E mërkurë, 18 Mars, 2026

Tenderi 1.8 milionë euro në Prizren u anulua pasi u rekomandua fituesi, ekspertja e OSHP-së e rrëzon arsyetimin

Ndaj

Komuna e Prizrenit dyshohet se ka bërë shkelje në procedurën e një tenderi milionësh për asfaltimin e rrugës Skorrobisht-Kopanavodë, pasi fillimisht kishte lejuar vazhdimin e procedurës, kishte hapur ofertat dhe madje kishte pranuar raportin e komisionit vlerësues për rekomandim të operatorit fitues, por më pas e anuloi krejt aktivitetin, duke u thirrur në një arsyetim që, sipas ekspertes shqyrtuese të OSHP-së, nuk qëndron në bazë të ligjit, shkruan Kujdestari.info.

Fjala është për aktivitetin e prokurimit me titull “Projekte infrastrukturore të Zhupës dhe Podgurit. Asfaltimi i rrugës Skorrobisht-Kopanavodë, projekt trevjeçar”, me numër të prokurimit 622-25-8498-5-1-1, të inicuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, me vlerë të parashikuar prej 1,838,000 euro.

Procedura ishte zhvilluar si procedurë e hapur, ndërsa lloji i kontratës ishte për punë.

Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 13 shkurt 2026 nga operatori ekonomik “FORTESA SH.P.K.”, kundër vendimit të Komunës për anulimin e aktivitetit. Lënda iu caktua ekspertes shqyrtuese Blerina Huruglica, e cila raportin e saj e dorëzoi më 26 shkurt 2026.

Si nisi dhe si u zhvillua tenderi

Sipas raportit të ekspertit, njoftimi për këtë kontratë ishte publikuar në shtator 2025, ndërsa gjatë procedurës ishin bërë edhe disa korrigjime në dosjen e tenderit. Gjatë fazës së kritereve kishte pasur kërkesa për rishqyrtim nga operatorë ekonomikë, ndërsa një prej rasteve kishte shkuar edhe në OSHP, por ankesa ishte tërhequr, çka i kishte hapur rrugë Komunës që të vazhdonte me procedurën.

Pas kësaj, Komuna kishte bërë hapjen e ofertave më 16 dhjetor 2025. Në këtë aktivitet ishin pranuar dy oferta. Më pas, sipas dokumenteve të lëndës, më 12 janar 2026 autoriteti kontraktues kishte kërkuar dokumentet e përshtatshmërisë nga operatori ankues, ndërsa më 13 janar 2026 komisioni i vlerësimit kishte ngarkuar raportin, duke e rekomanduar për kontratë operatorin ankues.

Por vetëm pak ditë më vonë, rrjedha ndryshoi. Më 20 janar 2026, KRPP kishte dërguar një tjetër shkresë përmes e-Prokurimit, ku paralajmëronte autoritetin kontraktues për mospërfillje të rekomandimeve të mëhershme dhe për moskthim të përgjigjes lidhur me monitorimin e aktivitetit. Pas kësaj, më 23 janar 2026, Zyra e Prokurimit e njoftoi komisionin vlerësues për shkresën e KRPP-së dhe komisioni rekomandoi anulimin e aktivitetit. Më pas, më 29 janar 2026, Komuna e Prizrenit publikoi vendimin për anulimin e tenderit.

Çfarë konstatoi ekspertja e OSHP-së

Në raportin e saj, ekspertja shqyrtuese ka ardhur në përfundim se ankesa e operatorit ekonomik është e bazuar dhe se anulimi i tenderit nga Komuna nuk përputhet me dispozitat ligjore për anulim pas hapjes së ofertave.

Sipas saj, problemi qëndron në faktin se Komuna fillimisht nuk i kishte përfillur rekomandimet e KRPP-së lidhur me kriteret e dosjes së tenderit dhe as nuk kishte kthyer përgjigje për monitorimin e aktivitetit. Megjithatë, përkundër kësaj, ajo kishte vazhduar me procedurën, kishte bërë hapjen e ofertave dhe kishte arritur deri te rekomandimi për dhënie kontrate. Vetëm pas reagimit të dytë të KRPP-së, Komuna provoi ta “përmirësojë” situatën duke e anuluar aktivitetin.

Ekspertja sqaron se një veprim i tillë nuk mbështetet në nenin 62 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe as në nenin 43.5 të Rregullores për Prokurim Publik, sepse arsyetimi i përdorur nga Komuna nuk hyn në rastet kur një aktivitet mund të anulohet ligjërisht pas hapjes së ofertave.

Ajo vëren po ashtu se KRPP nuk kishte kërkuar shprehimisht anulimin e aktivitetit të prokurimit. Sipas raportit, në shkresën e KRPP-së theksohej se autoriteti kontraktues dhe zyrtari përgjegjës duhej të kishin më shumë kujdes në hartimin e dosjes së tenderit dhe në vendosjen e kritereve, si dhe ishin paralajmëruar se në rast përsëritjeje do të merreshin masa ndëshkimore. Pra, sipas ekspertes, bëhej fjalë për paralajmërim për masa administrative, dhe jo për ndonjë urdhër apo rekomandim të drejtpërdrejtë për anulim të tenderit.

Në këtë mënyrë, sipas raportit, Komuna e Prizrenit e anuloi aktivitetin duke iu referuar një “rekomandimi” që në përmbajtje nuk ekzistonte si i tillë, ndërsa komisioni vlerësues kishte mandat vetëm për vlerësimin e ofertave sipas kritereve të dosjes së tenderit, gjë që edhe e kishte bërë kur kishte rekomanduar operatorin ankues për kontratë.

Ankesa e operatorit dhe pretendimet për shkelje

Operatori ekonomik ankues kishte pretenduar se Komuna kishte bërë anulim të pajustifikuar të aktivitetit, pavarësisht faktit se ishte rekomanduar për kontratë dhe se kishte ofertën më të ulët të përgjegjshme. Sipas ankesës, Komuna kishte vepruar në kundërshtim me disa nene të Ligjit për Prokurim Publik, të Rregullores për Prokurim Publik dhe të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Në raport përmenden edhe pretendimet se kërkesa për rishqyrtim e operatorit ishte refuzuar nga Komuna me arsyetim të përgjithshëm, formal dhe të paargumentuar, pa analizë konkrete të pretendimeve të ngritura.

Rekomandimi i ekspertes: anulimi të rrëzohet, lënda të kthehet në rivlerësim

Pas analizimit të të gjitha shkresave të lëndës në e-Prokurim, ekspertja shqyrtuese Blerina Huruglica i ka propozuar Panelit Shqyrtues të OSHP-së që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi i Komunës për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Megjithatë, ky mbetet vetëm rekomandim i ekspertes shqyrtuese. Vendimi përfundimtar për këtë tender prej 1.838 milion eurosh pritet të merret nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i cili do të vendosë nëse do ta lërë në fuqi anulimin e Komunës së Prizrenit apo do ta kthejë procedurën në rivlerësim. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera