Tender

U eliminua nga tenderi milionësh Prizren-Prevallë, pas 6 vjetësh operatori fiton betejën në Gjykatë

Nga Kujdestari Media

Një tender milionësh për një nga segmentet e rëndësishme rrugore të vendit kishte kaluar nëpër ankesa, rivlerësime, ekspertiza e vendime të institucioneve të prokurimit. Kontratat ndërkohë ishin dhënë. Por, më shumë se gjashtë vjet pas përplasjes së parë institucionale, një vendim i Gjykatës Komerciale ka nxjerrë në pah probleme serioze në mënyrën se si ishte trajtuar ankesa e njërit prej operatorëve ekonomikë, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për tenderin për “Rikonstruimin e rrugës rajonale R115, Segmenti Prizren–Prevallë”, me numër prokurimi 205-19-5392-5-1-1. Pas një beteje gjyqësore që nisi në vitin 2020, Gjykata Komerciale e Kosovës- shkalla e parw, ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k. kundër Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Para disa javeve, Gjykata ka anuluar vendimin nr. 40,43/20 të OSHP-së, të datës 18 mars 2020, dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje. OSHP është obliguar që në procedurën e re, brenda 30 ditëve, të nxjerrë një akt të ri administrativ duke respektuar vërejtjet e Gjykatës.

Aktgjykimi është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të arsyetimit të Gjykatës. Gjykata ka konstatuar se procedura administrative nuk ishte zbatuar në përputhje me dispozitat përkatëse dhe e ka cilësuar vendimin e kundërshtuar si juridikisht të paqartë dhe kundërthënës me vetveten dhe me arsyetimin e tij. (DOKUMENT)

Tenderi milionësh dhe eliminimi i “SA Sallahu”

Procesi kishte nisur shumë vite më parë.

Ministria e Infrastrukturës kishte hapur më 25 korrik 2019 tenderin për rikonstruktimin e rrugës rajonale R115, segmenti Prizren-Prevallë. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 17 milionë e 54 mijë e 508 euro.

Në këtë aktivitet kishte ofertuar edhe grupi “SA Sallahu” sh.p.k. & “Groma Hold”.

Por operatori ishte eliminuar nga gara. Më 9 tetor 2019 kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim, ndërsa Ministria e kishte refuzuar atë dy ditë më vonë, me arsyetimin se operatori nuk i kishte plotësuar kriteret e dosjes së tenderit. “SA Sallahu” më pas ishte drejtuar në OSHP, duke kërkuar që tenderi për Lot 1 dhe Lot 2 të kthehej në rivlerësim.

Në ankesën e tij operatori pretendonte se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i plotësonin kriteret e Fletës së të Dhënave të Tenderit dhe se kishin çmim më të lartë se oferta e tij, ndonëse kriter ishte tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët. Këto ishin pretendime të operatorit ekonomik dhe jo konstatim përfundimtar i Gjykatës.

Procesi mori një kthesë të parë në nëntor 2019.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së aprovoi pjesërisht ankesat e operatorëve ekonomikë, përfshirë atë të “SA Sallahu”, anuloi njoftimin për dhënien e kontratës dhe e ktheu tenderin në rivlerësim për të dy lotet.

Mirëpo, pas rivlerësimit, “SA Sallahu” u eliminua përsëri.

Kontratat milionëshe u dhanë kompanive të tjera

Më 31 dhjetor 2019, Ministria vendosi përfundimisht se kush do të rekomandohej për kontratat.

Për Lot 1 u shpërblye grupi i operatorëve ekonomikë “Companya Eskavatori” sh.p.k., “Pro & Co Group” sh.p.k. dhe “Best Company” sh.p.k.

Vlera e kontratës për këtë lot ishte 7 milionë e 849 mijë e 716 euro.

Për Lot 2 kontrata iu dha K.N.P.SH “Papenburg & Adriani Company” sh.p.k., në vlerë prej 6 milionë e 643 mijë e 867 euro.

Pra, vetëm këto dy kontrata arrinin në rreth 14.49 milionë euro.

Dokumentet e tenderit të administruara nga Gjykata tregojnë se Ministria i kishte njoftuar operatorët fitues se kishin dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët të përgjegjshëm.

Ndërkohë, “SA Sallahu” ishte eliminuar sërish për Lot 1 dhe Lot 2, me arsyetimin se nuk i plotësonte kriteret e dosjes së tenderit.

Kompania nuk u pajtua as me këtë rezultat.

Më 6 janar 2020 ajo parashtroi një tjetër kërkesë për rishqyrtim, duke kërkuar përsëri kthimin e tenderit në rivlerësim dhe duke pretenduar se operatorët e rekomanduar për kontratë nuk i plotësonin kriteret dhe kishin çmim më të lartë.

Pikërisht mënyra se si u trajtua kjo kërkesë do të bëhej, vite më vonë, një prej pikave kryesore të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale.

Eksperti i OSHP-së rekomandoi rivlerësim

Dokumentet tregojnë se më 17 janar 2020 “SA Sallahu” u ankua në OSHP.

Më pas, eksperti shqyrtues i angazhuar në këtë rast arriti në një përfundim të rëndësishëm.

Në raportin e 3 shkurtit 2020, eksperti i propozoi Panelit Shqyrtues të OSHP-së që ankesat e operatorëve ekonomikë të aprovoheshin si të bazuara dhe që aktiviteti i prokurimit për Lot 1 dhe Lot 2 të kthehej në rivlerësim.

Sipas dokumenteve të administruara nga Gjykata, eksperti kishte konstatuar gjithashtu se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk ishte bërë në harmoni me Ligjin për Prokurimin Publik.

Por çështja nuk përfundoi sipas këtij rekomandimi.

OSHP më 18 mars 2020 i hodhi si të palejuara ankesat e operatorëve “2A Group & 2T” dhe “SA Sallahu & Groma Hold”.

Arsyetimi lidhej me mënyrën se si ishte paraqitur kërkesa paraprake për rishqyrtim.

OSHP pretendonte se “SA Sallahu” nuk kishte paraqitur pretendime konkrete ankimore pranë Autoritetit Kontraktues dhe, rrjedhimisht, nuk ishte zhvilluar shqyrtimi paraprak i domosdoshëm.

Kjo pikë do të bëhej thelbi i betejës gjyqësore.

Çfarë tregoi sistemi i e-Prokurimit?

Në dokumentacionin e shqyrtuar nga Gjykata ndodhet edhe komunikimi me Help Desk-un e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

KRPP kishte konfirmuar se në listën e kërkesave për rishqyrtim evidentohej kërkesa e “SA Sallahu”, e dorëzuar më 6 janar 2020 në orën 14:37.

Por një sqarim tjetër i KRPP-së jep edhe më shumë detaje.

Sipas tij, operatori kishte filluar përgatitjen e kërkesës më 3 janar 2020 në orën 12:52. Dokumenti “kërkesë për rishqyrtim” ishte ngarkuar disa herë në sistem dhe ishte zëvendësuar me versione të tjera me të njëjtin emërtim, por me madhësi të ndryshme. Në sistem ishin ngarkuar gjithashtu dokumente shtesë të emërtuara “Dëshmitë 1, 2, 3 dhe 4”. Procesi kishte përfunduar më 6 janar, ndërsa Autoriteti Kontraktues kishte marrë njoftimin në orën 14:37.

Sipas sqarimit të KRPP-së të cituar në aktgjykim, dokumenti i fundit ishte ngarkuar në orën 14:34 dhe problemi se përse në një pjesë të sistemit shfaqej dokumenti më i hershëm lidhej, sipas verifikimeve të atëhershme, me një çështje teknike të sistemit.

Ky element rezultoi i rëndësishëm në vlerësimin e Gjykatës.

Gjykata: Nëse kërkesa ishte e paplotë, Ministria duhej t’i jepte dy ditë për plotësim

Një nga konstatimet më të rëndësishme të aktgjykimit lidhet pikërisht me veprimet e Ministrisë.

Edhe sikur kërkesa e operatorit të konsiderohej e paplotë, Gjykata konstatoi se neni 108/A paragrafi 5 i Ligjit për Prokurimin Publik e obligonte Autoritetin Kontraktues t’i kërkonte ankuesit plotësimin e saj brenda një periudhe jo më të gjatë se dy ditë.

Vetëm nëse operatori nuk do të vepronte sipas kësaj kërkese, kërkesa për rishqyrtim mund të refuzohej si e paplotë.

Por, sipas Gjykatës, të paditurit nuk paraqitën asnjë provë që “SA Sallahu” ishte ftuar nga Ministria për ta plotësuar kërkesën.

Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se Ministria nuk mund ta refuzonte kërkesën pa e ndjekur paraprakisht këtë procedurë.

Gjykata gjen kundërthënie edhe në vendimin e OSHP-së

Kritikat e Gjykatës nuk ndalen vetëm te veprimet e Autoritetit Kontraktues.

Gjykata konstatoi se nuk qëndronte pretendimi i OSHP-së lidhur me moskonsumimin e procedurës paraprake, duke iu referuar pikërisht komunikimit të KRPP-së, i cili dëshmonte se kërkesa për rishqyrtim ishte paraqitur përmes sistemit të e-Prokurimit dhe kishte qenë e qasshme për Autoritetin Kontraktues.

Madje, Gjykata evidentoi një kundërthënie në vetë arsyetimin e OSHP-së.

Sipas aktgjykimit, OSHP në njërën anë kishte konstatuar se në kërkesën e operatorit nuk kishte pretendime të artikuluara, ndërsa në anën tjetër kishte thënë se pretendimet e ngritura më vonë në ankesën në OSHP nuk kishin qenë pjesë e kërkesës për rishqyrtim.

Për Gjykatën, kjo krijonte konfuzion rreth një pyetjeje elementare: a kishte pasur pretendime ankimore në kërkesën për rishqyrtim apo nuk kishte pasur fare?

Për pasojë, Gjykata vlerësoi se gjendja faktike nuk ishte vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë.

Më shumë se gjashtë vjet më vonë- vendimi i OSHP-së anulohet

Padia ishte paraqitur më 9 prill 2020. Fillimisht çështja ishte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa me themelimin e Gjykatës Komerciale lënda kaloi në kompetencën e kësaj të fundit.

Më 12 qershor 2026, Gjykata Komerciale mori aktgjykimin.

Kërkesëpadia e “SA Sallahu” u aprovua në tërësi si e bazuar, ndërsa vendimi i OSHP-së i 18 marsit 2020 u anulua.

Megjithatë, aktgjykimi nuk nënkupton se Gjykata ia ka dhënë kontratën “SA Sallahu” apo se ka shpallur vetë një fitues tjetër të tenderit.

Gjykata shprehimisht thotë se, për shkak të mangësive të konstatuara, e kishte juridikisht të pamundur t’i vlerësonte plotësisht pretendimet për gjendjen faktike dhe, rrjedhimisht, nuk mund të vendoste me juridiksion të plotë. Për këtë arsye çështjen e ktheu në OSHP.

Pra më këtë vendim OSHP duhej ta shqyrtojë edhe një herë kundërshtimin e operatorit, t’i trajtojë të gjitha pretendimet ankimore në raport me provat, ta mbështesë vendimin në dispozita konkrete ligjore dhe, pasi ta vërtetojë plotësisht gjendjen faktike, të nxjerrë akt të ri administrativ.

Kështu, një proces prokurimi i nisur në vitin 2019 dhe për të cilin kontratat milionëshe u dhanë në fund të atij viti, vazhdon të prodhojë pasoja juridike më shumë se gjashtë vjet më vonë.

Aktgjykimi nuk përcakton se cili operator duhej ta fitonte tenderin. Por ai konstaton diçka tjetër me rëndësi: vendimi me të cilin OSHP kishte mbyllur rrugën e ankesës së “SA Sallahu” nuk mund të qëndronte, pasi gjendja faktike nuk ishte vërtetuar drejt e plotësisht dhe vetë arsyetimi përmbante kundërthënie.

Tash, pas gjithë këtyre viteve, OSHP duhet të kthehet te një kontest i vitit 2020 dhe të vendosë përsëri, kësaj radhe duke iu përmbajtur vërejtjeve dhe pikëpamjes juridike të Gjykatës Komerciale.

Megjithatë, ky projekt ka përfunduar dhe do të shihet se si do të veprojë OSHP-ja. Por kjo vlen vetëm në rast se vendos edhe shkalla e dytë e gjykatës, pasi deri më tani ka vendosur vetëm shkalla e parë. /Kujdestari.info/