Fatos Fico, ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm
Nëse ka institucione ku makroekonomia komplekse, strategjia energjetike, fushat e blerta si ato me grurë dhe ato të futbollit, e pjesëmarrja në Kupën e Botës, zgjidhen brenda kohës që pihet një makiato fredo apo krijohet një postim në mediat sociale, ato janë kafeneja dhe tastiera virtuale e celularit shqiptar.
Pengu ynë publik—shumë herë më i madh se borxhi i jashtëm, i brendshëm apo deficiti tregtar—përbëhet nga tre mite. Këto mite shfaqen dhe rishfaqen me më shumë forcë sa herë ka kriza energjie, ushqimesh, apo luan futboll ekipi kombëtar. Por, pse mbeten pa zgjidhje dhe çdo diskutim pasues bëhet edhe më i zjarrtë se i mëparshmi?
Kur nuk zgjidhim dot ekonominë reale dhe zhvillimin, duket se na mjaftojnë tre dilema më të thjeshta: “Kemi aq shumë naftë, pse nuk rindërtojmë rafinerinë që kishim?”, “Pse importojmë kaq shumë ushqime, kur kemi mjaft toka djerrë, thjesht duhen punuar!?”, dhe “Kemi talente futbolli, federatë e fanella me dizajn, tifozë të zjarrtë e komentatorë epikë, pse s’jemi ende në Botëror?”.
Janë dilema të kahershme, por ekonomia e tregut dhe statistikat nuk kanë as ndjenja, as patriotizëm për këto tre lëmi të mbetura peng në memorien kolektive. Le të ballafaqohemi me ftohtësinë e numrave dhe me indeksin e kompleksitetit për të kuptuar pse zgjidhjet e vërteta janë shumë më të mërzitshme dhe inxhinierike sesa postimet sociale e përgjigjet nëpër komente.
- Nafta: Iluzioni i “Sheikëve të Ballkanit”
Miti: Ne nxjerrim naftë. Të ndërtojmë një rafineri, qoftë edhe të vogël, dhe të kemi karburant të lirë “Made in Albania”.
Realiteti i tregut, ekonomia e shkallës: Ndërtimi i një rafinerie moderne që plotëson standardet e BE-së kërkon një investim prej 2 deri në 5 miliardë euro. Në industrinë globale, një rafineri është me fitim vetëm nëse përpunon minimumi 5 deri në 10 milionë ton në vit. Shqipëria konsumon në total rreth 600,000 ton. Tregu ynë është afërsisht 10 herë më i vogël se “minimumi funksional”.
Iluzioni i Rafinerisë së Vogël: “Po sikur të bëjmë një rafineri vetëm për afërsisht 15,000 fuçitë në ditë që nxjerrim?” Një mini-rafineri e lirë, 30-50 milionë euro, funksionon vetëm me naftë të lehtë. Nafta jonë e Patos-Marinzës është e rëndë dhe me plot squfur—praktikisht zift i lëngshëm.
Për ta kthyer këtë zift në naftë makinash (Euro 5), duhen impiante de-sulfurizimi që e çojnë koston e mini-rafinerisë në 300-500 milionë euro. Të mbash funksionale këtë strukturë për një volum kaq të vogël, do të thotë që litri i diezelit shqiptar—apo naftës, siç quhet në gjuhën popullore—në pompë do të kushtojë 30-40% më shtrenjtë se diezeli që importojmë me anije.
Për ta përkthyer në shifra: ndërkohë që kostoja e importit të një litri naftë (pa taksa dhe TVSH) nga Greqia, Italia apo Rusia llogaritet në rreth 0.60 – 0.65 euro, kostoja e prodhimit vendas nga kjo mini-rafineri do të shkojë në rreth 0.90 – 0.95 euro për litër për shkak të kostove ekstreme të pastrimit dhe volumit të vogël.
Për të pasur sens minimal ekonomik një prodhim i tillë vendas me këto kosto, nafta Brent në tregun ndërkombëtar do të duhej të kërcente në një anomali apo krizë me mbi 150 dollarë për fuçi.
Këto llogaritje, ndërkohë, as që i përfshijnë kostot e rënda mjedisore. Historikisht, ish-rafineria e Ballshit apo Azotiku i Fierit nuk i faturonin këto dëme në çmim. Ato e paguanin koston e vërtetë me eksternalitete kolosale: shkatërrimin ekologjik të rajoneve naftëmbajtëse, lumenjve dhe helmatisjen e zonës. Një rafineri e re, që i inkorporon këto standarde mjedisore, do ta çonte koston e prodhimit për litër në nivele edhe më të larta.
Paradoksi i Eksportit – Pse e blejnë të huajt naftën shqiptare?: Nëse është zift, pse na e blejnë? Së pari, pjesa më e madhe e naftës sonë nuk rafinohet për karburant makinash; ajo shkon për bitum, asfalt rrugësh, ose mazut apo “Bunker Fuel”, karburant i rëndë për anijet. Së dyti, rafineritë e huaja e blejnë lirë në bursë dhe bëjnë blending—e përziejnë me naftë të lehtë e më të shtrenjtë për të ulur kostot.
Së treti, ata që e rafinojnë atë janë mega-rafineri me investime rrotull 10 miliardë euro në Itali, Spanjë, etj., që përpunojnë 400,000 fuçi në ditë, duke e bërë koston e tyre të rafinimit për litër mjaft të ulët.
Pse mungojnë investimet për rafineri të mëdha? Nuk është vetëm mungesa e dëshirës, por një arsyetim racional ekonomik. Një rafineri e madhe kërkon rreth 3 dekada stabilitet ligjor e politik për të arritur pikën e vetëshlyerjes, ndërsa në Shqipëri rregullat e lojës dhe taksat priren të ndryshojnë me çdo cikël politik.
Për më tepër, tregu i Mesdheut është i mbingopur me rafineri ekzistuese. Italia dhe Greqia e kanë infrastrukturën dhe rafinojnë shpesh nën kapacitet. Të ndërtosh nga zero në një treg global që po largohet nga nafta drejt energjisë së gjelbër—ku 90% e produktit duhet të eksportohet në konkurrencë me koston marxhinale mjaft të ulët të gjigantëve botërorë—është një rrezik që asnjë investitor nuk e merr përsipër.
Indeksi i Kompleksitetit – Rafinimi kërkon 95/100 kundrejt kapacitetit aktual të ekonomisë shqiptare që është 15/100. Një rafineri është një “qytet” kimik me infrastrukturë kullash, tubash e po aq dixhitale e sensorë, me inxhinierë petrokimikë, laboratorë analizash, që kërkon tregtim kompleks në bursa dhe mirëmbajtje multi-milionëshe.
Menaxhimi i saj kërkon kapital dhe ekspertizë që e tejkalon kapacitetin tonë institucional për të mbikëqyrur sigurinë, standardet dhe shpesh të ardhurat e fitimet. Të bësh një rafineri sot për tregun tonë, është si të ndërtosh një fabrikë gjigante për prodhimin e videokasetave.

- Bujqësia: Puna e Belit kundrejt Heliksit të trefishtë
Miti: Kemi tokë dhe diell. Mjafton t’i biem belit, të ndërtojmë serra dhe ushqejmë Evropën.
Realiteti i Tregut, ekonomia e hektarëve: Sipërfaqja mesatare e një ferme në Shqipëri është rreth 1.2 hektarë, e ndarë kjo në disa ngastra. Është e pamundur të amortizosh blerjen e teknologjisë moderne në parcela kaq të vogla.
Përballë kemi Holandën, me sipërfaqe tokësore të ngjashme, e cila eksporton 120 miliardë euro produkte bujqësore në vit, edhe përmes 9,000 hektarëve serra xhami me ngrohje, hidroponi dhe drita LED.
Në 1 metër katror ata prodhojnë mbi 70 kg domate; në serrën tonë diellore, arrijmë 10-15 kg. Por ndërsa atje bujqësia është industri—ku dihet saktësisht sasia, kostoja, koha e vjeljes dhe kontraktohet afatgjatë mbi këtë bazë—prodhimi shqiptar mbetet ende sporadik dhe pa kontrata.
Miti i “Bukës së Vendit” dhe Gruri: Një tjetër iluzion shqiptar është se mund të jemi konkurrues në drithëra thjesht sepse kemi tokë dhe dikur thamë që e prodhojmë vetë bukën. Realiteti i prodhimit tregon se Ukraina, edhe pse në luftë totale, arrin një rendiment mesatar prej rreth 5 ton për hektar falë tokës cilësore dhe specializimit ekstrem, ndërsa në Shqipëri rendimenti lëviz në 3.5-4 ton.
Por, diferenca e vërtetë fshihet tek kostoja për njësi: në Ukrainë, fermat e kompanitë gjigante bujqësore blejnë plehra kimike dhe inpute me volume trenash, ose me çmim shumice dhe përdorin teknologji satelitore. Ndërkohë, fermeri shqiptar i blen inputet me pakicë dhe shumë më shtrenjtë.
Një autokombajnë në stepat e Ukrainës korr qindra hektarë pa u ndalur, duke minimizuar koston e karburantit për ton, ndërsa në Shqipëri, copëzimi i tokës e detyron makinerinë të harxhojë më shumë kohë dhe naftë në rrugë sesa në korrje. Në fund, logjistika e transportit me anije nga portet e Detit të Zi kushton më pak për kuintal sesa mbledhja “dorë më dorë” e grurit nëpër qindra ferma të vogla shqiptare. Kjo e bën grurin e importit matematikisht më të lirë se prodhimi vendas.
Indeksi i Kompleksitetit, Holanda 98/100 kundrejt bujqësisë shqiptare në 15/100. Bujqësia holandeze bazohet te “Heliksi i Trefishtë”: Universiteti i Wageningen dhe shumë universitete të tjera profesionale zhvillojnë kërkim shkencor e gjenetikë bimësh, Qeveria atje ndërhyn me subvencione teknologjike, ndërsa Sektori Privat garanton logjistikë të ftohtë të automatizuar dhe pozicionim në bursën ndërkombëtare.
Ky zinxhir i pandërprerë e bën bujqësinë një degë të inxhinierisë. Përballë këtij sistemi kompleks qëndron realiteti ynë: një fermer i vetëm me një serrë plasmasi, pa siguracion, që pret që pika e grumbullimit të gjejë tregun më të përshtatshëm për atë vetë, duke u lutur të shpëtojë nga përmbytjet në dimër e thatësira në verë.
- Futbolli: Nga “Talenti i Rrugës” tek Inxhinieria e Klubeve
Miti: Kemi talente e pasion të fortë, pse mos jemi në Botëror. As Messi, e as Ronaldo nuk kishin kushte; ata dolën nga rruga.
Realiteti i Tregut, ligji i Probabilitetit: Të dhënat për çdo 1 milion banorë flasin qartë se suksesi është matematikë e pastër e masivitetit dhe infrastrukturës. Për çdo 1 milion banorë, Gjermania ka rreth 84,000 lojtarë futbolli të regjistruar dhe 960 fusha standarde; Holanda ka rreth 67,000 lojtarë dhe një rekord prej rreth 1,800 fushash futbolli; Italia ka rreth 24,000 lojtarë dhe rreth 450 fusha standarde. Ndërkohë, Shqipëria ka rreth 8,000 lojtarë dhe vlerësohet të ketë 20-30 fusha standarde (11v11) funksionale për 1 milion banorë. Hendeku nuk është te talenti, por te shanset që talenti të zhvillohet dhe të zbulohet.
Miti i Rrugës: Portugalia ka rreth 20,000 lojtarë të regjistruar për 1 milion banorë dhe futsall të integruar në çdo shkollë, një potencial i mirëfilltë mbarëkombëtar. Argjentina ka 56,000 lojtarë të regjistruar zyrtarisht për 1 milion banorë përmes sistemit gjigant “Baby Fútbol” me mbi 3,300 klube. Messi nuk doli “nga rruga”; ai ishte pjesë e një klubi të organizuar, “Grandoli” që në moshën 5-vjeçare.
Indeksi i Kompleksitetit, DFB Gjermane 90/100 kundrejt FSHF Shqipëri 20/100. Futbolli modern funksionon si një korporatë (jo kërpëratë): përdor Big Data për analizën e lëvizjeve, shkencë sportive, mjekësi rigjeneruese dhe ka ligje strikte financiare. Përballë kësaj inxhinierie qëndron futbolli ynë, i cili historikisht ka lënguar nga presidencializmi.
Klube që shpesh janë institucione sportive vetëm në letër, por në të vërtetë janë lodra në duart e njerëzve me të kaluar të dyshimtë apo “të fortëve” lokalë. Në një mjedis ku klubi përdoret për ndikim dhe trajneri shkarkohet me një telefonatë nga tribuna VIP, planifikimi afatgjatë dhe inxhinieria sportive vdesin pa lindur.
Lëmia institucionale
Në analizën e politikave publike, bindja se një problem kompleks ka një zgjidhje të thjeshtë shpesh buron nga mungesa e thellësisë së informacionit mbi vetë problemin.
Ky fenomen, ku mungesa e ekspertizës krijon siguri absolute, i njohur si efekti Dunning-Kruger, shpesh mbizotëron në diskutimin publik, por nuk mund të shërbejë si bazë për strategjinë ekonomike. Thirrjet nostalgjike për vetëmjaftueshmëri apo kërkimi i zgjidhjeve të shpejta reflektojnë një vakum në debatin institucional, si dhe mungesën e një plani real zhvillimi.
Ngritja e industrive të qëndrueshme kërkon integrim në zinxhirët e vlerës globale, ekonomi shkalle dhe sisteme inxhinierike afatgjata. Injorimi i këtij kompleksiteti për hir të narrativave popullore nuk është thjesht një keqkuptim i tregut të lirë; është një kosto që një ekonomi në zhvillim nuk e ka luksin ta paguajë.
Ndërtimi i industrive kërkon politika të matura, kapital transparent dhe një punë të ngadaltë, të mërzitshme, por absolutisht të domosdoshme. Është pikërisht kjo “mërzi” institucionale që prodhon mirëqenie, ndërkohë që iluzioni se tek ne “ndodhin e diskutohen gjëra” maskon thjesht krizat dhe ikjet, duke na lënë të rrotullohemi pafundësisht rreth të njëjtave dilema për dekada me radhë. /Monitor.al