Një tender i Komunës së Fushë Kosovës po shkonte drejt nënshkrimit të kontratës, pavarësisht se një kompani konkurrente kishte ngritur më herët një varg pretendimesh se operatori i shpallur fitues nuk i plotësonte disa prej kritereve të tenderit, shkruan Kujdestari.info.
Kompania ishte ankuar fillimisht pikërisht te Komuna. Autoriteti Kontraktues nuk kishte ndryshuar vendimin në favor të saj dhe procedura kishte vazhduar.
Por situata ndryshoi kur ankesa doli nga Komuna dhe mbërriti në Organin Shqyrtues të Prokurimit- OSHP.
Vetëm atëherë Komuna e Fushë Kosovës anuloi dhënien e kontratës.
Kronologjia e dokumenteve e bën rastin veçanërisht interesant, pasi kërkesa për rishqyrtim ishte paraqitur në Komunë më 17 gusht, ndërsa më 19 gusht Autoriteti Kontraktues kishte nxjerrë vendimin e tij. Kompania më pas iu drejtua OSHP-së më 31 gusht.
Në ndërkohë, procedura kishte shkuar aq larg sa grupi Ermal Sylaj B.I. – AAB Construction SH.P.K. ishte shpallur fitues dhe nënshkrimi i kontratës ishte planifikuar për 2 shtator 2026. (DOKUMENT)

Pra, po të mos kishte një hap tjetër nga kompania ankuese, tenderi ishte në prag të nënshkrimit.
Por më 31 gusht, në të njëjtën datë kur “Company Murseli” e dërgoi ankesën në OSHP, Komuna mori vendim për anulimin e dhënies së kontratës, pa e pritur OSHP-në që të shqyrojë rastin. (DOKUMENT)

Kjo ngre dyhsime kryesore të gjithë rastit, nëse Komuna i kishte pasur pretendimet e kompanisë para vetes dhe nuk e kishte ndalur procedurën, çfarë ndryshoi sapo e njëjta çështje mbërriti në OSHP dhe nuk u prit vendimi i kwtij organi.
Komuna shkroi “urdhër i OSHP-së”, por dokumentet ngrenë një tjetër pikëpyetje
Më interesant bëhet arsyetimi i dhënë nga vetë Komuna për anulimin.
Në formularin zyrtar, Autoriteti Kontraktues ka shënuar opsionin: “Një urdhër i lëshuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit kërkon anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës”.
Mirëpo, te informacionet shtesë në të njëjtin dokument, Komuna ka dhënë një formulim shumë më të thjeshtë duke shkruar se anulohet “Për shkak të ankesës në OSHP”.
Në dokumentacionin e shqyrtuar nga Kujdestari.info nuk gjendet një vendim apo urdhër i OSHP-së që kishte hyrë në meritat e ankesës dhe kishte urdhëruar anulimin.

Për çfarë tenderi bëhet fjalë?
Tenderi ka të bëjë me “Rrënimin e objekteve pa leje ndërtimore dhe objekteve të tjera në Komunën e Fushë Kosovës”.
Për kontratë ishte rekomanduar grupi Ermal Sylaj B.I. dhe AAB Construction SH.P.K.
Pikërisht mënyra se si ky grup ishte vlerësuar si i përgjegjshëm ishte kundërshtuar nga “Company Murseli”.
Ankesa nuk kishte të bënte vetëm me ndonjë gabim teknik. Ajo ngrinte disa pretendime konkrete që, nëse konfirmohen nga organet kompetente, prekin drejtpërdrejt plotësimin e kritereve për fitimin e kontratës.
375 mijë euro punë të ngjashme- por a mund të llogaritet kanalizimi si punë e ngjashme me rrënimin?
Ky është një prej pretendimeve më të rëndësishme të ankesës. (DOKUMENT)
Sipas saj, Dosja e Tenderit kërkonte që operatori të dëshmonte kontrata të realizuara me sukses gjatë tri viteve të fundit, të një natyre të ngjashme me tenderin, në vlerë së paku 375 mijë euro.
Këtu është me rëndësi të kuptohet se tenderi nuk kishte të bënte me ndërtimin e kanalizimeve apo kubëzimin e rrugëve. Objekti i tij ishte rrënimi i objekteve.
Megjithatë, ankuesi pretendon se operatorit të rekomanduar për kontratë i janë pranuar si referenca edhe:
“Ndërtimi dhe sanimi i kanalizimit në Komunën e Suharekës”- 247,063.47 euro, dhe
“Ndërtimi i kanalizimit dhe kubëzimi në rrugën Brezne-Likeni”- 226,071.40 euro.
Problemi që ngre ankuesi është i drejtpërdrejtë se a mund të trajtohet ndërtimi i kanalizimit dhe kubëzimi si përvojë e ngjashme me demolimin dhe rrënimin e objekteve?
Sipas kompanisë ankuese, jo. Ajo argumenton se këto janë punë infrastrukturore dhe nuk kanë natyrën teknike dhe operative të punëve të rrënimit.
Nëse këto referenca nuk do të pranoheshin si punë të ngjashme, atëherë çështja prek drejtpërdrejt plotësimin e kriterit financiar të referencave.
Liderit i kërkoheshin 225 mijë euro- ankuesi thotë se kishte vetëm 160,850 euro.
Këtu ankesa bëhet edhe më konkrete.
Nga 375 mijë eurot e kërkuara për grupin, lideri i grupit duhej të dëshmonte së paku 60 për qind. Kjo do të thotë: 375,000 × 60% = 225,000 euro.Pra, lideri duhej të kishte së paku 225 mijë euro kontrata të ngjashme.
Sipas ankuesit, vetëm dy kontrata të liderit mund të konsideroheshin realisht të lidhura me natyrën e këtij tenderi: njëra prej 80 mijë eurosh dhe tjetra, “Parku në Kalabri – Faza I, Mobilizimi dhe Demolimi i strukturave të betonit”, prej 80,850 eurosh. Gjithsej 160,850 euro.
Nëse ky interpretim është i saktë, liderit do t’i mungonin 64,150 euro për ta arritur minimumin prej 225 mijë eurosh.
Ankuesi pretendon gjithashtu se kjo mangësi nuk mund të mbulohej me referencat e partnerit AAB Construction, edhe pse ato kapnin mbi katër milionë euro, sepse kriteri prej 60 për qind ishte përcaktuar posaçërisht për liderin e grupit.
Nëse kjo vërtetohet, nuk do të bëhej fjalë për një presje të gabuar apo dokument formal, por për pyetjen nëse lideri e plotësonte fare një prej kritereve bazë të tenderit.
Kërkoheshin katër punëtorë- ankuesi thotë se lideri dëshmonte vetëm tre
Një tjetër pretendim lidhet me kapacitetin njerëzor.
Sipas ankesës, lideri duhej të kishte minimum katër punëtorë.
Në dokumentacion figuronin shtatë persona. Mirëpo, “Company Murseli” kundërshton mënyrën se si janë llogaritur ata.
Sipas ankuesit, dy ishin inxhinierë dhe pjesë e stafit profesional, ndërsa Ermal Syla dhe Shaip Syla figuronin si pronar/shef dhe nuk ishte dëshmuar, sipas interpretimit të ankuesit, se mund të llogariteshin si punëtorë sipas kërkesës konkrete të tenderit.
Pas përjashtimit të këtyre kategorive, sipas ankesës, mbeteshin vetëm:
Dren Elshani, Endrit Maliqaj dhe Fadil Balaj.
Pra, tre punëtorë për një kriter që kërkonte minimum katër.
Nëse ky pretendim qëndron, edhe kjo do të prekte kapacitetin teknik dhe profesional të operatorit të rekomanduar.
Inxhinieri i Mjedisit, çfarë thotë diploma dhe çfarë thotë licenca?
Pretendimi tjetër kërkon më shumë kujdes.
Dosja, sipas ankesës, kërkonte Inxhinier të Mjedisit, Bachelor ose Master, të certifikuar/licencuar nga OIK. Për këtë pozitë ishte propozuar Arlinda Cakaj.
Ankuesi pretendon se dokumentacioni i saj nuk e përmbushte kriterin.
Megjithatë, dokumentet e bashkëngjitura tregojnë një situatë që duhet verifikuar profesionalisht dhe nuk duhet paragjykuar.
Në diplomë figuron “Programi Inxhinieri e Ambientit”, ndërsa titulli i fituar është “Bachelor i Ndërtimtarisë”. Në licencën e bashkëngjitur, ndërkaq, drejtimi figuron “Inxhinieri dhe Teknologji”.
Prandaj, këtu dilema nuk duhet shtruar nëse personi “ka apo nuk ka diplomë”, por nëse kombinimi konkret i diplomës dhe licencës përmbush saktësisht kriterin që Autoriteti Kontraktues kishte vendosur për Inxhinierin e Mjedisit.
Këtë mund ta përcaktojë në mënyrë përfundimtare institucioni kompetent.
Edhe makineritë u bënë objekt i ankesës
Tenderi kërkonte gjithashtu pajisje dhe makineri për realizimin e kontratës.
Sipas ankesës, ato duhej të dëshmoheshin me dokumentacion përkatës, si libreza valide, dokumente doganore, fatura blerjeje apo kontrata qiraje.
Ankuesi nuk pretendon thjesht se operatori nuk kishte paraqitur asnjë dokument për makineritë.
Pretendimi është më specifik: sipas tij, dokumentacioni i paraqitur nuk e identifikonte listën si listë të pajisjeve të destinuara për këtë tender konkret, pasi mungonin titulli i kontratës, numri i prokurimit apo një element tjetër identifikues që e lidhte atë drejtpërdrejt me aktivitetin.
Për këtë arsye, “Company Murseli” pretendon se nuk mund të përcaktohej qartë nëse pajisjet e deklaruara ishin vënë në dispozicion pikërisht për realizimin e këtij tenderi.
Pse Komuna nuk reagoi herën e parë?
Të gjitha këto pretendime nuk mund të paraqiten si shkelje të konstatuara pa një vendim të organit kompetent.
Por problemi për Komunën e Fushë Kosovës nuk përfundon te dyshimi nëse ankuesi ka apo nuk ka të drejtë për secilin pretendim.
Problemi është edhe kronologjia e veprimeve të vetë Komunës.
Kompania e kishte ngritur çështjen te Autoriteti Kontraktues më 17 gusht. Komuna kishte marrë vendim më 19 gusht. Megjithatë, procedura vazhdoi dhe kontrata arriti deri në fazën kur nënshkrimi ishte planifikuar për 2 shtator.
Vetëm pasi kompania nuk u ndal aty dhe e dërgoi çështjen në OSHP më 31 gusht, dhënia e kontratës u anulua.
