Ndërmarrja “Trepça”, e cila është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka dhënë kontratë për shitjen e koncentratit të plumbit një kompanie ndërkombëtare me seli në Singapor, shkruan Kujdestari.info.
Sipas Njoftimit për Dhënie të Kontratës për Shitje, kontrata për shitjen e koncentratit të Pb (plumbit) i është dhënë kompanisë Trafigura Pte. Ltd., me adresë në 10 Collyer Quay, Ocean Financial Centre, Singapore. Kontrata është dhënë më 19 janar 2026, ndërsa vlera totale e saj arrin në 19,789,120.36 dollarë amerikanë.

Autoritet kontraktues në këtë proces është “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së”, me adresë në Industrijski krug Trepča, Zveçan, komunë kjo në veri të Kosovës, ku ndërmarrja vazhdon të operojë nën ndikimin dhe menaxhimin praktik të strukturave serbe.
Sipas dokumentacionit, lënda e kontratës është shitja e koncentratit të plumbit përmes metodës së ofertave publike të mbyllura. Sasia e paraparë për shitje është 8,000 ton koncentrat i lagësht, me përmbajtje lagështie prej 7 për qind, që pas përpunimit përbën 7,440 ton koncentrat të thatë Pb (DMT).
Në dosje theksohet se çmimi për ton të thatë të koncentratit të plumbit është përcaktuar në përputhje me çmimet e bursës London Metal Exchange (LME), duke lejuar një devijim prej ±500 dollarë amerikanë nga çmimi zyrtar në ditën e hapjes së tenderit, sipas standardeve ndërkombëtare për këtë lloj malli.
Nw fund të vitit të kaluar, Ndërmarrja “Trepça” SHA qe menaxhohet nga pala kosovare, ka finalizuar një nga tenderët më të mëdhenj të viteve të fundit, shitjen e koncentrateve të plumbit dhe zinkut, me vlerë totale rreth 20.9 milionë dollarë, duke zgjedhur dy kompani fituese pas një gare ku morën pjesë gjigantë ndërkombëtarë të tregtimit të metaleve, shkruan Kujdestari.info.
Sipas njoftimit zyrtar për vendimin e autoritetit kontraktues, gara ishte zhvilluar për dy llote- një për shitjen e koncentratit të Plumbit dhe një për Zinkun dhe procesi përfshiu disa prej emrave më të njohur globalë në këtë industri, si Trafigura, Glencore, Mineco, KCM dhe kompani tjera nga rajoni.

Llot 1: Koncentrati i Plumbit
Fitues ishte shpallur kompania britanike Mineco International Limited, me adresë në London, me një ofertë prej: 14,841,827.08 dollarë
Kjo ofertë rezultoi të jetë më konkurruesja mes gjigantëve botërorë si Trafigura dhe Glencore, të cilat kishin ofruar çmime pak më të ulëta, por duket se kanë humbur në aspektin teknik dhe dokumentacionin e kërkuar.
Llot 2: Koncentrati i Zinkut
Fitues është kompania bullgare KCM AD (Plovdiv), një nga rafineritë më të mëdha të Evropës Lindore, me vlerën: 6,062,609.17 dollarë
Në këtë lot, disa kompani të tjera kishin ofruar çmime të ngjashme, si Trafigura, Glencore dhe Mineco, por vetëm KCM ka kaluar fazën e vlerësimit teknik dhe administrativ.
Sasia e shitjes: mbi 6 mijë tonë koncentrat zinku
Sipas dokumentacionit zyrtar, Trepça ka nxjerrë në shitje sasi të konsiderueshme të zinkut të prodhuar nga minierat e saj:
Nga Miniera e Stan Tërgut
5,840.51 ton koncentrat me lagështi
Pas zbritjes së lagështisë standarde 8%: 5,373.27 DMT (Dry Metric Tons)
Nga Miniera e Artanës
666.72 ton koncentrat me lagështi
Pas zbritjes së lagështisë: 613.38 DMT
Totali i përgjithshëm i zinkut të ofruar
6,507.23 ton bruto
5,986.65 DMT neto. /Kujdestari.info/