E martë, 19 Gusht, 2025

Tenderi 5 milionësh i Komunës së Prishtinës fitohet nga i vetmi ofertues

Ndaj

Tenderi për ndërtimin e kontejnerëve mbitokësorë dhe nëntokësorë, si dhe kiosqeve dhe tualeteve publike, është finalizuar me kontraktimin e vetëm një kompanie, ndonëse bëhej fjalë për një projekt të madh dhe kompleks. Komuna Prishtinës përkundër vlerës së tenderit dhe natyrës së ndarë të punimeve, ka shpallur fituesit.

Një tender me vlerë të lartë prej 5 milionë eurosh i shpallur nga Komuna e Prishtinës është përfunduar me vetëm një ofertues të pranuar, kompaninë “Monting” sh.p.k., e cila edhe është shpallur fituese e kontratës me çmim për njësi prej 153,916.26 euro. Kjo ka ndodhur pavarësisht se bëhej fjalë për një projekt të madh dhe të ndarë në dy pjesë të ndryshme ndërtimin e kontejnerëve mbitokësorë dhe nëntokësorë, si dhe ndërtimin dhe furnizimin me kiosqe e tualete publike.

“Monting” merr tender në institucionet publike. Aktivitet primare e ka “Prodhimi i konstrukcioneve metalike dhe pjesëve të tyre”, ndërsa sekondare “Prodhimi i aparaturave të shpërndarjes dhe kontrollit të energjisë elektrike”.

Sipas dokumenteve të publikuara në platformën e e-Prokurimit, asnjë operator tjetër ekonomik nuk është përfshirë në garë, edhe pse bëhej fjalë për një tender me vlerë milionëshe, që zakonisht ngjall interes të gjerë në treg.

Ajo që e bën shqetësuese këtë rast, siç ka raportuar Demokracia.com është fakti se tenderi është shpallur më 16 maj 2025, ndërsa afati për dorëzim të ofertave ka qenë vetëm 24 ditë përkatësisht deri më 9 qershor 2025. Ky afat është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i cili kërkon që për tenderët e vlerës së madhe (si ky), afati minimal për dorëzim të ofertave të jetë të paktën 40 ditë nga data e shpalljes së njoftimit.

Një afat kaq i shkurtër jo vetëm që bie ndesh me dispozitat ligjore, por gjithashtu cenon rëndë parimin e konkurrencës së lirë, duke kufizuar mundësinë e operatorëve të interesuar për të përgatitur dokumentacionin dhe mostrat teknike që kërkonte ky projekt.

Po ashtu, vetë struktura e tenderit ishte e pazakontë, duke përfshirë dy natyra të ndryshme të projekteve në një të vetme, nga njëra anë ndërtimi i kontejnerëve (me specifikime inxhinierike), dhe nga ana tjetër ndërtimi i kiosqeve dhe tualeteve publike (që kanë kërkesa arkitektonike dhe dizajni). Edhe kërkesat teknike, përfshirë certifikatat ISO që nuk lidhen drejtpërdrejt me natyrën e punimeve, shihën si elemente që mund të kufizojnë pjesëmarrjen në mënyrë të padrejtë.

Më një kompani të vetme në garë, me një çmim të lartë për njësi, ka përfituar një kontratë të rëndësishme për buxhetin e Komunës së Prishtinës. Përkundër vlerës dhe kompleksitetit të projektit, procesi ka përfunduar pa garë reale.

Lexo më shumë

Të tjera