Teksa Kosova po hyn në sezonin e ftohtë dhe furnizimi me dru e pelet bëhet urgjencë për ngrohjen e institucioneve, një tender prej 748 mijë eurosh i Komunës së Mitrovicës është futur në telashe. Komuna kishte vendosur kritere të veçanta për kompanitë që synonin kontratën, përfshirë mbi 1.1 milion euro referenca të ndara në mënyrë specifike për dru dhe pelet, mijëra metra kub dru dhe qindra tonë pelet në stok para ofertimit, si dhe dy kamionë 26-tonësh me vinç. Por këto kërkesa u kundërshtuan si kufizuese dhe çështja përfundoi në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ekspertja e OSHP-së konstatoi se disa prej kritereve nuk ishin arsyetuar mjaftueshëm, ishin joproporcionale dhe mund të kufizonin konkurrencën mes operatorëve ekonomikë. Tash, ndërsa dimri po afron, tenderi duhet të korrigjohet dhe afati për ofertim të zgjatet, shkruan Kujdestari.info.
Në procedurën e prokurimit “Furnizim me lëndë djegëse Dru dhe Pelet”, Komuna që udhëhiqet nga Faton Peci, kishte vendosur një varg kriteresh për operatorët ekonomikë. Disa prej tyre, sipas ekspertes shqyrtuese të OSHP-së, nuk ishin arsyetuar mjaftueshëm ose ishin kufizuese dhe joproporcionale.
Mes tyre ishte kërkesa që operatori të dëshmonte 1.1 milion euro referenca, të ndara detyrimisht në 1 milion euro furnizime me dru dhe 100 mijë euro furnizime me pelet. Një tjetër kriter kërkonte që, ende pa u shpallur fituesi, operatori të kishte në stok 2,000 metra kub dru dhe 200 ton pelet.
Përveç këtyre, Komuna kërkonte edhe dy kamionë me vinç, “me dyer” dhe me peshë minimale 26 tonë.
Pas shqyrtimit të ankesës, të tri çështjet kryesore u vlerësuan nga ekspertja e OSHP-së si pjesërisht të bazuara. (DOKUMENT)
Si nisi tenderi dhe si përfundoi në OSHP?
Komuna e Mitrovicës e publikoi më 1 korrik 2026 njoftimin për kontratë. Procedura ishte e hapur, kontrata ishte për furnizim dhe vlera e parashikuar ishte 748,320 euro. Kriteri për dhënien e kontratës ishte tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.
Më 3 gusht, N.T.P. “GRESA-COMMERCE” paraqiti kërkesë për rishqyrtim në Komunë, duke pretenduar se disa nga kërkesat e tenderit ishin kufizuese, diskriminuese dhe krijonin barriera të panevojshme financiare, teknike e profesionale.
Vetëm një ditë më vonë, më 4 gusht, Komuna e Mitrovicës e refuzoi kërkesën si të pabazuar.
Operatori nuk u ndal këtu. Më 10 gusht 2026, iu drejtua OSHP-së me ankesën nr. 2026/0578.
OSHP e mori çështjen në shqyrtim dhe pretendimet u analizuan nga ekspertja shqyrtuese.
Problemi i parë: 1.1 milion euro referenca, por të ndara në dy kategori
Komuna kishte kërkuar që operatori ekonomik të dëshmonte kontrata të ngjashme në vlerë minimale prej 1,100,000 eurosh.
Por nuk mjaftonte vetëm arritja e kësaj vlere.
Nga 1.1 milion euro, së paku: 1,000,000 euro duhej të ishin furnizime me dru, ndërsa 100,000 euro furnizime me pelet.
Për grupet e operatorëve ekonomikë ishte paraparë edhe që lideri të kishte së paku 60 për qind të shumës së kërkuar.
Këtu është e rëndësishme një nuancë, ekspertja nuk e konsideroi problem vetë shumën totale prej 1.1 milion eurosh.
Sipas saj, duke e krahasuar me vlerën e parashikuar të kontratës prej 748,320 eurosh, kjo shumë ishte brenda kufirit të lejuar. Ekspertja gjithashtu nuk konstatoi shkelje në faktin që druri dhe peleti nuk ishin ndarë në lote të veçanta dhe vlerësoi se kërkesa prej 60% për liderin e grupit mund të mbetej në fuqi.
Problemi ishte mënyra se si ishin ndarë referencat.
Ekspertja vlerësoi se kushtëzimi me 1 milion euro për dru dhe 100 mijë euro për pelet ishte kërkesë kufizuese dhe jo e domosdoshme për të dëshmuar aftësinë teknike dhe profesionale.
Sipas vlerësimit të saj, një referencë e përgjithshme prej 1.1 milion eurosh për furnizime të ngjashme do të ishte më proporcionale dhe do t’u krijonte mundësi më të gjerë operatorëve ekonomikë, përfshirë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Prandaj, rekomandimi ishte që të hiqeshin nën-pragjet prej 1 milion + 100 mijë euro dhe referenca të mbetej 1.1 milion euro në total për furnizime të ngjashme.
Problemi i dytë: 2,000 m³ dru dhe 200 ton pelet duhej të ishin në stok para ofertimit
Ky është një nga kriteret më interesante të tenderit.
Komuna kërkonte që operatori ekonomik, para dorëzimit të ofertës, të dëshmonte se kishte në dispozicion minimum:
2,000 m³ dru dhe 200 ton pelet.
Për drurin kërkohej raport apo vërtetim nga Agjencia Pyjore e Kosovës, ndërsa për peletin dokumentacion për hyrjen në stok.
Komuna e arsyetoi këtë me nevojën për vazhdimësi të ngrohjes dhe me mundësinë që fituesi të reagonte menjëherë ndaj urdhërblerjeve. AK pretendoi gjithashtu se kishte pasur përvoja të mëparshme me operatorë që nuk kishin rezerva të mjaftueshme dhe kishin hasur vështirësi në realizimin e kontratave.
Mirëpo, dokumentacioni i shqyrtuar ngriti një problem tjetër: kontrata ishte paraparë për 36 muaj dhe furnizimet do të bëheshin sipas urdhërblerjeve.
Në argumentet e ankesës theksohej se Komuna nuk kishte identifikuar konkretisht kontratat e mëparshme, vonesat, sasitë e papërmbushura, penalitetet apo dokumente të tjera që do të dëshmonin pse ishin të nevojshme pikërisht sasitë prej 2,000 m³ dhe 200 tonësh.
Ekspertja përfundimisht konstatoi se kërkesa për stokun paraprak nuk ishte arsyetuar mjaftueshëm, duke marrë parasysh kohëzgjatjen 36-mujore të kontratës dhe faktin që furnizimet realizoheshin përmes urdhërblerjeve.
Rekomandimi ishte që kriteri të rishikohej dhe furnizimi të planifikohej e realizohej sipas urdhërblerjeve dhe nevojave konkrete.
Problemi i tretë: pse pikërisht dy kamionë 26-tonësh me vinç dhe “me dyer”?
Kriteri tjetër i kontestuar ishte edhe më specifik.
Operatori duhej të siguronte dy kamionë me vinç, “me dyer”, të përshtatshëm për transportimin dhe shkarkimin e druve ose peletit dhe me peshë minimale prej 26 tonësh.
Komuna argumentoi se kamionët me vinç mundësonin transportimin dhe shkarkimin e sigurt në lokacione të ndryshme pa pasur nevojë që vetë Komuna të angazhonte pajisje shtesë.
Sipas Komunës, operatorët nuk ishin të detyruar t’i kishin kamionët në pronësi, pasi mund t’i siguronin edhe me qira apo në forma të tjera të lejuara.
Por ekspertja gjeti problem te specifikimi konkret.
Sipas konstatimit të saj, Komuna nuk kishte arsyetuar mjaftueshëm dhe objektivisht pse duheshin pikërisht dy kamionë, me vinç, “me dyer” dhe me peshë minimale prej 26 tonësh.
Ekspertja konstatoi se, në mungesë të arsyetimit konkret teknik dhe operacional, kriteri mund të krijonte kufizime të panevojshme të konkurrencës, sepse transporti dhe shkarkimi mund të realizoheshin edhe përmes mjeteve apo kombinimeve të tjera.
Në raport thuhet se kriteri në këtë formë kufizonte pjesëmarrjen e operatorëve që dispononin zgjidhje të tjera teknike të përshtatshme.
Prandaj ekspertja rekomandoi që kriteri të formulohej në mënyrë funksionale, duke lejuar mjete apo zgjidhje teknike ekuivalente që garantojnë transportimin dhe shkarkimin e sigurt dhe në kohë.
Më 14 shtator 2026, Paneli Shqyrtues i OSHP-së aprovoi si pjesërisht të bazuar ankesën e “GRESA-COMMERCE”.
Paneli vendosi që njoftimi për kontratë të korrigjohej dhe e obligoi Komunën e Mitrovicës që të bënte përmirësimet e nevojshme në dosjen e tenderit dhe të zgjaste afatin për ofertim.
Komuna gjithashtu u obligua që brenda dhjetë ditësh ta informonte OSHP-në për veprimet e ndërmarra; vendimi paralajmëron se mosrespektimi mund të sillte masa sipas nenit 131 të LPP-së. /Kujdestari.info/