Të hënën fillon viti i ri shkollor 2025-2026 e nga Komuna e Prishtinës shprehën të gatshëm për ecuri të mbarë të këtij procesi. Nga ky vit shkollor në kryeqytet do të aplikohet mësimi tërëditor edhe në shtatë shkolla të tjera, prej tyre pesë janë në zonat rurale.
Drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini deklaroi se me sukses kanë përmbyllur të gjitha ndërhyrjet në shkolla, por edhe është bërë rekrutimi i mësimdhënësve dhe pranimi i nxënësve në çerdhe dhe kopshte.
Sipas udhëheqësit të Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, mësimi gjithëditor ka përmirësuar ekonomitë familjare.
Shahini në një intervistë për KosovaPress, tregon se orari i mësimit tërëditor për klasat 1 dhe 2 është deri në ora 14:30, ndërsa për nxënësit e klasave 3, 4 dhe 5 është deri në 15:30.
“Po shtojmë shtatë shkolla në mësim tërëditor këtë vit, nga pesë sa ishin vitin e kaluar, shkon në 12 tash. Lajm tjetër i mirë është që kemi dy shkolla që kalojnë në mësim tërëditor i gjithë niveli, nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë. Në Barilevë, në shkollën ‘Ali Kelmendi’ dhe ‘Ditët e Miratorit’ në Kishnicë. Për më tepër, kemi pesë shkolla në këtë shtatëshen e re që po e shtojmë, që janë në zona rurale: Barileva, Kishnica, Mramori, Grashtica dhe fshati Llukar, që i bashkëngjiten pesë shkollave të tjera të kryeqytetit të zonës urbane. Dy të tjera që shtohen në qytet janë ‘Pjetër Bogdani’ dhe ‘Zenel Hajdini’. Ka prekur ekonomitë familjare duke kursyer miliona euro të ekonomive familjare nga qëndrimi ditor deri në ora 15:30, nga shujtat të cilat ne i ofrojmë falas në shkollat tona përmes kuzhinës së kryeqytetit, duke qenë edhe më të shëndetshme edhe falas për të gjithë nxënësit pa dallim. Për më tepër, në fshatrat që i përmenda, pesë shkolla, për shkak të numrit më të vogël të nxënësve, ushqimi do të ofrohet për të gjithë, edhe për klasat 6-9 që nuk janë në mësim tërëditor këtë vit, por sigurisht i paraprinë kalimit në mësim tërëditor vitin tjetër,” theksoi Shahini.
“Që nga ky vit apo nga viti që vjen, është nevojë urgjente që ministria të hartojë një udhëzim të veçantë administrativ që parasheh edhe një pjesë të buxhetimit për të ndihmuar komunat në aspektin, në veçanti në siguri të ushqimit dhe materialeve të nevojshme, por edhe lehtësimeve për rekrutim të stafit, që mund t’i bëjnë më të lehta për komunat,” theksoi Shahini.
Tash e tri vite, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nisur subvencionimin e familjeve për blerjen e librave, për dallim nga vitet e mëhershme kur librat nga klasa 1 deri në 9 ofroheshin nga shkollat falas.
“Kjo formë e subvencionimit të librave është jashtëzakonisht e lodhshme, jo vetëm për drejtoritë e arsimit, e panevojshme, panevojshmërisht e lodhshme për drejtoritë e Arsimit, për shkollat, por në veçanti për prindërit, të cilëve iu shkakton shumë kokëçarje… Nuk është zgjidhje, forma është totalisht e gabuar dhe e dëmshme, sepse në fund po e shohim që tash e tri vite po ndodh kjo formë dhe në secilin prej viteve, jo vetëm në fund të shtatorit ose edhe tetorit, por ka raste që edhe në fillim të gjysmëvjetorit të dytë nxënësit nuk i kanë librat,” theksoi ai.
Sikurse vitin e kaluar, paratë janë transferuar në llogaritë bankare të prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat për fëmijë.