Uji i Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i papijshëm si pasojë e nivelit të lartë të manganit, i cili u evidentua që nga 1 shtatori, shkruan Kujdestari.info.
Të hënën në mëngjes, Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, theksoi se niveli i mangati ende është prezent në ujin e liqenit të Badocit, andaj ka apeluar tek qytetarët që të mos e përdorin.
“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e KRU-Prishtina.
Njoftimi i plotë:
Ripërsëritje e komunikatës së gjendjes aktuale me fenomenin “Mangan”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, më 1 shtator 2025 ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.
Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.
IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.
IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët.
KRU “Prishtina” Sh.A. ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme:
• Zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit;
• Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar.
• Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania.