Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka rekomanduar anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës në një tender të Komunës së Pejës. Megjithatë, Paneli Shqyrtues i OSHP-sw ende nuk ka publikuar vendim përfundimtar, ndërsa procedura e prokurimit vazhdon të figurojë e pezulluar, shkruan Kujdestari.info.
Bëhet fjalë për tenderin për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës Sejnovë-Gjorë, pjesa II, përkatësisht LOT 8 të projektit për asfaltimin e rrugëve në Komunën e Pejës, me numër prokurimi 635-26-3347-5-1-1.
Sipas dokumenteve të siguruara, Komuna e Pejës kishte rekomanduar për kontratë konsorciumin e përbërë nga kompanitë DOREARTI SH.P.K. dhe LANI-AL SH.P.K.
Por ky vendim ishte kundërshtuar nga operatori ekonomik N.T. “Fer-Petroll”, i cili më 17 gusht 2026 kishte paraqitur ankesë në OSHP, duke pretenduar se Komuna e Pejës kishte bërë shkelje gjatë vlerësimit të ofertave.
Për shqyrtimin e kësaj ankese ishte angazhuar eksperti Kushtrim Myftari, i cili më 27 gusht 2026 dorëzoi raportin e ekspertizës.
Në raportin prej 58 faqesh, eksperti ka identifikuar mangësi në dokumentacionin e stafit profesional të konsorciumit të rekomanduar për kontratë, duke konstatuar se disa nga kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit nuk ishin përmbushur.
Eksperti konstatoi mungesë të certifikatave dhe dëshmive për stafin profesional
Një nga konstatimet e ekspertit lidhet me pozitën e inxhinierit të infrastrukturës rrugore.
Sipas raportit, për këtë pozitë ishte kërkuar certifikata për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), mirëpo dokumentacioni i paraqitur nga konsorciumi i rekomanduar nuk përmbante certifikatën e kërkuar.
Eksperti konstatoi se ishin dorëzuar dokumente të tjera profesionale, por jo certifikata e përcaktuar në kushtet e tenderit.
Një tjetër mangësi u identifikua te pozita e inxhinierit të ambientit. Eksperti konstatoi se certifikata përkatëse kishte skaduar më 27 tetor 2025, pra përpara zhvillimit të procedurës së prokurimit në vitin 2026.
Për të dyja këto çështje, eksperti vlerësoi se kërkesat e autoritetit kontraktues nuk ishin përmbushur dhe se pretendimet përkatëse të operatorit ankues ishin të bazuara.
Raporti identifikon gjithashtu mungesë të dëshmive për përvojën e punës për një pozitë tjetër profesionale, atë të masterit të hidroteknikës. (RAPORTI)
Eksperti rekomandoi anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës
Pavarësisht se një pjesë të pretendimeve të operatorit ankues i vlerësoi të pabazuara, eksperti shqyrtues konstatoi mangësi që, sipas tij, kërkonin trajtim gjatë rivlerësimit të ofertave.
Në përfundim të raportit, ai rekomandoi që ankesa të aprovohej si pjesërisht e bazuar, të anulohej njoftimi për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehej në rivlerësim.
Megjithatë, ky rekomandim nuk përbën vendim përfundimtar. Kompetencën për të vendosur mbi ankesën e ka Paneli Shqyrtues i OSHP-së.
Kaluan dy muaj, Paneli Shqyrtues ende pa vendim të publikuar
Megjithëse raporti i ekspertit ishte dorëzuar më 27 gusht, deri më 27 tetor 2026 në portalin zyrtar të OSHP-së nuk figuron vendim i publikuar nga Paneli Shqyrtues për këtë ankesë.
Në të dhënat publike, lënda me numër 606/26 vazhdon të figurojë me statusin “Në proces”.
Ligji për Prokurimin Publik përcakton afate për trajtimin e ankesave dhe nxjerrjen e vendimeve.
Sipas nenit 117, OSHP-ja duhet të nxjerrë vendimin përfundimtar brenda 15 ditëve nga përfundimi i fazave procedurale të përcaktuara me ligj. Për rastet veçanërisht të ndërlikuara, ligji lejon zgjatjen e këtij afati për jo më shumë se 20 ditë shtesë.
Megjithatë, nga të dhënat e publikuara nuk është e qartë nëse Paneli Shqyrtues ka ndërmarrë ndonjë veprim procedural që do të ndikonte në llogaritjen e afatit përfundimtar.
Ndërkohë, procedura e prokurimit vazhdon të figurojë e pezulluar për shkak të ankesës.
Ligji për Prokurimin Publik parashikon që paraqitja e një ankese sjell, si rregull, pezullimin automatik të aktivitetit të prokurimit, përveç rasteve kur merret vendim për heqjen e këtij pezullimi.
Kjo do të thotë se vonesa në përfundimin e shqyrtimit të ankesës mund të ndikojë edhe në vazhdimin e procedurave për realizimin e projektit rrugor.
Vendimi përfundimtar i OSHP-së pritet të përcaktojë nëse njoftimi për dhënie të kontratës do të anulohet dhe nëse tenderi do të kthehet në rivlerësim, ashtu siç ka rekomanduar eksperti. /Kujdestari.info/