Një projekt i Komunës së Prishtinës, i hapur që në qershor të vitit 2025, ka përfunduar i anuluar në tërësi pas më shumë se gjashtë muajsh zvarritje institucionale, korrigjimesh të dyshimta dhe shkeljesh të rënda ligjore. Vendimi final i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i marrë vetëm në janar 2026, vë në pah jo vetëm veprimet kundërligjore të Komunës gjatë procedurës së prokurimit, por edhe neglizhencën e vet Panelit të OSHP-së, e cila për muaj të tërë e ka lënë procesin pezull, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e Prishtinës e ka publikuar njoftimin për kontratë më 16 qershor 2025 për projektin “Ndërtimi i tribunës Flamurtari”, me vlerë të parashikuar mbi 142 mijë euro. Gjatë zhvillimit të procedurës, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, ndërsa Komuna ka bërë disa korrigjime të njëpasnjëshme të njoftimit për kontratë, veprim ky që, sipas praktikës së prokurimit publik, shpesh shërben për t’i përshtatur kriteret në favor të një operatori të caktuar.
Më 20 gusht 2025, Komuna shpalli fituese kompaninë “AGE Group” SH.P.K., ndonëse dokumentacioni i ofertës së saj rezulton të ketë qenë i mbushur me mospërputhje serioze, si kontrata referuese jashtë afateve të lejuara, autorizime të përgjithshme e jo sipas pozicioneve të kërkuara, katalogë teknikë të papërshtatshëm dhe pajisje me dokumentacion të pavlefshëm. Të gjitha këto shkelje janë evidentuar në raportin e ekspertit të OSHP-së, i cili kishte rekomanduar anulimin e vendimit për dhënie kontrate dhe kthimin e lëndës në rivlerësim.
Megjithatë, Komuna jo vetëm që i ka injoruar këto gjetje, por ka refuzuar edhe kërkesën për rishqyrtim të operatorit ankues “Ar-Driti”, pa i trajtuar realisht pretendimet e ngritura, veprim që OSHP e ka konsideruar problematik në arsyetimin e tij.
OSHP e zvarriti rastin për katër muaj
Edhe më shqetësuese se veprimet e Komunës, sipas dokumentit zyrtar, është mënyra se si Paneli i OSHP-së ka trajtuar ankesën. Ankesa e operatorit “Ar-Driti” është dorëzuar më 11 shtator 2025, ndërsa raporti i ekspertit është finalizuar më 29 shtator 2025, duke rekomanduar qartë anulimin e vendimit për dhënie kontrate dhe rivlerësim të procedurës.
Pavarësisht kësaj, Paneli i OSHP-së nuk ka marrë asnjë vendim për më shumë se katër muaj, duke e nxjerrë vendimin final vetëm më 13 janar 2026. Gjatë kësaj periudhe, procedura ka mbetur pezull, duke i lënë hapësirë Komunës që ta mbajë procesin nën kontroll administrativ, pa përgjegjësi reale. Mbi të gjitha duke e mbajtur projektorin të bllokuar.
Në vendimin përfundimtar, Paneli pranon se të gjithë operatorët kanë dorëzuar oferta të papërgjegjshme, përfshirë edhe atë të shpallur fituese nga Komuna, dhe për këtë arsye urdhëron anulimin e plotë të aktivitetit të prokurimit. Ky konstatim e bën edhe më problematik faktin se pse OSHP ka vonuar vendimin për muaj të tërë, ndonëse shkeljet ishin të dokumentuara herët.
Komuna ka anuluar ne tersi aktivitetin e prokurimit. /Kujdestari.info/