E mërkurë, 4 Mars, 2026

Tokë bujqësore dje, kompleks shumëbanesor sot: Kjo është leja më e madhe ndërtimore e vitit 2025 në Prishtinë

Ndaj

Në zonën e njohur si “Marigona” në Prishtinë, një lagje që ndër vite është shndërruar në një nga zonat më të zhvilluara dhe të banuara nga figura publike e politike, Komuna e Prishtinës ka lëshuar lejen më të madhe ndërtimore për vitin 2025, me gjithsej 62,965.51 metra katrorë hapësirë ndërtimore. Projekti shumëbanesor dhe afarist parashihet të ndërtohet mbi parcelë në ZK Hajvali, shkruan Kujdestari.info.

Pronari i parcelës është Ndërmarrja e Re “Ratar Ajvali” sh.p.k., e privatizuar në vitin 2011 përmes procedurës Spin-Off të thjeshtë. Sipas dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kjo formë shitjeje nuk ka pasur kushte investimi dhe as monitorim pas shitjes, derisa toka figuronte si bujqësore.

Pronari aktual i tokës, Mehdi Zhugolli, është biznesmen i njohur në sektorin energjetik, i përmendur në dokumente publike lidhur me kontrata dhe tenderë në KEK në vitet e kaluara.

Leja është lëshuar për realizimin e kompleksit shumëbanesor dhe afarist “Marigona Hill”, me etazhitet të përbërë nga struktura të ndryshme si 2B+S+P+5+Ph, 2B+S+P, 2B+S+P+5+Ph, B+S+P+5+Ph dhe S+0.

Sipas dokumentit zyrtar të Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës (vendimi nr. 05nr.351/02-141317/24, datë 08.09.2025), investitori është “Marigona Hill” sh.p.k., ndërsa pronari i parcelës është Ndërmarrja e Re “Ratar Ajvali” sh.p.k.

635 mijë euro taksa për lejen

Për këtë leje ndërtimore janë paguar gjithsej 635,599.96 euro taksa komunale, çka e bën atë jo vetëm lejen më të madhe për nga sipërfaqja, por edhe një nga pagesat më të larta për taksa ndërtimore në një projekt të vetëm.

Kompleksi përfshin disa blloqe të ndara (“B1”, “B2”, “B3”, “B4”, “B5”, “B6”, “B7” dhe “M1-5”), me bodrume të shumëfishta, hapësira afariste, banesa, garazha nëntokësore dhe penthouse, si dhe me zhvillim të konsiderueshëm mbi tokë dhe nën tokë. Vetëm për blloqet “M1-8” dhe “M1-5” sipërfaqja e përgjithshme ndërtimore arrin mbi 62 mijë metra katrorë, siç përshkruhet në dokumentin e lejes (faqet 8-9)

Për ta kuptuar përmasën, 62,965 m² ndërtim përkthehet në dhjetëra mijëra metra katrorë hapësira banimi dhe afariste, një zhvillim që për nga shtrirja dhe kapaciteti përfaqëson një lagje të tërë të re urbane.

Parcela: ZK Hajvali  tokë e privatizuar në vitin 2011

Sipas dokumenteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), prona mbi të cilën po realizohet projekti ishte privatizuar në vitin 2011 përmes procedurës Spin Off të thjeshtë, pa kushte investimi dhe pa obligime monitorimi pas shitjes.

Në përgjigjen zyrtare të AKP-së, për Kujdestari.info thuhet se “…kjo është shitje me Spin Off të thjeshtë pa kushte dhe për këto shitje nuk ka pasur asnjëherë monitorim pas shitjes apo kushte për investime.

AKP ka lejuar qasje në këtë kontratë. Nga dokumentet e shitjes së aksioneve të Ndërmarrjes së Re “Ratar Ajvali” sh.p.k., rezulton se blerësi ishte Mehdi Zhugolli, ndërsa marrëveshja është lidhur më 26.10.2011 në Prishtinë në një vlerë prej hic më pak se 7,777,999.00 euro, si oferta mi e lartë, fiks 527,135.00 m² sipërfaqe tokë (Hajvali, Prishtinë)

Në dokumentacionin e privatizimit përmendet se ndërmarrja përfshinte tokë bujqësore në zonën e Hajvalisë. Pra, në momentin e privatizimit, prona ishte me destinim bujqësor.

Nga tokë bujqësore në kompleks shumëbanesor

Rasti paraqet një shembull të transformimit urban të tokave të privatizuar në fillim të viteve 2010. Një pronë që në vitin 2011 ishte pjesë e një ndërmarrjeje me karakter bujqësor, sot është shndërruar në një nga projektet më të mëdha rezidenciale të miratuara në Prishtinë në vitin 2025. Ndryshimi i destinimit nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore nuk rregullohet nga kontrata e privatizimit, por nga Plani Rregullues

Ndertimi ku do të ndoshw kuadwr tw Planit Rregullues të Hollësishëm për Tërësinë Urbane “B” të lagjes “Prishtina e Re – Zona Lindje”. Fillimisht plani për “Plani rregullues për tërësinë urbane B të lagjes Prishtina e re – Zona Lindje 2017- 2025” ishte miratuar në vitin 2017 dhe siç shihet ishte bërë me një parashikim të revidimit për 8 vite. Por, i njëjti ishte reviduar në vitin 2019 dhe tash po synohet të revidohet për herën e tretë.

Leja ndërtimore konstaton qartë se projekti përfshin Kompleks shumëbanesor dhe afarist, Hapësira komerciale, garazha nëntokësore, ndërtesa me shumë kate mbi tokë, Penthouse dhe struktura të kombinuara me dy bodrume.

Emri i pronarit të tokës, Mehdi Zhugolli, në të kaluarën është përmendur në dokumente publike si biznesmen me kontrata të rëndësishme në sektorin energjetik, përfshirë tenderë shumë milionësh me KEK-un përmes kompanive të lidhura me të. Këto janë të dhëna të dokumentuara në kontrata publike dhe arkiva institucionale.

Pronar të “MARIGONA HILL” SH.P.K. janë Valton Bilalli dhe Rasim Merlaku. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera