Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar brenda një dite të vetme procedurën e prokurimit për Sigurimin Fizik të Objekteve të QKUK-së, duke ngritur dyshime te mëdha mbi mënyrën e zhvillimit dhe vlerësimit të ofertave. Bëhet fjalë për një procedurë me negociim pa publikim të njoftimit për kontratë, çka në vetvete kufizon transparencën dhe konkurrencën, shkruan Kujdestari.info.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në platformën e E-prokurimit, njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar më 5 shkurt 2026, ndërsa dokumenti është ngarkuar në sistem në fund të po asaj dite, rreth orës 24:00. Nënshkrimi i kontratës është planifikuar për 6 shkurt 2026, vetëm një ditë më pas. Sot (10 shkurt), është ngutur në sistemin e E-porkurimit edhe dokumenti “njoftim për nënshkrimin e kontratës”.

Nga dokumentacioni zyrtar rezulton se dosja e tenderit është ngarkuar në E-prokurim më 5 shkurt në orën 12:02, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave ka qenë po atë ditë, deri në orën 13:00. E njëjta orë është përcaktuar edhe si orë e hapjes së ofertave.
Vetëm dy orë e 22 minuta më vonë, konkretisht në orën 15:22, QKUK ka publikuar Njoftimin mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues, duke shpallur fituesin dhe duke dhënë arsyetimin për eliminimin e dy ofertave të tjera.

Kjo nënkupton se hapja, shqyrtimi, vlerësimi teknik dhe financiar, si dhe marrja e vendimit për një kontratë mbi 1 milion euro janë kryer brenda rreth dy orësh, fakt që ngre dyshime serioze mbi thellësinë, profesionalizmin dhe seriozitetin e vlerësimit të ofertave.

Ndërkohë, sipas dokumenteve të tenderit, bazuar në “Kërkesat e përshtatshmërisë – Kërkesa 1”, operatorët ekonomikë ishin të obliguar të përmbushnin kushtet e përcaktuara në nenin 65 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Aty parashihet qartë se afati për dorëzimin e dokumentacionit shtesë është pesë (5) ditë nga marrja e njoftimit për synimin e dhënies së kontratës, me paralajmërimin se mosdorëzimi i dokumenteve brenda këtij afati do të rezultonte në refuzim të ofertës dhe konfiskim të garancisë.
Megjithatë, në këtë rast, ky rregull i vendosur nga vetë Autoriteti Kontraktues nuk rezulton të jetë respektuar, pasi e gjithë procedura është zhvilluar dhe përmbyllur brenda një afati shumë më të shkurtër sesa ai i paraparë në dokumentacionin zyrtar.

Në këtë procedurë kanë marrë pjesë vetëm tre operatorë ekonomikë. Pra, ftesat për ofertim janë dërguar vetëm tek këto kompani nga Autoriteti Kontraktues, përkatësisht Zyra e Prokurimit e QKUK-së, e drejtuar nga Besnik Canaj.
Vlera dhe diferencat në oferta
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1,005,000.00 euro, me kohëzgjatje pesë (5) muaj. Ofertat e paraqitura kanë qenë:
DEFENCE SECURITY SH.P.K., Prishtinë- 1,002,349.35 euro (oferta më e ulët dhe e shpallur fituese)
Bold Security SH.P.K., Vushtrri – 1,074,870.75 euro
SECURITY GROUP SH.P.K., Prishtinë – 1,079,386.46 euro
Sipas të dhënave zyrtare, oferta më e lartë e përgjegjshme arrinte vlerën 1,080,050.85 euro.
Dy operatorët e eliminuar kanë ofertuar shuma mbi vlerën e parashikuar, por me diferenca relativisht të vogla. Bold Security SH.P.K. ka ofertuar 69,870.75 euro më shumë se vlera e parashikuar dhe 72,521.40 euro më shumë se oferta fituese, ndërsa SECURITY GROUP SH.P.K. ka ofertuar 74,386.46 euro mbi vlerën e parashikuar dhe 77,037.11 euro më shumë se oferta fituese. Diferenca ndërmjet dy ofertave të eliminuara është vetëm 4,515.71 euro, çka tregon se ofertat kanë qenë shumë të afërta financiarisht.
Sipas vendimit të QKUK-së, të dyja ofertat janë vlerësuar si të përgjegjshme, por janë eliminuar për shkak se oferta tjetër ka pasur çmim më të ulët.
Kompanitë dhe lidhjet e tyre
Kompania fituese DEFENCE SECURITY SH.P.K., sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), figuron në pronësi të Bekim Hotit dhe është themeluar më 24 shkurt 2023. Hoti njihet si aktivist i NISMA Socialdemokrate dhe ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa më herët ka shërbyer si asamblist në periudhën 2014-2018.
Bold Security SH.P.K. është themeluar më 13 tetor 2022 dhe figuron në pronësi të Arbenita Azemit, ndërsa SECURITY GROUP SH.P.K. është themeluar më 16 prill 2025, rreth 10 muaj para shpalljes së tenderit, dhe ka për pronar Etnik Lladrovcin.
Sipas hulumtimit të Kujdestari.info, asnjëra nga dy kompanitë e eliminuara nuk ka pasur ndonjëherë kontratë me QKUK-në.
Një element tjetër që ngre dyshime është fakti se të tri kompanitë pjesëmarrëse dyshohet se kanë një menaxher të përbashkët, të quajtur Islam Ramaj, rrethanë kjo që vë në pikëpyetje konkurrencën reale në këtë procedurë.
Ky tender vjen pas dështimit të një tenderi të hapur me vlerë 6,800,000.00 euro për tre vjet, të titulluar “RITENDER – Sigurimi Fizik i Objekteve brenda QKUK-së”. Ky proces ka zgjatur rreth një vit e gjysmë, duke kaluar disa herë mes OSHP-së dhe Autoritetit Kontraktues, derisa në fund është anuluar në tërësi, ndonëse ishte hapur që më 3 gusht 2024.
Nga ky ritender rezulton se asnjëra nga kompanitë që kishin qenë në garë më parë, përveç asaj të rekomanduar për kontratë, nuk është përfshirë në këtë procedurë të re me negocim.

Madje, ftesa nuk i është dërguar as kompanisë SIG SH.P.K., e cila deri më 5 shkurt 2026 ka ofruar shërbime sigurimi për QKUK-në përmes procedurës së negociuar pa publikim njoftimi. Kjo praktikë bie ndesh me nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili përcakton qartë parimin e barazisë në trajtim dhe mosdiskriminimit, duke ndaluar çdo veprim që redukton ose eliminon konkurrencën.
Kujdestari.info ka dërguar një mori pyetjesh në Zyrën e Prokurimit dhe Zyrën e Informimit të QKUK-së.

Shef i Sektorit të Prokurimit në QKUK, Besnik Cenaj ka dhënë një përgjigje të shkurtër. “Meqenëse ky aktivitet i prokurimit është ne procedure e sipër, kërkoj qe deri ne përmbylljen e tij, te na mirëkuptoni duke e pritur përmbylljen e këtij aktiviteti te prokurimit”, ka thënë ai shkurte në një përgjigje me shkrim për Kujdestari.info.
Nuk është e qartë se për cilën procedurë tenderuese në finalizim bëhet fjalë, siç pretendon udhëheqësi i prokurimit. Kjo pasi Kujdestari.info ka vërejtur sot se kontrata tashmë është e ngritur në sistemin e e-Prokurimit dhe shihet se nënshkrimet mbi të janë vendosur një ditë pas finalizimit të krejt procedurës, konkretisht më 6 shkurt. (KONTRATA)
Përgjigje nuk kanë kthyer as njëra nga tri kompanitë e përfshira në proces, lidhur me rolin e Islam Ramajt. /Kujdestari.info


