Tender

Tenderi i dyshimtë i KOSTT-it që nisi me 3 milionë dhe përfundoi në 8 milionë euro

Nga Kujdestari Media

KOSTT nuk ka dhënë sqarime të detajuara se pse tenderit për furnizim me një nënstacion mobil iu rrit vlera nga 3 milionë në mbi 8 milionë euro. Për të njëjtën pajisje dhe me të njëjtat specifika si të KOSTT-it, një prodhues i njohur në Kinë ka dhënë një çmim prej 2.5 milionë euro. Dokumentet e brendshme që ka siguruar Buletini Ekonomik ngrenë dyshime për mundësinë e keqpërdorimeve.

Një tenderi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, i projektuar fillimisht brenda zyreve të kësaj ndërmarrje për 3 milionë euro, i është rritur vlera në mënyrë të dyshimtë në mbi 8 milionë euro. Krejt kjo ka ndodhur brenda një periudhe gjashtëmujore.

Fjala është për tenderin për furnizim me Nënstacion Mobil, i shpallur nga KOSTT më 7 tetor të këtij viti, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 8 milionë e 20 mijë eurosh, pra gati trefish më lartë se që ishte paraparë fillimisht.

Nënstacioni mobil, i cili është në procedurë tenderuese, është një sistem i lëvizshëm që përdoret për të transformuar tensionin e energjisë elektrike dhe për të mundësuar furnizimin e rrjetit. Ai zakonisht vendoset mbi një platformë (kamion) transportuese dhe mund të zhvendoset nga një lokacion në tjetrin.

Njoftimi për kontratë i KOSTT

Nënstacione të tilla përdoren kryesisht në raste emergjente, gjatë prishjeve të pajisjeve ekzistuese, gjatë punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit ose kur nevojitet përkohësisht kapacitet shtesë për furnizim me energji elektrike.

Në rastin e tenderit të KOSTT-it, bëhet fjalë për një nënstacion mobil me kapacitet transformimi prej 31.5 megavolt-amperësh (MVA), i cili mund të ulë tensionin e energjisë elektrike nga 110 kilovoltë (kV) në 10 ose 20 kilovoltë, për ta përshtatur atë për rrjetin e shpërndarjes.

“Nënstacioni Mobil do të përfshijë transformatorin e fuqisë 110 10(20) kV, 31.5 MVA, fushën 110 kV HIS, kthinat 10(20) kV, pajisjet e matjes, sistemet e mbrojtjes dhe kontrollit, sistemet ndihmëse AC DC dhe rimorkion e projektuar për transportimin dhe integrimin e pajisjeve”, është përshkrimi i KOSTT për këtë lloj pajisje.

Projekti u nis për 3 milionë euro

Historiku i këtij tenderi fillon më 28 janar kur KOSTT kishte dorëzuar Aplikimin për të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2026 në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ku specifikat ishin më ndryshe.

Aty KOSTT-i kishte kërkuar përfshirjen e projektit për furnizim me nënstacion mobil për nivelin e tensionit 110/35/10(20) kV, duke e paraqitur atë si nevojë të domosdoshme strategjike.

Duke iu referuar analizave teknike dhe vlerësimeve të tregut, KOSTT vlerësonte se furnizimi me një nënstacion të tillë kushtonte rreth 3 milionë euro. Në këtë çmim përfshihej transformatori i fuqisë, fushat e tensionit të lartë dhe të mesëm, pajisjet mbrojtëse dhe komanduese, si dhe integrimi i plotë i të gjitha komponentëve në një platformë mobile (rimorkio).

“Si përfundim, investimi në një nënstacion mobil 110/35/10(20) kV është i arsyetuar teknikisht dhe ekonomikisht, dhe përfaqëson një masë të rëndësishme për rritjen e besueshmërisë, fleksibilitetit dhe sigurisë së operimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Vlera e projektit është; 3,000,000.00€”, arsyetonte KOSTT.

Dokumenti i KOSTT-it drejtuar ZRrE-së, ku vlera e projektit ishte 3 milionë euro

Më 10 prill, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kishte publikuar Raportin Konsultativ. Në këtë raport, ZRrE theksonte se si projekti për nënstacionin mobil ishte projekt i ri dhe se nuk ishte i përfshirë as në planet zhvillimore të transmetimit, që është parakusht për t’u konsideruar në kuadër të procesit tarifor.

“Për rrjedhojë, ZRrE vlerëson se projektet e mëposhtme nuk mund të konsiderohen për miratim në parim në këtë fazë të procesit tarifor, derisa të përfshihen dhe të aprovohen në planet zhvillimore përkatëse të transmetimit”, thuhet në raport.

Raporti Konsultativ i ZRRE-së

Katër ditë më pas, më 14 prill, sipas komunikimeve të brendshme brenda KOSTT-it, që i ka siguruar Buletini Ekonomik, Drejtoresha e Departamentit për Çështje Rregullative dhe Tarifa, Fëllënëza Xhelili Fiqi, e përcjell Raportin Konsultativ dhe kërkon nga drejtorët e departamenteve që t’i dërgojnë komentet ndaj raportit.

Sami Hysenaj, Drejtor i Departamentit për Operim të Transmisionit, i dërgon arsyetimet shtesë për dy projektet e inicuara nga ky department, njëri prej të cilëve është nënstacioni mobil.

Arsyetimi shtesë i tij është identik me atë tek Aplikimi për të Hyrat.

Tek e-maili, ai e rendit si më emergjent projektin “Rindërtimi i Linjës Kabllore 6.3kV NS Kosova B – TC Kosova B”.

Nga kërkesa fillestare për një nënstacion mobil, KOSTT-i kërkoi pastaj dy

Më 24 prill, KOSTT dorëzoi në ZRrE komentet ndaj Raportit Konsultativ.

Ndonëse kërkesa fillestare ishte për një nënstacion mobil, edhe pse si projekt nuk ishte i përfshirë në planin zhvillimor, tani KOSTT-i e paraqiste si kërkesë furnizimin me dy nënstacione mobile.

Kostoja nga 3 milionë euro, tani do të shkonte në 6 milionë euro, sipas vlerësimit 3 milionë euro për një nënstacion.

Komentet e KOSTT-it ndaj Raportit Konsultativ të ZRrE-së. Tani përmenden dy nënstacione mobile

Por, më poshtë në komente, KOSTT kthehet sërish tek furnizimi me një nënstacion, duke e paraqitur atë si masë të domosdoshme parandaluese dhe strategjike për mbrojtjen e sistemit elektroenergjetik.

Si përfitime renditeshin: reduktimi i kohës së reagimit në rast avarie, nga muaj në ditë ose javë; shmangia e ndërprerjeve të gjata përmes sigurimit të furnzimit të përkohshëm, rritjen e fleksibilitetit operativ dhe mundësinë e rikonfigurimit të rrjetit, mbështetjen e mirëmbajtjes së planifikuar pa ndërprerje të furnizimit, menaxhimin më efikas të ngarkesave sezonale dhe emergjente si dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit ndaj ngjarjeve të paparashikuara.

Sipas KOSTT-it, investimi rreth 3 milionësh për këtë projekt është i arsyeshëm në raport me kostot potenciale të një ndërprerjeje të zgjatur të energjisë elektrike, të cilat mund të jenë shumëfish më të larta.

“Realizimi i këtij projekti është një hap i domosdoshëm drejt garantimit të sigurisë energjetike, stabilitetit ekonomik dhe funksionimit të qëndrueshëm të infrastrukturës kritike të vendit”, theksohej tek komentet e dërguara në ZRrE.

Kostoja për nënstacion sërish paraqitet 3 milionë euro

ZRrE ia ofroi dy opsione

Më 5 maj, Rregullatori publikon Raportin Final lidhur me Përshtatjet Vjetore për të Hyrat e Lejuara Maksimale.

Edhe në këtë raport, ZRrE ia rikujton KOSTT-it se prokurimi i dy nënstacioneve mobile nuk është i përfshirë në Planin Zhvillimor të Transmetimit të miratuar.

ZRrE i ofronte dy opsione KOSTT-it. Njëri ishte që t’i financojë këtë dhe dy projektet tjera menjëherë, dhe më vonë, të kërkojë që rregullatori t’ia njohë ato ose t’i propozojë në planin e ardhshëm të zhvillimit dhe t’i realizojë pas miratimit të tyre për periudhën e ardhshme pesëvjeçare rregullatore.

“Projekti i dy nënstacioneve mobile, edhe pse aktualisht nuk është i përfshirë në planet zhvillimore apo investive të miratuara, në parim konsiderohet si investim i nevojshëm dhe pritet të përfshihet në planet përkatëse nga viti 2027 dhe RAB ku të hyjnë në operim. Megjithatë, ZRRE nuk propozon të përfshijë lejim për këto dy projekte në këtë fazë, pasi datat e planifikuara të vënies në funksion janë pas vitit 2026 dhe projektet nuk janë ende pjesë e një plani të miratuar”, theksonte ZRrE në raport.

Raporti Final i ZRrE-së

Si shkoi kostoja e tenderit në 8 milionë e 20 mijë euro?

Rreth dy muaj pas Raportit Final të ZRrE-së, brenda KOSTT-it kishte qarkulluar sërish projekti për nënstacionin mobil. Por, tani kostoja ishte gati trefish më e lartë.

Mëngjesin e 31 korrikut, sipas komunikimeve të brendshme të siguruara nga Buletini Ekonomik, menaxherja e Sektorit të Kontabilitetit, Ganimete Sahiti Ahmetaj, kishte dërguar një e-mail ku kërkonte t’i konfirmohej nëse disa projekte janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në tabelën e dërguar ishin tri projekte. Furnizimi me nënstacion mobil ishte i fundit, dhe tani me kosto të re: 8 milionë e 20 mijë euro.

Edhe pse në fillim ky ishte projekt i inicuar nga Departamenti për Operim të Transmisionit, tani tek tabela figuronte si projekt i Departamentit për Zhvillim të Rrjetit.

Më 7 tetor, KOSTT e shpall tenderin për “Furnizim me Nënstacion Mobil 110 10(20) kV me Transformator Fuqie 31.5 MVA”.

Vlera e parashikuar e kontratës, sipas njoftimit, është 8 milionë e 20 mijë euro, ndërsa kohëzgjatja 18 muaj.

Buletini Ekonomik e ka pyetur KOSTT-in si ka ardhur deri tek vlera më lartë.

Por, KOSTT-i nuk e ka sqaruar se si ka ardhur deri tek kjo shumë detajisht, por ka dhënë vetëm një përgjigje të përgjithshme.

Në përgjigje thuhet se sipas një vlerësimi paraprak orientues të kostos, kjo shumë është parashikuar për skenarin e furnizimit sipas modelit “çelësa në dorë”. Ky është një model ku kontraktori e realizon të gjithë projektin nga fillimi deri në përfundim, duke ia dorëzuar klientit të gatshëm për përdorim.

“KOSTT ka realizuar një vlerësim paraprak orientues të kostos, duke shqyrtuar disa skenarë të mundshëm. Bazuar në këtë vlerësim, shuma prej 8.020.000 eurosh është parashikuar për skenarin e furnizimit sipas modelit “çelësa në dorë” (Turnkey), duke përfshirë edhe komisionimin”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Kompania kineze e ofron një pajisje të tillë me çmim rreth 2.5 milionë euro

Buletini Ekonomik ka hulumtuar për çmimin e tregut për një pajisje të tillë. Për të pasur më të qartë se sa mund të kushtojë një nënstacion mobil, mediumi ka kërkuar oferta nga mbi dhjetë kompani ndërkombëtare që prodhojnë nënstacione të tilla.

Përgjigje ndaj kërkesës ka kthyer kompania kineze “bujuan.tech”, e cila ka pasur parasysh të gjitha specifikacat e përcaktuar nga KOSTT.

Çmimi që ka ofruar është 2 milionë e 538 mijë e 600 euro.

“Kjo është një ofertë buxhetore/indikative, e bazuar në vlerësimin aktual të kostove tona inxhinierike; çmimet përfundimtare do të konfirmohen pas pranimit të ofertave zyrtare nga prodhuesit tanë”, thuhet në ofertë.

Oferta e kompanisë kineze

Dorëzimi i pajisjes, sipas ofertës, figuron se mund të bëhet 10 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

Një kompani japoneze, së cilës i është kërkuar ofertë, ka deklaruar se aktualisht nuk mund të marrin përsipër projekte të reja, pa ofruar çmim.

“Për shkak të ngarkesës së lartë aktuale të prodhimit në fabrikën tonë të transformatorëve, përkohësisht nuk kemi mundësi të marrim përsipër projekte të reja për transformatorë mobil”.

Ilustrim: Si duket pajisja me specifika të ngjashme që po e kërkon KOSTT-i, së bashku me rimorkion për transport

Ndërkaq, kompanitë e tjera të kontaktuara nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Ky tender është ende në procedurë prokurimi. Afati i fundit për dorëzim të ofertave fillimisht ka qenë 30 tetori, por që më pas afati është zgjatur deri më 6 nëntor. /Buletini Ekonomik/