Ndërmarrja shoqërore Trepça Sh.A. ka identifikuar edhe tetë prona të reja me sipërfaqe të përgjithshme prej 2.44 hektarësh, të cilat deri më tani nuk kanë figuruar në librat zyrtarë të ndërmarrjes dhe nuk kanë të përcaktuar titullarin e pronësisë, shkruan Kujdestari.info.
Sipas një njoftimi të Trepçës, ky proces po zhvillohet në kuadër të fazës së dytë të unifikimit të emërtimeve dhe evidentimit të pronave të ndërmarrjes.
Nga identifikimi i fundit janë evidentuar tetë parcela, të cilat më herët nuk kanë qenë të regjistruara në evidencat e brendshme të ndërmarrjes. Trepça ka bërë të ditur se këto prona do të përfshihen në evidencat financiare, ndërsa paralelisht do të nisin procedurat për përcaktimin e titullarit të pronësisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, ndërmarrja ka njoftuar se do të realizohet edhe vlerësimi financiar i tyre, sipas procedurave përkatëse.
Në të njëjtën kohë, Trepça u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që aktualisht ushtrojnë veprimtari në parcelat dhe pronat e saj, që të paraqesin kërkesë për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale me ndërmarrjen.
Në të kundërtën, ndërmarrja ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore për lirimin e këtyre pronave. /Kujdestari.info/