Trusti Pensional i Kosovës po regjistron një prej periudhave më të suksesshme sa i përket performancës së investimeve, me të dhënat e përditësuara më 12 gusht 2026 që tregojnë një rritje të ndjeshme si të mjeteve nën menaxhim, ashtu edhe të kthimit nga investimet, raporton Kujdestari.info.
Sipas të dhënave, më 12 gusht 2026, mjetet neto nën menaxhim të Trustit kanë arritur në 4 miliardë e 356.6 milionë euro, ndërsa fitimi/humbja si përqindje e mjeteve neto nën menaxhim ka arritur në 32.17 për qind.
Kjo paraqet nivelin më të lartë të regjistruar në të dhënat e paraqitura për performancën e Trustit.

Për krahasim, në fund të vitit 2025, Trusti kishte 3.75 miliardë euro mjete neto nën menaxhim, ndërsa kthimi nga investimet ishte 26.99 për qind.
Pra, vetëm nga fundi i vitit të kaluar deri më 12 gusht 2026, mjetet neto nën menaxhim janë rritur për rreth 598.8 milionë euro, ose rreth 15.9 për qind.
Edhe trendi i viteve të fundit tregon rritje të vazhdueshme. Në fund të vitit 2024, Trusti kishte 3.18 miliardë euro nën menaxhim dhe kthim prej 23.18 për qind. Një vit më herët, në fund të vitit 2023, këto shifra ishin 2.70 miliardë euro dhe 19.17 për qind.
Në vitin 2022, mjetet nën menaxhim ishin 2.41 miliardë euro, ndërsa kthimi nga investimet ishte 18.95 për qind.
Të dhënat historike tregojnë se rritja e Trustit ka qenë veçanërisht e theksuar gjatë dekadës së fundit. Në fund të vitit 2016, Trusti kishte rreth 1.42 miliardë euro mjete neto nën menaxhim, ndërsa në fund të vitit 2020 kjo shifër ishte rritur në rreth 1.99 miliardë euro.
Në fund të vitit 2011, mjetet nën menaxhim ishin vetëm rreth 595.4 milionë euro, ndërsa sot kanë kaluar 4.35 miliardë euro.
Performanca e investimeve ka pasur edhe vite negative. Në vitin 2008, kthimi ishte -25.32 për qind, ndërsa në vitin 2009 ishte -4.63 për qind. Megjithatë, vitet pasuese kanë shënuar kryesisht rezultate pozitive.
Me shifrën prej 32.17 për qind, kthimi i raportuar më 12 gusht 2026 është dukshëm mbi nivelin e fundit të vitit 2025 dhe mbi të gjitha nivelet e regjistruara në fundvitet e periudhës së paraqitur. /Kujdestari.info/