Vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, ende nuk janë ndarë mjetet për subvencionimin e nxënësve, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar se kur pritet të ekzekutohen pagesat për prindërit dhe kujdestarët që kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, me një status ka folur për numrin e aplikimeve, por jo për datën se kur do të dalin mjetet financiare.
Megjithatë, përkundër këtyre zhvillimeve, mbetet e paqartë kur saktësisht do të ndahen mjetet, një çështje kjo që shqetëson shumë familje, veçanërisht duke pasur parasysh afërsinë me fillimin e vitit të ri shkollor.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për IndeksOnlinen ka ngritur shqetësime serioze për vonesat me tekstet shkollore.
Sipas Jasharajt, mësimdhënësit do të përballen me vështirësi nëse nxënësit nuk furnizohen me kohë me libra.
“Shpërndarja e të hollave është vonuar, dedikuar për tekstet shkollore. Mësimdhënësit do të jenë në hall, sepse nuk mund të fillojnë mësimin derisa të gjithë nxënësit të furnizohen me libra”, theksoi ai.