E hënë, 18 Gusht, 2025

Tenderi i rrugëve në Shtime me çmime thuajse identike – dyshime për mungesë gare reale

Ndaj

Komuna e Shtimes ka zhvilluar një procedurë prokurimi për asfaltimin e tri grupeve të rrugëve, me vlerë të parashikuar rreth 1 milion euro. Për Lotin I dhe Lotin II, autoriteti kontraktues kishte paraparë nga 350 mijë euro, ndërsa për Lotin III rreth 300 mijë euro.

Fiks 1 milionë euro jenë paraparë për tenderin “Asfaltimi i rrugëve Adem Jashari, Tahir Sinani, Hysiqi 2 dhe Berlini. Komuna e Shtimes, Asfaltimi i rrugëve Hysiqi 2 Lot-I. Asfaltimi i rrugës Berlini Lot-II. Asfaltimi i rrugëve Adem Jashari, Tahir Sinani Lot-III”.

Në shpalljen e fituesve, vërehet se ofertat e operatorëve ekonomikë kanë dalë pothuajse identike me njëra-tjetrën dhe shumë afër shumës së parashikuar nga vetë komuna. Për Lotin I, kompania Rahovica Comerce ka ofruar 349,860 euro; për Lotin II, po e njëjta kompani ka ofruar 349,870 euro; ndërsa për Lotin III, konsorciumi Papenburg & Adriani Company ka ofruar 349,860 euro. Diferenca mes këtyre çmimeve është vetëm 10 euro. Të tria janë shpall fitues.

Krahas këtyre, një kompani tjetër, Quality Asphalt, kishte ofertuar me 351,197 euro për Lotin I dhe 365,657 euro për Lotin II, por është eliminuar nga gara pasi nuk rezultoi me çmimin më të ulët.

Përputhja kaq e afërt e çmimeve mes operatorëve fitues ngrit dyshime nëse në këtë tender ka pasur konkurrencë të vërtetë, apo nëse kompanitë mund të kenë ndjekur një logjikë të koordinuar në ofertim. Praktikat e ngjashme, të njohura si “koordinim i ofertave” apo “bid rigging”, konsiderohen nga ligji si shkelje serioze e konkurrencës, megjithëse për një përfundim të tillë nevojitet hetim nga autoritetet përkatëse.

Komuna e Shtimes, në njoftimin e saj zyrtar, ka shpallur fituesit në bazë të kriterit “çmimi më i ulët”, por mbetet e paqartë pse tri oferta të ndryshme kanë dalë kaq të afërta mes vete dhe pothuajse identike me shumën e planifikuar paraprakisht nga autoriteti kontraktues. Lot I dhe III, krejt identike 349, 860.00 euro, shkruan Demokracia.

Rasti i tenderit në Komunën e Shtimes, ku tri oferta të shpallura fituese kanë dalë pothuajse identike me njëra-tjetrën dhe shumë afër shumës së planifikuar nga autoriteti kontraktues, potencialisht mund të jetë subjekt shqyrtimi edhe për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKRK).

Ky autoritet, disa muaj më parë, ka publikuar një dokument të titulluar “Mendim profesional për marrëveshjet e fshehta në prokurimin publik”, duke paralajmëruar se manipulimi i ofertave (i njohur si bid rigging) përbën një nga format më të dëmshme të marrëveshjeve të ndaluara në treg.

Sipas këtij mendimi, manipulimi i ofertave është një praktikë e paligjshme ku palët konkurruese bashkëpunojnë për të përcaktuar fituesin e tenderit. Ky veprim, i ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës nr. 08/L-056, minon garën e lirë, dëmton taksapaguesit dhe çon në përdorim joefikas të fondeve publike.

AKK ka theksuar se ndërveprimi midis politikave të konkurrencës dhe prokurimit publik është domosdoshmëri, pikërisht për të parandaluar rastet ku operatorët ekonomikë, në vend se të konkurrojnë realisht, mund të koordinojnë ofertat dhe të ndajnë paraprakisht tregun ose kontratat.

Duke marrë parasysh përputhjen e ngushtë të çmimeve në tenderin e Shtimes dhe dallimin minimal prej vetëm 10 eurosh mes dy loteve, dy tjerët krejt identik, ky rast mund të shihet si një shembull tipik që kërkon vëmendje nga Autoriteti i Konkurrencës, në mënyrë që të sqarohet nëse kemi të bëjmë vetëm me rastësi apo me elemente të një marrëveshjeje të ndaluar.

Lexo më shumë

Të tjera