E martë, 10 Mars, 2026

Tenderi 16.8 milionë euro për licenca Microsoft: MPB shkurton afatin e garës nën minimumin ligjor

Ndaj

Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur një tender me vlerë të madhe për furnizimin me licenca të Microsoft-it për IRK dhe sektorin e edukimit, me një vlerë të parashikuar prej rreth 16.8 milionë euro, por afati i shkurtër i ofertimit lë dyshime për kufizim të konkurrencës dhe favorizim të mundshëm të operatorëve të caktuar ekonomikë, shkruan Kujdestari.info.

Sipas dokumenteve të tenderit, aktiviteti i prokurimit me numër 214-26-827-1-1-1 është publikuarmë 27 shkurt 2026, ndërsa kontrata ka për qëllim furnizimin me licenca të Microsoft-it për institucionet shtetërore.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate arrin në 16,847,075.20 euro, ndërsa kontrata është planifikuar të realizohet si marrëveshje kornizë për një periudhë prej 36 muajsh.

Megjithatë, ajo që bije në sy është afati shumë i shkurtër i dorëzimit të ofertave. Shumë më i shkurtër se sa e lejon ligji për kontratat e vlerës së madhe, që realizohen me procedurë të hapur.

Sipas dokumenteve zyrtare të tenderit, operatorët ekonomikë duhet të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 16 mars 2026 në ora 14:00, që do të thotë se nga momenti i publikimit deri në mbylljen e garës kanë në dispozicion rreth 16 deri në 17 ditë kalendarike për përgatitjen e dokumentacionit dhe ofertës financiare.

Ligji kërkon minimum 40 ditë për tenderë të mëdhenj

Ligji për Prokurimin Publik i Republikës së Kosovës përcakton qartë afatet që duhet të respektohen në procedurat e hapura të prokurimit.

nenin 44 të Ligjit për Prokurimin Publik thuhet se për kontratat e mëdha autoriteti kontraktues duhet të sigurojë një afat minimal prej 40 ditësh për pranimin e tenderëve.

Ndërkohë, ligji lejon përdorimin e afateve të përshpejtuara vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

nenin 46 të këtij ligji thuhet: “Nëse ekzistojnë rrethanat që kërkojnë zbatimin e një aktiviteti të prokurimit në raste urgjente dhe që e bëjnë të pamundur respektimin e afateve kohore të përcaktuara në nenin 44, autoriteti kontraktues mund të zbatojë prokurimin me përdorimin e afateve të përshpejtuara. Megjithatë urgjenca nuk mund t’u atribuohet veprimeve ose mosveprimeve të autoritetit kontraktues”.

Po ashtu, ligji thekson se autoritetet publike kanë përgjegjësi të planifikojnë me kohë aktivitetet e prokurimit dhe nuk duhet të krijojnë vetë rrethana që më pas përdoren për të justifikuar procedura të përshpejtuara.

Ministria e arsyeton me skadimin e licencave

Në dokumentet shpjeguese të tenderit, Ministria e Punëve të Brendshme e arsyeton shkurtimin e afatit me skadimin e licencave ekzistuese të softuerit. Në arsyetimin e publikuar thuhet se procedura është përshpejtuar për shkak të nevojës institucionale për vazhdimin e shërbimeve digjitale, pasi licencat aktuale të softuerit janë drejt skadimit. Sipas këtij arsyetimi, institucioni ka konsideruar se procedura duhet të zhvillohet në afat të shkurtër për të shmangur ndërprerjen e shërbimeve. Megjithatë, sipas praktikës së prokurimit publik, skadimi i licencave të teknologjisë informative zakonisht është një proces i parashikueshëm, pasi kontratat e tilla kanë periudha të qarta vlefshmërie dhe planifikohen me vite paraprakisht.

Arsyetimi i ministrisë nuk qëndron plotësisht, pasi institucioni ka qenë në dijeni se kur skadojnë licencat dhe tenderi mund të ishte hapur të paktën disa javë më herët, duke respektuar afatet e rregullta të konkurrimit.

Afati i shkurtuar kufizon përgatitjen e ofertave

Shkurtimi i afatit të ofertimit në një tender të kësaj vlere mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e konkurrencës mes operatorëve ekonomikë.

Dokumentacioni i tenderit kërkon që operatorët ekonomikë të dorëzojnë një sërë dëshmish administrative, financiare dhe teknike, përfshirë autorizime nga prodhuesi, dëshmi për qarkullim financiar milionësh gjatë viteve të fundit dhe referenca për kontrata të ngjashme. Përgatitja e këtij dokumentacioni për një kontratë me vlerë mbi 16 milionë euro kërkon kohë të konsiderueshme për operatorët ekonomikë që synojnë të marrin pjesë në garë.

Në këto rrethana, një afat shumë më i shkurtër se ai i paraparë në ligj mund të kufizojë pjesëmarrjen e kompanive që nuk kanë qenë të përgatitura paraprakisht për këtë aktivitet prokurimi.

Tenderi mbi 16 milionë euro

Kontrata e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme parasheh furnizimin me licenca të Microsoft-it për institucionet publike përmes një marrëveshjeje kornizë trevjeçare.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 16,847,075.20 euro, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës është oferta me çmimin më të ulët.

Duke marrë parasysh vlerën e lartë të kontratës dhe afatin e shkurtër të ofertimit, mënyra se si është zhvilluar kjo procedurë e prokurimit po ngrit dyshime të argumentuara për kufizim të konkurrencës në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera