionale dhe në shërbim të qytetarëve. Një nga projektet kryesore është ndërtimi i sheshit të qytetit, i cili përfshin nënkalimin e rrugës magjistrale nga rrethi deri në dalje të qytetit – një projekt që do të transformojë zemrën urbane të Fushë Kosovës.

Në fushën e arsimit dhe përkujdesjes ndaj fëmijëve, kemi një plan konkret për hapjen e qerdheve publike në çdo lagje brenda dy viteve të para të qeverisjes. Po ashtu, synojmë përmirësim të kushteve në shkolla dhe në shërbimet shëndetësore, duke u bazuar në nevojat reale të qytetarëve.

Një tjetër prioritet i yni është mbështetja e sinqertë për shtresat sociale, përmes politikave të drejta dhe të zbatueshme. Zhvillimi ekonomik është gjithashtu pjesë kyçe e programit tonë – do të ndërtojmë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë me komunitetin e biznesit, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e ekonomisë lokale.

Në bujqësi, kemi hartuar një politikë të veçantë për të kthyer Fushë Kosovën në shembull të zhvillimit bujqësor të qëndrueshëm.

Ne jemi të vendosur për ndryshim të vërtetë. Për këtë kemi hyrë në garë me ekipin më të mirë, me një program konkret dhe me kandidatin më të përgatitur për kryetar, z. Rrahim Terrnava, i cili përfaqëson garancinë për një ndryshim pozitiv dhe të qëndrueshëm për komunën tonë.

  1. Pse duhet të ndryshohet qeverisja në Fushë Kosovë?

Valon Murseli: Qeverisja në Fushë Kosovë duhet të ndryshojë sepse për vite me radhë nuk ka pasur prioritet interesin dhe kërkesat e qytetarëve. Përkundrazi, kemi pasur një administratë të dobët, të përqendruar në interesa të ngushta grupore, që ka lejuar një zhvillim të pakontrolluar urban, pa planifikim dhe pa respektuar asnjë standard që lidhet me cilësinë e jetës së banorëve.

Në vend të një qeverisjeje vizionare dhe gjithëpërfshirëse, kemi parë mungesë të theksuar të planeve për integrimin e një qyteti që ka pësuar rritje të shpejtë. Shumë lagje janë zhvilluar pa infrastrukturë bazë, pa shkolla të mjaftueshme, pa hapësira publike funksionale dhe pa qasje të drejtë në shërbime.

Sot, është bërë e qartë për çdo qytetar se ndryshimi është i domosdoshëm. Kërkohet një model i ri qeverisjeje që punon me qytetarët dhe për qytetarët. Partia Demokratike e Kosovës është alternativa e vetme serioze dhe e sinqertë që ofron këtë ndryshim – me një program të qartë, me projekte të realizueshme dhe me një ekip të përkushtuar.

Alternativa tjetër që ofrohet për qytetarët, për fat të keq, mbështetet në politika klienteliste që i thellojnë problemet ekzistuese dhe sjellin vetëm regres. Prandaj, zgjedhja është e qartë: ose vazhdojmë me ngecje dhe interesa të ngushta, ose i japim Fushë Kosovës mundësinë për një qeverisje të drejtë, zhvillim të qëndrueshëm dhe përfaqësim të denjë për të gjithë.

  1. Ku dështoi udhëheqja aktuale e Fushë Kosovës?

Valon Murseli: Qeverisja aktuale në Fushë Kosovë ka dështuar sepse në thelb asnjëherë nuk ka pasur vullnetin për të ndërtuar një qeverisje të mirëfilltë. Kemi pasur një administratë të dobët teknike, jo një qeverisje vizionare. Mungesa e planifikimit afatgjatë dhe e përfshirjes së nevojave reale të qytetarëve në vendimmarrje ka bërë që zhvillimi i qytetit të ndodhë në mënyrë të pakontrolluar, shpeshherë në dëm të cilësisë së jetës.

Qeverisja e mirë fillon me planifikim të drejtë urban, me vizion të qartë për infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe hapësirat publike – gjë që ka munguar plotësisht. Shumë lagje janë rritur pa qasje në shërbime bazike, pa trotuare, pa shkolla të mjaftueshme apo qendra për fëmijë. Kjo nuk është qeverisje – është thjesht menaxhim i përditshëm i problemeve, pa zgjidhje të vërteta.

Është mirë që kjo qeverisje po shkon, sepse qytetarët meritojnë më shumë. Ne po vijmë me një vizion të qartë dhe me një plan konkret për ta bërë Fushë Kosovën shembull të zhvillimit, ashtu siç ka ndodhur në komuna si Ferizaj, ku PDK ka treguar se mund të udhëheq me sukses dhe rezultate të prekshme. Dhe dihet – PDK mundet!

Lexo më shumë

Të tjera