Tender

Traktori që vë në dyshim tenderin 250 mijë euro të Prishtinës – ekspertja kërkon rivlerësim

Nga Kujdestari Media

Tenderi i Komunës së Prishtinës për “Mirëmbajtjen e sistemit të ujitjes dhe ujitjen e sipërfaqeve gjelbëruese”, me vlerë të parashikuar prej 250 mijë eurosh, mund të kthehet në rivlerësim pas gjetjeve të ekspertes shqyrtuese të Organit Shqyrtues të Prokurimit, shkruan Kujdestari.info.

Aktiviteti i prokurimit, i nisur që në prill të vitit 2026, ka kaluar nëpër një proces të gjatë të vlerësimit dhe sqarimeve, ndërsa çështja përfundoi në OSHP pas ankesës së kompanisë Komplast 1985 SH.P.K.

Komuna e Prishtinës kishte rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë KOM GROUP SH.P.K., KUSHTRIMI N.M. SH.P.K. dhe COMPANY MURSELI SH.P.K. Ankesa kundër njoftimit për dhënie të kontratës është dorëzuar në OSHP më 2 shtator 2026, ndërsa ekspertja shqyrtuese Azemine Gërvalla e ka dorëzuar raportin e ekspertizës më 16 shtator. Prishtindaa

Megjithatë, Paneli Shqyrtues i OSHP-së ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar për këtë rast. Raporti i ekspertes është rekomandim profesional për Panelin, i cili duhet të vendosë nëse do ta ndjekë atë. (DOKUMENT)

Dy gjetjet që e çuan eksperten te rekomandimi për rivlerësim

Megjithëse shumicën e pretendimeve të Komplast 1985 ekspertja i ka vlerësuar si të pabazuara, ajo ka gjetur probleme në dy çështje të rëndësishme që lidhen me pajisjet dhe makineritë që grupi i rekomanduar për kontratë duhej t’i kishte në dispozicion.

Njëra prej tyre ka të bëjë me makinën për saldimin e gypave PVC/PE.

Dosja e tenderit kishte përcaktuar se pajisjet dhe makineritë në dispozicion duhej të dëshmoheshin me kopje të librezave mbi pronësinë ose me dokument unik doganor – DUD, ndërsa në rast të marrjes me qira duhej të ekzistonte edhe kontrata e qiramarrjes.

Për makinën e saldimit, grupi i rekomanduar kishte dorëzuar një kontratë të noterizuar të shitblerjes, specifikimin teknik dhe fotografi nga terreni ku pajisja paraqitej në përdorim.

Por kjo nuk e ka bindur plotësisht eksperten.

Ajo ka vlerësuar se duhet të kërkohen dëshmi dhe sqarime shtesë për mënyrën se si është përmbushur kërkesa e dosjes së tenderit për pronësinë apo posedimin e makinës së saldimit PVC/PE.

Pikërisht për këtë arsye, pretendimin nr. 9 të Komplastit ekspertja e ka vlerësuar “pjesërisht të bazuar”.

Paqartësi edhe për traktorin e kërkuar në tender

Gjetja tjetër që rëndon mbi procedurën lidhet me kërkesën për “Traktor me lugë ngarkuese me lopata rrafshuese”.

Nga dokumentacioni i grupit të rekomanduar, sipas ekspertes, makineritë e deklaruara identifikohen kryesisht si eskavatorë ose makineri të tjera ngarkuese, ndërsa nuk evidentohet qartë se është përmbushur pikërisht kërkesa për traktorin me karakteristikat e përcaktuara në tender.

Ekspertja ka konstatuar gjithashtu se nga dokumentacioni nuk është e qartë se cilën makineri Komuna e Prishtinës e ka marrë për bazë kur e ka konsideruar këtë kriter të plotësuar.

Për këtë arsye, sipas raportit, Komuna duhet t’i kërkojë grupit të operatorëve ekonomikë sqarim konkret se cila është makineria e ofruar, si dhe dëshmitë përkatëse – librezën, DUD-in ose kontratën e qiramarrjes – dhe të dëshmohet se ajo i plotëson të gjitha kërkesat e tenderit.

Edhe këtë pretendim, nr. 11, ekspertja e ka vlerësuar pjesërisht të bazuar.

Ekspertja rrëzon shumicën e pretendimeve të tjera

Në anën tjetër, raporti nuk i jep të drejtë kompanisë ankuese në pjesën më të madhe të pretendimeve.

Ndër të tjera, Komplast kishte kontestuar dëshmitë për drejtuesit e kompanive, statusin tatimor të Company Murseli, përvojën e kontratave të grupit, dokumentacionin e stafit profesional, kamionët dhe mënyrën se si ishin kërkuar sqarimet për pajisjen e saldimit.

Për shembull, lidhur me Company Murseli, ekspertja konstaton se kompania kishte dorëzuar vërtetim të ATK-së të 17 qershorit 2026, sipas të cilit ishte në marrëveshje me Administratën Tatimore për shlyerjen e borxheve me këste. Ekspertja e ka konsideruar këtë dokument të pranueshëm.

Edhe pretendimi se KOM GROUP kishte paraqitur kontrata që i paraprinin themelimit të kompanisë nuk është pranuar nga ekspertja. Sipas raportit, kontratat në fjalë ishin realizuar nga KUSHTRIMI N.M. SH.P.K., anëtar i grupit, dhe grupi mund të mbështetet në kapacitetet teknike dhe profesionale të anëtarëve të tij.

Ekspertja ka konstatuar se kontratat e këtij anëtari arrijnë vlerën minimale të kërkuar prej 375 mijë eurosh dhe janë të natyrës së ngjashme me punët e kërkuara.

Po ashtu, pretendimet lidhur me përvojën profesionale të inxhinierëve të propozuar janë vlerësuar si të pabazuara.

Sqarime të tenderit deri në gusht, ndonëse procedura kishte nisur muaj më parë

Një element tjetër që tregon zgjatjen e procedurës është kronologjia e sqarimeve.

Komuna kishte kërkuar sqarime nga grupi i operatorëve më 7 korrik 2026, ndërsa përgjigjet ishin dorëzuar më 9 korrik. Më pas, më 5 gusht, Komuna kishte kërkuar sërish sqarime për makinën e saldimit PVC/PE, ndërsa më 10 gusht ishte dorëzuar përgjigjja e prodhuesit.

Kompania ankuese kishte pretenduar se këto dokumente përbënin plotësim të ofertës pas afatit. Ekspertja nuk e ka pranuar këtë pretendim, duke vlerësuar se dokumentet kishin shërbyer për sqarimin e karakteristikave të pajisjes së njëjtë të deklaruar në ofertë dhe nuk përbënin ndryshim të ofertës.

Rekomandimi: të anulohet njoftimi për kontratë dhe tenderi të kthehet në rivlerësim

Pavarësisht se pjesën më të madhe të pretendimeve i ka shpallur të pabazuara, dy gjetjet e mësipërme kanë qenë të mjaftueshme që ekspertja të rekomandojë ndërhyrje në rezultatin e tenderit.

Në përfundim të raportit, ekspertja i propozon Panelit Shqyrtues që ankesa e Komplast 1985 të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Kjo nënkupton se, sipas ekspertizës, vendimi me të cilin grupi KOM GROUP – KUSHTRIMI N.M. – COMPANY MURSELI ishte rekomanduar për kontratë nuk duhet të mbetet në fuqi pa u rivlerësuar çështjet e konstatuara.

Megjithatë, procedura nuk mund të konsiderohet ende e anuluar. Fjala përfundimtare i takon Panelit Shqyrtues të OSHP-së, i cili në momentin e hartimit të këtij artikulli ende nuk ka marrë vendim përfundimtar. /Kujdestari.info/