Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i është drejtuar publikisht kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, me një varg pyetjesh lidhur me një leje ndërtimore për një objekt të madh pranë Mensës së Studentëve.
Sveçla pretendon se rasti ishte bërë problematik në kohën kur Rama kishte raporte të acaruara me Florian Dushin, atëherë drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës. Sipas tij, Rama kishte njoftuar autoritetet për hetimin e këtij rasti.
Por Sveçla e lidh këtë çështje me hetimet që nisën ndaj Ramës për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit” dhe me përmirësimin e mëvonshëm të raporteve mes Ramës dhe Dushit.
“Po pastaj, çfarë ndodhi?”, pyet Sveçla, duke pretenduar se pas publikimit të hetimeve ndaj Ramës, raportet e tij me Dushin u përmirësuan.
Ai përmend edhe vendimin për shkarkimin e Dushit, për të cilin thotë se Rama e kishte mbajtur për javë të tëra mbi tavolinë dhe më pas e kishte grisur.
Sveçla ngre dyshime edhe për mënyrën se si përfunduan dy rastet.
“Dosja e Arkitektit të Kryeqytetit mbeti diku në sirtarët e Prokurorisë. Ndërsa hetimi për objektin afër Mensës së Studentëve sikur të mos kishte ekzistuar kurrë”, ka shkruar ai.
Në fund, Sveçla i ka kërkuar Ramës të japë përgjigje se çfarë kishte ndodhur ndërmjet këtyre dy rasteve.
“Kush foli me kë? Kush u tërhoq? Kush heshti? Kush ndërmjetësoi?”, ka pyetur Sveçla.
Ai e ka mbyllur reagimin me paralajmërimin: “Ky është vetëm fillimi. Kemi shumë për të thënë dhe shumë për të treguar.” /Kujdestari.info/