E premte, 6 Shkurt, 2026

Telekomi i Kosovës edhe më një kontratë njëvjeçare me Digit-Alb për furnizim me kanale televizive

Ndaj

Telekomi i Kosovës do të nënshkruajë të premten një kontratë për furnizim me kanale televizive me kompaninë Digit-Alb Sh.A. nga Shqipëria, përmes procedurës së negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, shkruan Kujdestari.info.

Kontrata do të lidhet për një periudhë njëvjeçare dhe ka vlerë të përgjithshme të vlerësuar prej 950 mijë eurosh.

Sipas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues (formulari B58), kontrata i është dhënë operatorit ekonomik Digit-Alb Sh.A., me seli në Tiranë, dhe ka për objekt “Furnizimin me kanale televizive” për platformën e Telekomit të Kosovës.

Në dokumentacionin kontraktual thuhet se çmimi i kontratës nuk është i përcaktuar paraprakisht, por caktohet gjatë fazës së negociatave mes palëve, nëse arrihet pajtueshmëri. Po ashtu, lista e kanaleve dhe programeve televizive që do të përfshihen në ofertë përcaktohet në kuadër të propozimit të operatorit ekonomik.

Kontrata parasheh që të gjitha ngjarjet sportive, për të cilat Digit-Alb TV ka të drejta transmetimi në Republikën e Kosovës, t’i ofrohen Telekomit të Kosovës. Digit-Alb TV mban përgjegjësi për secilin kanal të ofruar dhe obligohet që, në rast të humbjes së të drejtave për ndonjë kanal, ta zëvendësojë atë me një kanal të së njëjtës ose cilësi më të lartë.

Në aspektin teknik, marrëveshja parasheh standarde të përcaktuara të cilësisë së shërbimit dhe nivel disponueshmërie të sinjalit deri në 99.9%, përmes transmetimit me fibër optike dhe sistemit të redundancës. Dokumentet përfshijnë edhe marrëveshjen për nivelin e shërbimit (SLA), ku janë të përcaktuara penalitete financiare në rast të ndërprerjeve të zgjatura të sinjalit.

Telekomi i Kosovës dhe DigitAlb kanë bashkëpunuar edhe më herët në furnizimin me përmbajtje televizive. Në janar të vitit 2024, Telekomi kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me DigitAlb, me vlerë të përgjithshme të vlerësuar prej 1.3 milionë eurosh, e cila po ashtu ishte realizuar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Sipas dokumenteve të publikuara atëkohë në platformën “e-prokurimi”, pagesa në kontratën dyvjeçare ishte paraparë të bëhej në bazë të çmimit për abonent, ndërsa përzgjedhja e kanaleve ishte bërë gjatë fazës së negociatave, duke marrë parasysh edhe kërkesat e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Në dosjen e tenderit të vitit 2024 ishte specifikuar se kanalet e filmave duhej të ishin të titruara ose të sinkronizuara në gjuhën shqipe, si dhe të përfshiheshin kanale ndërkombëtare dhe premium, sipas mundësive të platformës DigitAlb. Kontrata përfshinte gjithashtu klauzola për zëvendësimin e kanaleve dhe reduktim të çmimit në rast të humbjes së të drejtave të transmetimit, si dhe obligimin për njoftim paraprak prej 15 ditësh në rast ndryshimesh.

Kontrata e re njëvjeçare e nënshkruar në vitin 2026 vjen pas përfundimit të marrëveshjes paraprake dhe vazhdon bashkëpunimin ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Digit-Alb Sh.A. në ofrimin e përmbajtjeve televizive për abonentët e platformës Vala. /Kujdestari.indo/

Lexo më shumë

Të tjera