Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka mbetur vetëm edhe dy javë deri në përfundimin e mandatit, ka hapur një nga tenderët më të mëdhenj të komunës – një kontratë prej 3.8 milionë eurosh për “Rregullimin dhe mirëmbajtjen e konstruksioneve dhe objekteve nga metali, druri, plastika dhe betoni”. Përtej faktit se tenderi është shpallur në prag të zgjedhjeve, ai është hapur me afate të shkurtuara jashtëligjshëm dhe me kritere të konsiderohen diskriminuese dhe të favorizuara për një operator të caktuar, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e Ferizajt, e udhëhequr nga kryetari Agim Aliu, ka hapur një tender me vlerë të madhe publike prej 3.8 milionë eurosh për “Rregullimin dhe mirëmbajtjen e konstruksioneve dhe objekteve nga metali, druri, plastika dhe betoni”.

Tenderi është shpallur më 25 shtator 2025 dhe, sipas njoftimit për kontratë, mbetet i hapur deri më 10 tetor 2025.

Pra, kompanive u janë lënë në dispozicion vetëm 15 ditë kohë për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave të tyre, jë afat dukshëm në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, i cili kërkon që për kontratat e mëdha me procedurë të hapur periudha minimale të jetë 40 ditë.
Për këtë shkurtin, Komuna ka dhen enje arsyetim, por ai nuk gjen zbatushmëri ligjore bazuar mbi LPP-në.
Neni 44 i Ligjit për Prokurimin Publik përcakton qartë afatet për pranimin e ofertave në kontratat publike të mëdha, duke specifikuar që për kontratat e mëdha afati duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.

Dyshime për paracaktim
Shkurtimi i afatit kohor është vetëm njëra nga shkeljet që e bëjnë këtë tender të dyshimtë. Dosja e tenderit, përveçse kufizon garën me afat jashtëligjor, përmban edhe kritere të diskriminuese, të cilat praktikisht favorizojnë një operator të caktuar. Disa nga kriteret e tenderit mund të konsiderohen të arsyeshme dhe lidhen drejtpërdrejt me natyrën e projektit:
-
Lista e kontratave të ngjashme, edhe pse vlera minimale prej 5.5 milionë eurosh në tri vitet e fundit është e lartë për këtë lloj punësh.
-
Lista e 25 punëtorëve – kërkesë e arsyeshme për një projekt të kësaj shkalle, etj.
Ku fillojnë problemet?
Pjesa tjetër e kritereve shkon përtej natyrës së projektit dhe duket e dizajnuar për të filtuar pjesëmarrësit:
4 punëtorë me autovinqi me kosh-korpe të certifikuar + 3 operatorë auto-vinçi teleskop – kërkesë e pazakontë për një tender të tillë. Edhe nëse autovinçi nevojitet, përcaktimi i numrit dhe certifikimeve të tilla është kufizues.
Çertifikatat EN 40-5:2002 për shtylla ndriçimi (3m, 5m, 6.8m, 12.8m) – kërkesë tepër specifike për një projekt që nuk është thjesht tender për ndriçim, por për fusha sportive dhe konstruksione. Kërkesa që certifikata të jetë në emër të operatorit ose marrëveshje direkte me prodhuesin është tipike për kriter diskriminues.
Çertifikata IEC 60947 për kontaktorë/ormane – është tepër teknike dhe më shumë e përshtatshme për projekte energjie se sa për ndriçim sportiv bazik.
ISO 50001 (menaxhimi i energjisë) – është e panevojshme për këtë lloj projekti. ISO 9001 dhe 45001 kanë logjikë, por ISO 50001 aplikohet për kompani që menaxhojnë energji, jo për punime ndërtimi.
Lista e gjatë dhe e detajuar e mjeteve të punës (autovinça deri 25 ton, xhipa 4×4 me vinç, traktorë me krah 9m, makinë sharre hidraulike për çelik, etj.) – shumë më tepër se ç’kërkon natyra e këtij projekti, pasi nuk po ndërtohet autostradë apo stadium olimpik, por fusha dhe konstruksione bazike.
Çertifikata EN 10217-1:2019 për tuba çeliku të salduar për presion – standard për sisteme presioni (ujësjellës, gaz), pa lidhje me këtë projekt.
Çertifikata për gomë EN 1177 + ACEN1176-1 – ka kuptim vetëm nëse projekti ka kënde lojërash me dysheme gome, por nuk është e qartë se tenderi përfshin diçka të tillë. Nëse jo, është kriter i panevojshëm.
Përgatitja e një oferte me kaq shumë dokumente dhe certifikata kërkon javë, madje muaj të tërë, gjë që e bën praktikisht të pamundur pjesëmarrjen e barabartë të kompanive që nuk kanë qenë të informuara më herët.
Kjo ngre dyshime se një operator ekonomik mund të ketë qenë i njoftuar paraprakisht për këtë procedurë dhe, si rrjedhojë, ka pasur kohë t’i sigurojë të gjitha dokumentet që tani kërkohen.
Justifikimi i Komunës
Në dokumentet e brendshme të tenderit figuron një kërkesë nga njësia kërkuese, ku thuhet:
“Kërkojmë nga Zyra e Prokurimit që të bëhet inicimi i projektit në procedura të përshpejtuara për arsye të kërkesave të shumta të qytetarëve si dhe kërkesave të shkollave dhe hapësirave publike.”
Mirëpo, ky justifikim nuk e arsyeton shkeljen e ligjit. Për kontrata të mëdha publike, ligji nuk njeh “përshpejtim” të tillë – përjashtime aplikohen vetëm në raste emergjente të paparashikueshme, si fatkeqësi natyrore apo situata të jashtëzakonshme, që nuk është rasti këtu.
Tenderi i Komunës së Ferizajt për rregullimin dhe mirëmbajtjen e objekteve nga metali, druri, plastika dhe betoni, me vlerë prej 3.8 milionë eurosh, po zhvillohet në mënyrë të jashtëligjshme dhe diskriminuese. Afati i shkurtuar në vetëm 15 ditë dhe kriteret e pazakonshme për certifikata e pajisje krijojnë dyshime serioze se gara nuk është e hapur, por e dizajnuar për të favorizuar një operator të caktuar.
Kjo procedurë e tenderimit aktualisht është në fazën ku kompanitë e interesuara mund të paraqesin kërkesa për sqarime. /Kujdestari.info/



