E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Tenderët publikë nën dyshim: Çfarë ka paralajmëruar Autoriteti i Konkurrencës?

Ndaj

Autoriteti i Konkurrencës muaj më herët ka publikuar një mendim profesional lidhur me marrëveshjet e fshehta dhe manipulimin e ofertave në prokurimin publik, duke paralajmëruar institucionet publike dhe operatorët ekonomikë se praktika të tilla përbëjnë shkelje serioze dhe dëmtojnë interesin e qytetarëve, shkruan Kujdestari.info.

Në dokumentin zyrtar, theksohet se misioni i AKRK-së është “të nxitë dhe sigurojë qasje në treg të lirë për çdo ndërmarrje që i plotëson kushtet për të konkurruar në atë treg në interes të përdoruesve të produkteve/shërbimeve”.

Sipas Autoritetit, manipulimi i ofertave, si formë e marrëveshjes së fshehtë, e minon garën dhe ndikon drejtpërdrejt në çmime jo reale:

“Manipulimi i ofertave është një praktikë e paligjshme në të cilën palët konkurruese bashkëpunojnë për të përcaktuar fituesin e një procesi tenderimi. Ai mund të rezultojë në një çmim të manipuluar që është më i lartë se ai që do të kishte rezultuar nga oferta konkurruese në tregun e lirë. Manipulimi i ofertave është i dëmshëm për konsumatorët dhe taksapaguesit, të cilët mund të detyrohen të përballojnë koston e çmimeve më të larta.”

AKRK nënvizon se institucionet publike duhet të jenë në mbrojtje të interesit publik dhe të krijojnë kushte të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë:

“Autoritetet kontraktuese duhet t’i trajtojnë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojnë në mënyrë transparente. Duhet të kujdesen që përmes kritereve të mos reduktohet apo eliminohet konkurrenca në mes të operatorëve ekonomik.”

Dokumenti nënvizon edhe rolin e vetë institucioneve kontraktuese për të sinjalizuar rastet kur dyshohet për marrëveshje të fshehta:

“Gjetja apo dyshimi për shenja të mundshme të manipulimit të ofertave nga praktikuesit e prokurimit është sinjal për të kontaktuar Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës dhe të kërkohet që ajo të hetojë shenjat e zbuluara.”

Në fund, Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë praktikuesit e prokurimit në zbulimin e manipulimeve që ndodhin në tenderët publikë, duke theksuar se prokurimi publik financohet me paratë e taksapaguesve dhe se barazia në konkurrencë është kusht për përdorim efikas e transparent të fondeve publike. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera