E martë, 27 Janar, 2026

Trepça planifikon furnizim me eksploziv për minierat e Stantërgut dhe Artanës, kontratë mbi 600 mijë euro

Ndaj

Ndërmarrja publike e Kosovës, Trepça SH.A., po planifikon të furnizohet me sasi të konsiderueshme të eksplozivit për nevojat e operacioneve minerare në minierat e Stantërgut dhe Artanës. Për këtë qëllim, kompania ka publikuar njoftim për kontratë në kuadër të procedurave të prokurimit publik, me vlerë të parashikuar mbi 600 mijë euro dhe kohëzgjatje 12 mujore, shkruan Kujdestari.info.

Trepça SH.A. ka publikuar Njoftimin për Kontratë “Furnizim me eksploziv për minierë”, përmes së cilit synon të sigurojë vazhdimësinë e punimeve në minierat e Stantërgut dhe Artanës. Njoftimi është përgatitur më 23 janar 2026 dhe procedura do të zhvillohet përmes e-Prokurimit, me afat të fundit për dorëzimin e tenderëve më 23 shkurt 2026.

Sipas dokumentit zyrtar, bëhet fjalë për një kontratë publike kornizë 12-mujore, e cila do të realizohet përmes porosive sipas nevojës, ndërsa kriteri për dhënie të kontratës është çmimi më i ulët. Vlera e parashikuar e kontratës kap shumën 608,560.58 euro, ndërsa operatorët ekonomikë do të obligohen të ofrojnë siguri të tenderit në vlerë 6,000 euro dhe më pas siguri të ekzekutimit deri në 10% të vlerës së kontratës.

Çfarë parashihet të blihet

Sipas specifikimeve teknike të dosjes së tenderit, furnizimi përfshin:

Eksploziv për minierë, me karakteristika të detajuara teknike (diametër 27–28 mm, shpejtësi detonimi deri në 5200 m/sek, rezistencë ndaj ujit dhe temperaturë të lartë lirimi);

Detonatorë LP me intervale inicimi;

Dinolinë sipas standardeve të BE-së;

Vegëza, konektorë dhe kapsolla për starter, të nevojshme për procesin e shpërthimit të kontrolluar.

Furnizimi do të shtrihet në dy lokacione kryesore minerare dhe është konsideruar i domosdoshëm, pasi sipas arsyetimit të autoritetit kontraktues ,sasia aktuale e kontraktuar është drejt përfundimit, duke kërkuar procedurë të përshpejtuar për të mos ndërprerë operacionet minerare.

Kush mund të aplikojë

Operatorët ekonomikë që synojnë të marrin pjesë duhet të plotësojnë kriteret ligjore të përshtatshmërisë sipas Ligjit të Prokurimit Publik, përfshirë: dëshmi për regjistrim biznesi dhe TVSH; vërtetime nga gjykatat dhe Administrata Tatimore; dokumentacion teknik dhe katalogë që dëshmojnë përputhshmërinë me specifikimet; certifikim të prodhuesit sipas ISO 9001:2015, etj

Hapja e tenderëve do të bëhet po më 23 shkurt 2026, në Zyrën e Prokurimit të Trepçës, ndërsa kontrata synon të sigurojë vazhdimësi teknike dhe operacionale për aktivitetin minerar gjatë vitit të ardhshëm. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera