Tenderi milionësh i ndërmarrjes publike “Trafiku Urban” për furnizimin me naftë ka përfunduar pa fitues, shkruan Kujdestari.info.
Bëhet fjalë për një prej kontratave më të mëdha të furnizimit të kësaj ndërmarrjeje me 5 milionë e 100 mijë litra naftë për një periudhë prej 36 muajsh, me vlerë të parashikuar prej 8 milionë e 100 mijë eurosh.
Procedura me titulluar “Furnizim me naftë”, ishte iniciuar si procedurë e hapur. Njoftimi ishte dorëzuar në KRPP më 8 qershor 2026, ndërsa afati për ofertim ishte caktuar më 20 korrik.
Megjithatë, dokumentet e siguruara tregojnë se gara për kontratën 8.1 milionëshe përfundoi me anulim.
Në garë kishin hyrë IP-KOS SH.P.K., me ofertë prej 7,806,549.60 euro, dhe grupi i operatorëve ekonomikë HIB PETROL SH.P.K.-HIB Distribution SH.P.K., me ofertë prej 8,039,446.20 euro. (Dokument)
Sipas vendimit të Trafikut Urban të datës 5 gusht 2026, procedura është anuluar me arsyetimin se operatorët ekonomikë kishin dorëzuar oferta të papërgjegjshme.
Kështu, ndonëse oferta më e lirë ishte rreth 293 mijë euro nën vlerën e parashikuar të kontratës, asnjëra kompani nuk arriti deri te nënshkrimi i saj.
Pse u eliminua IP-KOS?
Dokumentet tregojnë se IP-KOS nuk u eliminua për shkak të çmimit, por për mosplotësimin e disa kërkesave teknike dhe profesionale.
Trafiku Urban kishte kërkuar që operatori të dëshmonte se kishte në dispozicion gjashtë autobote-cisterna transportuese, me kapacitet prej 8 mijë deri në 16 mijë litra për bartjen e naftës, të pajisura edhe me raport të vlefshëm për verifikimin e rrjedhës dhe vëllimit të derivateve.
Sipas letrës së eliminimit, IP-KOS nuk kishte dorëzuar dëshmi të mjaftueshme për plotësimin e kësaj kërkese.
Autoriteti kontraktues po ashtu konstatoi se operatori nuk kishte dorëzuar dëshmi përkatëse në formën e një garancioni, autorizimi ose konfirmimi nga prodhuesi apo rafineria që garantonte furnizimin për kontratën për të cilën kishte ofertuar.
Kërkesat e tenderit, në fakt, shkonin përtej furnizimit të zakonshëm. Operatorët duhej të posedonin licenca valide për tregtinë me shumicë dhe pakicë të derivateve, bartjen dhe transportin, importin dhe deponimin e derivateve të naftës.
HIB Petrol-HIB Distribution bie në një dokument administrativ
Ndryshe nga IP-KOS, grupi HIB PETROL SH.P.K.- HIB Distribution SH.P.K. është eliminuar për një arsye krejt tjetër.
Sipas vendimit të Trafikut Urban, grupi nuk kishte dorëzuar Deklaratën për Themelimin e Grupit dhe Deklaratën nën Betim për anëtarin e grupit me të cilin ishte në konzorcium.
Për këtë arsye, oferta prej mbi 8.03 milionë eurosh është konsideruar administrativisht e papërgjegjshme.
Rezultati ishte që një tender me vlerë të parashikuar 8.1 milionë euro, i cili synonte të siguronte karburantin e Trafikut Urban për tre vjet, mbeti pa asnjë ofertues të përgjegjshëm.
5.1 milionë litra për tre vjet
Pesha financiare e këtij prokurimi shihet edhe nga sasia e parashikuar. Trafiku Urban kishte planifikuar blerjen e 5.1 milionë litrave naftë gjatë 36 muajve, apo mesatarisht rreth 1.7 milion litra në vit. (Dokument)
Dosja përcaktonte që furnizimi të bëhej në rezervuarin e Trafikut Urban dhe në pikat e shitjes së operatorit fitues. Karburanti duhej të dorëzohej në rezervuar brenda 48 orëve nga porosia, ndërsa çdo cisternë duhej të shoqërohej me certifikatë të cilësisë nga një institucion i pavarur.
Tenderi parashihte edhe një mekanizëm të veçantë të përcaktimit të çmimit. Çmimi gjatë realizimit të kontratës do të llogaritej duke u bazuar në çmimin mesatar mujor të bursës Platts CIF Med, kursin mesatar euro/dollar dhe elementet fikse, ndërsa operatorët konkurronin edhe përmes premiumit/fitimit të kompanisë.
Trafiku Urban kishte paraparë madje që, para dhënies së kontratës, operatorit t’i kërkohej deklaratë me shkrim se do të mbante së paku 10 për qind të sasisë së kontraktuar si rezervë për zbatimin e kontratës. /Kujdestari.info/