Tri kompani dhe konsorciume kanë hyrë në fazën vendimtare të Ankandit të Parë të Erës në Kosovë, përmes të cilit synohet ndërtimi i kapaciteteve të reja prej 50 deri në 100 megavatësh. Ndonëse dy prej ofertuesve kryesorë vijnë nga Gjermania, Franca e Turqia, hulumtimi i historikut të tyre tregon se asnjëri prej tre ofertuesve nuk është krejtësisht i panjohur për sektorin energjetik të Kosovës, shkruan Kujdestari.info.
Ministria e Ekonomisë njoftoi më 10 shtator se ofertat janë dorëzuar nga konsorciumi “Notus Energy GmbH” dhe “Stublla Energy LLC”, nga Gjermania dhe Kosova, kompania franceze “Akuo Energy SAS” dhe kompania turke “GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik AŞ”.
Tash Ministria pritet të bëjë vlerësimin ligjor, administrativ dhe teknik të ofertave. Vetëm kompanitë që i kalojnë këto faza do të hyjnë në vlerësimin financiar, ku fitues do të shpallet ofertuesi që ka ofruar çmimin më të ulët.
Por të dhënat publike tregojnë se kompanitë që po synojnë projektin e ri kanë pasur edhe më herët interesa dhe investime në sektorin energjetik të Kosovës.
NOTUS ishte përfshirë në projektin e Bajgorës
Kompania gjermane NOTUS Energy, e cila në këtë ankand garon në konsorcium me kompaninë kosovare Stublla Energy, është një emër i njohur në industrinë e energjisë së ripërtëritshme.
Kompania me seli në Potsdam të Gjermanisë merret me zhvillimin, planifikimin, ndërtimin dhe operimin e projekteve të energjisë nga era dhe dielli.
NOTUS ka pasur edhe më herët një rol të drejtpërdrejtë në Kosovë. Kompania ishte përfshirë në zhvillimin e parkut të erës në Selac të Bajgorës, një prej projekteve më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme të realizuara në vend.
Sipas të dhënave të vetë kompanisë, NOTUS, së bashku me partnerët lokalë, ishte përfshirë në planifikimin e lejeve, mbështetjen e financimit dhe realizimin e projektit si kontraktor i përgjithshëm.
Parku i Bajgorës përbëhet nga 27 turbina me kapacitet të përgjithshëm prej 102.6 MW dhe kishte filluar furnizimin e rrjetit me energji në vitin 2021.
Por partneri kosovar i NOTUS-it në ankandin aktual, Stublla Energy, ka një histori tjetër të projekteve të planifikuara në Kosovë.
Të dhënat e publikuara nga KOSTT tregojnë se “STUBLLAENERGY” kishte aplikuar më 22 janar 2021 për kyçjen e një projekti të madh hibrid energjetik.
Projekti parashihte kapacitet prej 170 MW, prej të cilave 138 MW nga era dhe 32 MW nga energjia solare. Kyçja ishte planifikuar në Nënstacionin Prishtina 4.
Një studim i publikuar për transformimin e sektorit energjetik të Kosovës e identifikonte këtë si projektin “Jasenovik”, me Stublla Energy si zhvilluese.
Interesimi i kompanisë për projekte të erës ka vazhduar edhe më vonë.
Në korrik të vitit 2024, Stublla Energy kishte aplikuar në KOSTT për një tjetër projekt të energjisë nga era, këtë herë me kapacitet prej 61.2 MW dhe me kyçje të planifikuar në Nënstacionin Gjilani 1. Kompania është ne pronësi te, Kriste Ramaj.
Kjo tregon se kompania kosovare që tash po garon së bashku me NOTUS-in kishte tentuar të zhvillonte projekte të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë disa vite para hapjes së ankandit aktual.
Akuo kishte planifikuar projekt 116 MW në Çiçavicë
Edhe kompania franceze Akuo Energy kishte shfaqur interes për prodhimin e energjisë nga era në Kosovë shumë më herët.
Në regjistrin e aplikuesve për kyçje të KOSTT-it figuron projekti “AKUO-Energy MED Cicavica”, për të cilin ishte aplikuar në korrik të vitit 2018.
Projekti parashihte ndërtimin e kapaciteteve prej 116 MW nga energjia e erës.
Sipas të dhënave të KOSTT-it, aplikuesi kishte pranuar ofertën për kyçje, por marrëveshja për kyçje nuk ishte nënshkruar.
Akuo është kompani franceze e specializuar në zhvillimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.
Kompania deklaron se ka rreth 2.1 GW kapacitete në operim ose ndërtim dhe më shumë se 100 centrale në operim apo në fazën e ndërtimit në vende të ndryshme.
Ndryshim i rëndësishëm në strukturën pronësore të saj ka ndodhur në vitin 2025. Kompania ndërkombëtare e investimeve Ardian bleu kapitalin e Akuo-s që mbahej nga themeluesit Eric Scotto dhe Patrice Lucas dhe fondi ICG, duke marrë kontrollin e kompanisë.
GÜRİŞ tashmë prodhon energji nga era në Kosovë
Prej tre konkurrentëve, kompania turke GÜRİŞ ka një prej lidhjeve më konkrete me tregun energjetik të Kosovës.
GÜRİŞ është pjesë e një grupi të madh turk që vepron në energji, ndërtim dhe industri. Historia e grupit fillon në vitin 1958, ndërsa aktivitetet e tij përfshijnë hidrocentrale, parqe të erës, centrale gjeotermale, autostrada, tunele, hekurudha dhe projekte të tjera infrastrukturore.
Në Kosovë, grupi lidhet me kompaninë Air Energy SH.P.K.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e identifikon Air Energy si kompani në pronësi të plotë të GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik.
Përmes saj është zhvilluar parku i erës Kitka në Kamenicë, me kapacitet fillestar prej 32.4 MW.
Kitka ishte parku i parë funksional i energjisë nga era në Kosovë dhe përbënte një investim prej dhjetëra milionë eurosh. Kjo nënkupton se GÜRİŞ, ndryshe nga një investitor që po hyn për herë të parë në treg, tashmë ka përvojë konkrete në ndërtimin dhe operimin e kapaciteteve të energjisë nga era në Kosovë.
Të dhënat e Shoqatës Turke të Kontraktorëve po ashtu e listojnë “AIR ENERGY Sh.P.K.” në Kosovë në mesin e kompanive të lidhura me grupin GÜRİŞ.
Kështu, të tre ofertuesit që kanë mbetur në garë për Ankandin e Parë të Erës kanë pasur në forma të ndryshme lidhje paraprake me sektorin energjetik të Kosovës.
Tash përballja ndërmjet tyre ka hyrë në fazën përfundimtare të ankandit.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në javët në vijim do të kontrollohet nëse ofertat plotësojnë kërkesat ligjore, administrative dhe teknike. Vetëm ofertat që i kalojnë këto kontrolle do të hapen për vlerësimin financiar.
Në fund, fitues do të shpallet ofertuesi që, pasi t’i ketë plotësuar kriteret e kërkuara, ka ofruar çmimin më të ulët.
Ankandi synon ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga era prej 50 deri në 100 MW dhe është pjesë e përpjekjeve të Kosovës për rritjen e prodhimit vendor të energjisë dhe diversifikimin e burimeve të saj. /Kujdestari.info/