E mërkurë, 11 Mars, 2026

Teatri Kombëtar që u zvarrit me muaj, pritet të përfundojë në qershor- brenda tij shihet një gjendje e rrënuar

Ndaj

Që nga korriku i vitit 2022 objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) është mbyllur për t’iu nënshtruar një renovimi të përgjithshëm, shkruan Kujdestari.info.

Objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili po i nënshtrohet restaurimit dhe konservimit prej më shumë se një viti, vazhdon të duket si një kantier i madh ndërtimi nga brenda. Fotografitë e realizuara së fundmi nga Kujdestari.info, tregojnë korridore të hapura me mure të prishura, dysheme të mbuluara me mbetje ndërtimore dhe instalime të ekspozuara, ndërsa në disa hapësira struktura e vjetër e ndërtesës është zhveshur pothuajse tërësisht.

Në disa prej hapësirave të brendshme shihen mure të rrënuara deri në tullë, tavane të hapura dhe materiale ndërtimore të shpërndara nëpër sallat e objektit. Një pjesë e ambientit të skenës duket e mbushur me pajisje ndërtimi, kabllo dhe thasë me materiale, ndërsa në korridore janë hapur kanale për instalime dhe tubacione. Pamjet japin përshtypjen e një procesi të rëndë restaurimi që ende është larg përfundimit, edhe pse afati i fundit përfundimtar tashmë është shtyrë disa herë.

Punimet për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë nisur më 18 shtator 2024, pasi Ministria e Kulturës kishte përzgjedhur kompanitë që do të kryenin projektin. Kontrata fillestare për restaurimin e objektit arrinte vlerën rreth 7 milionë euro. Fillimisht ishte paraparë që punimet të përfundonin deri në fund të vitit 2025, por procesi u zvarrit dhe nuk arriti të mbyllej brenda këtij afati.

Autoritetet kanë shpjeguar se gjatë realizimit të projektit janë paraqitur punë shtesë për shkak të specifikave që bart objekti, i cili është nën mbrojtje si monument i trashëgimisë kulturore. Për këtë arsye kontrata është zgjatur për edhe nëntë muaj, deri më 18 qershor 2026, ndërsa projekti është shoqëruar edhe me një aneks-kontratë në vlerë rreth 198 mijë euro për punime shtesë.

Sipas përgjegjësve të projektit, gjatë punimeve janë identifikuar edhe probleme të tjera teknike, përfshirë çështje të drenazhimit dhe mangësi në projektin fillestar që kërkonin ndërhyrje dhe sqarime shtesë. Këto rrethana, sipas tyre, kanë ndikuar në ritmin e realizimit të punimeve dhe në shtyrjen e afatit të përfundimit.

Objekti i Teatrit Kombëtar kishte qenë i mbyllur për publikun që nga viti 2022, në pritje të një renovimi të përgjithshëm. Edhe pse ndërtesa është restauruar disa herë pas luftës, institucionet kishin vlerësuar se ishte i nevojshëm një restaurim më i thellë për shkak të gjendjes së amortizuar të objektit dhe rëndësisë së tij kulturore.

Punimet për restaurimin e TKK-së kanë nisur më 18 shtator 2024, nga kompanitë “Rinesa Sh.P.K.” dhe “Limit Project”, në bazë të një kontratë që peshonte rreth 7 milionë euro. Por, për shkak të specifikave dhe nevojave për punë shtesë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti (MKRS) dhe punëkryesi u daktorduan për vazhdimin e kontratës deri në qershor të këtij viti. Vazhdimi i kontratës u bë nga 18.09.2025 deri më 18.09. 2026, vlera e së cilës i kalon 190 mijë eurosh.

Amfiteatri i Pallatit të Rinisë në Prishtinës është përzgjedhur si vendi ku Teatri Kombëtar i Kosovës po mbanë shfaqjeve deri në përfundim të renovimit të objektit të tij./Kujdestari.info/

Nëse punimet zhvillohen sipas afatit të ri, restaurimi i Teatrit Kombëtar pritet të përfundojë në qershor të vitit 2026. Megjithatë, pamjet aktuale nga brenda objektit tregojnë se projekti ende ndodhet në një fazë intensive ndërtimi. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera