E enjte, 19 Mars, 2026

Studimi 228 mijë euro i “Termokos”- lidhjet e ortakërisë dhe dyshimet për konflikt interesi

Ndaj

Ngrohja qendrore në Prishtinë është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, me ndikim të drejtpërdrejtë në mijëra qytetarë dhe në politikat energjetike të vendit. Në këtë kontekst, Ndërmarrja Publike e Komunës së Prishtinës, “Termokos”, në fund të vitit 2024 ka lidhur një kontratë në vlerë prej 228,530 euro për hartimin e një studimi të fizibilitetit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes. Në letër, ky studim synon të vlerësojë mundësitë teknike, mjedisore dhe financiare për përfshirjen e zonave të reja të kryeqytetit në sistemin e ngrohjes qendrore. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga Kujdestari.info, të krahasuara me të dhënat nga regjistrat publikë dhe deklarimet zyrtare, ngrenë dyshime mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe lidhjet e mundshme ndërmjet kompanisë fituese dhe një zyrtari të lartë të ndërmarrjes.

Kontrata mban titullin “Shpenzime për fizibilitetin e mbulueshmërisë për Prishtinën për nevojat e NP TERMOKOS Sh.a” dhe është zhvilluar me procedurë të hapur, me kriter dhënieje “çmimi më i ulët”. Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, fitues kishte dalë grupi i operatorëve ekonomikë “Instituti për Sisteme të Qëndrueshme Energjetike InSES SH.P.K.” dhe “Termovision SH.P.K.”, me vlerë të kontratës 228,530.00 euro me TVSH.

Por, prapa kësaj kontrate, dokumentet tregojnë një zinxhir faktesh që e bëjnë të domosdoshëm një shqyrtim shumë më të thellë, duke nxjerr një ofertues të vetëm, afat të shkurtuar për ofertim, kritere të shumta në tender, lidhje biznesore të mëhershme ndërmjet zyrtarit që më vonë u caktua menaxher i kontratës dhe një personi që figuron si staf profesional në ofertën e kompanisë fituese, si dhe përfshirje të të dyve në biznese të përbashkëta në sektorin e energjisë.

Një kontratë e madhe, me vetëm një ofertë

Aktiviteti i prokurimit është publikuar nga Termokos në platformën e e-prokurimit më 21 tetor 2024. Sipas njoftimit për kontratë, afati i fundit për dorëzimin e ofertave ka qenë 12 nëntor 2024. Kjo do të thotë se operatorët ekonomikë të interesuar kanë pasur në dispozicion vetëm 20 ditë për të përgatitur dhe dorëzuar ofertat për një kontratë të vlerës së madhe dhe me natyrë teknike të ndërlikuar.

Në fund, në këtë procedurë ka aplikuar vetëm një ofertues, pra konsorciumi i përbërë nga InSES SH.P.K. dhe Termovision SH.P.K.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e Termokos-it, Aferdita Uka-Fezullahu, në përgjigje për Kujdestari.info ka thënë se “Në këtë tender ka aplikuar vetëm një kompani. Pasi që Ligji i prokurimit publik lejon një gjë të tillë, atëherë është proceduar tutje”.

Formalisht, fakti që në një tender paraqitet vetëm një ofertues nuk e bën procedurën automatikisht të paligjshme. Por, kur kemi të bëjmë me një kontratë mbi dyqind mijë euro, me objekt të specializuar dhe me ndikim potencial në planifikimin afatgjatë të zgjerimit të ngrohjes qendrore në kryeqytet, ekzistenca e vetëm një oferte ngre dyshime se a ka qenë konkurrenca realisht e hapur dhe e mjaftueshme, apo është kufizuar përmes mënyrës se si është dizajnuar dhe afatizuar procedura?

Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur merret parasysh se vetë ndërmarrja e ka arsyetuar shkurtimin e afatit si çështje urgjence. Në dosjen e njoftimit për kontratë, Termokos ka shkruar:

“Aktiviteti i Prokurimit është me urgjencë per autoritetin kontraktues dhe kemi identifikuar një nevojë urgjente për zhvillimin e një studimi fizibiliteti që do të vlerësojë mbulueshmërinë e nevojshme për shërbime të ngrohjes në Prishtinë. Ky aktivitet është i rëndësishëm për të siguruar që projektet e ardhshme të jenë të qëndrueshme dhe të përmbushin nevojat e qytetarëve në Prishtine, si dhe përkrahjen e aplikacioneve per donacione. Për të përmbushur nevojat e urgjente të autoritetit kontraktues, është e nevojshme që të planifikohet një qasje e shpejtë dhe efikase për shpenzimet e fizibilitetit. Shkurtimi i afatit të dorëzimit nuk do te kete kufizime te kokurences pasi 20 dite do te jente te mjaftueshme per dorzim te ofertave”.

Megjithatë, pikërisht kjo arsyetim është një nga pikat ku lind dyshimi kryesor. Kur një institucion publik e shkurton afatin për një kontratë të madhe dhe me kërkesa teknike të ndërlikuara, barra për të dëshmuar se konkurrenca nuk është cenuar bëhet shumë më e lartë. Në rastin konkret, përfundimi me një ofertues të vetëm nuk e rrëzon automatikisht procedurën, por sigurisht e bën të domosdoshme pyetjen nëse afati i shkurtuar dhe kushtet e tenderit kanë ndikuar praktikisht që vetëm një operator apo një grup i vogël operatorësh të mund të konkurrojë.

Ligji për Prokurimin Publik i Republikës së Kosovës përcakton qartë afatet që duhet të respektohen në procedurat e hapura të prokurimit.

Në nenin 44 të Ligjit për Prokurimin Publik thuhet se për kontratat e mëdha autoriteti kontraktues duhet të sigurojë një afat minimal prej 40 ditësh për pranimin e tenderëve.

Ndërkohë, ligji lejon përdorimin e afateve të përshpejtuara vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

Në nenin 46 të këtij ligji thuhet: “Nëse ekzistojnë rrethanat që kërkojnë zbatimin e një aktiviteti të prokurimit në raste urgjente dhe që e bëjnë të pamundur respektimin e afateve kohore të përcaktuara në nenin 44, autoriteti kontraktues mund të zbatojë prokurimin me përdorimin e afateve të përshpejtuara. Megjithatë urgjenca nuk mund t’u atribuohet veprimeve ose mosveprimeve të autoritetit kontraktues”.

Po ashtu, ligji thekson se autoritetet publike kanë përgjegjësi të planifikojnë me kohë aktivitetet e prokurimit dhe nuk duhet të krijojnë vetë rrethana që më pas përdoren për të justifikuar procedura të përshpejtuara

Nga ana tjetër, sipas asaj që pretendon hulumtimi, përveç afatit të shkurtuar, dosja e tenderit ka përmbajtur edhe kritere të shumta, të cilat vështirë se do të mund të plotësoheshin shpejt nga kompani që nuk do të kishin parapërgatitje ose njohuri të hershme për aktivitetin. Pikërisht kombinimi i këtyre dy elementeve, pra afat i shkurtuar dhe kritere të shumta e të specializuara, e zhvendos çështjen nga një procedurë e zakonshme drejt një tenderi që meriton shqyrtim shumë më rigoroz.

Pse u kërkua studimi

Në përgjigjet e saj, Termokos ka sqaruar edhe qëllimin zyrtar të studimit. Sipas Aferdita Ukës:

“Bazuar në kontratën e projektit ‘Shpenzime për fizibilitetin e mbulueshmërisë për Prishtinën’, ky studim ka pasur për qëllim të vlerësojë sa është i realizueshëm në aspektin teknik, mjedisor dhe financiar zgjerimi i ngrohjes qendrore në 11 zona të reja të Prishtinës.”

Ajo ka shtuar po ashtu se: “Për projektet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që deri më tani janë realizuar falë mbështetjes nga donatorët ndërkombëtarë, janë realizuar studime fizibiliteti nga kompanitë konsulente ndërkombëtare. Ndërkaq, është hera e parë, që një studim i përmasave të tilla masive është realizuar nga ndërmarrja jonë.”

Pra, sipas versionit të ndërmarrjes, kemi të bëjmë me një studim të madh, të nevojshëm për planifikim teknik, mjedisor dhe financiar. Mirëpo, pikërisht sepse fjala është për një studim me ndikim strategjik në planifikimin e ardhshëm të ngrohjes në Prishtinë, mënyra se si është zhvilluar procedura dhe kush ka qenë në anën e kontraktorit bëhen edhe më të rëndësishme.

Kush e fitoi kontratën

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, fitues ka qenë grupi i operatorëve ekonomikë:

Instituti për Sisteme të Qëndrueshme Energjetike InSES SH.P.K në konzorcium me Termovision SH.P.K.

Vlera totale e ofertës ka qenë 228,530 euro.

Sipas të dhënave të ARBK-së që i posedon Kujdestari.info, kompania lider e kontratës, InSES SH.P.K., është e regjistruar që nga viti 2015. Në këtë biznes figuron si person i autorizuar Qefsere Sfishta, e cila sipas të dhënave të ARBK-së figuron edhe si pronare me 100 për qind të aksioneve.

Por, këtu fillon pjesa që e ndërlikon rastin. Sipas dokumenteve që i posedon mediumi, në ofertën e paraqitur për këtë kontratë, si pjesë e stafit profesional të ofruar nga konsorciumi figuron edhe Avni Sfishta. Në listën e stafit të ofruar nga konsorciumi InSES–Termovision, Avni Sfishta paraqitet si “Ekspert kyç 5”.

Kjo është e rëndësishme jo vetëm sepse ai figuron në ekipin profesional të kontraktorit, por edhe sepse emri i tij lidhet më pas me një sërë biznesesh në sektorin e energjisë ku shfaqet bashkë me Driton Hysenin, zyrtar i lartë i Termokos-it, i cili më vonë është caktuar menaxher i kësaj kontrate.

InSES, Avni Sfishta dhe të dhënat që lidhen me kompani të tjera

Një element tjetër që e bën rastin më të ndjeshëm është se, ndonëse në InSES zyrtarisht figuron si aksionare dhe menaxhere Qefsere Sfishta, të dhënat e tjera të biznesit përputhen me gjurmë që lidhen me Avni Sfishtën ose me subjekte ku ai shfaqet së bashku me Driton Hysenin.

Sipas dokumenteve qe posedon Kujdestari.info, te kompania kontraktuese InSES SH.P.K., adresa figuron si “Rruga Xhavit Ahmeti, 128” në Prishtinë. Po në këtë adresë figuron edhe kompania Kosovo GreenEnergy Center L.L.C., ku ortakë rezultojnë të jenë Avni Sfishta dhe Driton Hyseni. Po ashtu, sipas materialit të dorëzuar, edhe numri i telefonit figuron i njëjtë ndërmjet InSES dhe kësaj kompanie tjetër. Në InSES po ashtu figuron edhe email adresa [email protected].

Marrë veç e veç, secili prej këtyre elementeve mund të mos ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë ndonjë përfundim të prerë. Por të marra së bashku, emri i Avni Sfishtës në stafin profesional të ofertës, adresa e njëjtë, numri i njëjtë i telefonit dhe lidhjet në biznese të tjera me Driton Hysenin, këto të dhëna krijojnë një tablo që hedhin dyshime, nëse Termokos duhej të kishte bërë verifikime shumë më të thella për konflikt të mundshëm interesi.

Driton Hyseni dhe aksionet në tri kompani energjetike

Bazuar në deklarimin e pasurisë që Driton Hyseni e ka bërë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, ai ka deklaruar se zotëron aksione në tri kompani:

te kompania Kosovo GreenEnergy Center L.L.C.10.00% të aksioneve;

te kompania WSC Wind and Solar Construction L.L.C.25.00% të aksioneve;

te kompania Sun Ray Kosova L.L.C.50.00% të aksioneve.

Bazuar në të dhënat e ARBK-së që ka siguruar Kujdestari.info, të tria këto kompani janë hapur gjatë vitit 2022.

Në dy prej tyre, Avni Sfishta figuron si bashkaksionar me Driton Hysenin.

Kosovo GreenEnergy Center L.L.C.

Kjo kompani, sipas të dhënave të ARBK-së, ka si aktivitet primar “prodhimin e energjisë elektrike”, ndërsa si aktivitet tjetër edhe “tregtinë e energjisë elektrike”. Në këtë kompani, sipas materialit të dorëzuar, Avni Sfishta figuron si drejtor, ndërsa Driton Hyseni si zëvendësdrejtor.

Pronarët rezultojnë të jenë:

  • MSI GREENENERGY DOO62.00%
  • Fidaim Imeri18.00%
  • Avni Sfishta10.00%
  • Driton Hyseni10.00%

Sipas materialit që posedon mediumi, kompania me aksionet shumicë, MSI GREENENERGY DOO, është një ndërmarrje e regjistruar në Mal të Zi, në vitin 2022, vetëm 17 ditë para regjistrimit të Kosovo GreenEnergy Center L.L.C.

WSC Wind and Solar Construction L.L.C.

Në kompaninë WSC Wind and Solar Construction L.L.C., sipas të dhënave të ARBK-së, Driton Hyseni figuron si përfaqësues i autorizuar, ndërsa Florin Imeri si drejtor menaxhues.

Aksionarët rezultojnë të jenë:

Avni Sfishta25.00%

Florin Imeri16.00%

Fidaim Imeri17.00%

Driton Hyseni25.00%

Fatmir Imeri17.00%

Pra, në këtë kompani, Hyseni dhe Sfishta rezultojnë bashkëaksionarë me peshë të barabartë, secili nga 25 për qind.

Sun Ray Kosova L.L.C.

Edhe te kompania Sun Ray Kosova L.L.C., sipas ARBK, Driton Hyseni figuron si person i autorizuar, ndërsa Valon Sadiku si drejtor menaxhues. Aksionarë aty janë Hyseni dhe Sadiku.

Ndërsa në deklarimin e pasurisë në AKK, Hyseni ka deklaruar se zotëron 50 për qind të aksioneve, bazuar në të dhënat e ARBK-së për këtë biznes, rezulton se ai zotëron 66 për qind të aksioneve. Sipas këtyre të dhënave, aktiviteti primar dhe sekondar i kompanisë është prodhimi dhe tregtimi i energjisë elektrike. Kjo kompani po ashtu ka si aktivitet kryesor dhe dytësor prodhimin dhe tregtimin e energjisë.

Të ardhurat e deklaruara nga “Instituti për energji të qëndrueshme”

Një tjetër pjesë e dwshmive që e bën më të fortë interesin publik për këtë rast është deklarimi i të hyrave nga ana e Driton Hysenit.

Bazuar në deklarimin e pasurisë që ai ka bërë më 3 mars 2025, Hyseni ka deklaruar të hyra në vlerë prej 17,175.40 euro nga puna e kryer në “Instituti për energji të qëndrueshme”, përkatësisht për periudhën shtator 2021- qershor 2023.

Pra, me gjasë bëhet fjalë për institutin me të cilin Termokos ka lidhur kontratën, ndonëse emërtimi nuk është shënuar saktë në deklarim.

Në materialin që posedon Kujdestari.info, kjo e dhënë lidhet me faktin se kompania kontraktuese e Termokos-it ka qenë InSES SH.P.K., pra “Instituti për Sisteme të Qëndrueshme Energjetike”. Me fjalë të tjera, sipas asaj që ngre hulumtimi, Driton Hyseni ka deklaruar të ardhura nga një subjekt që lidhet me rrethin e kompanisë fituese dhe me Avni Sfishtën, i cili po ashtu figuron si pjesë e stafit profesional të ofertës së atij konsorciumi.

Kjo nuk dëshmon vetvetiu shkelje ligjore. Por e bën shumë më serioz dyshimin nëse më vonë, kur ai u caktua të menaxhonte kontratën e Termokos-it me atë konsorcium, ndërmarrja duhej ta trajtonte me shumë më tepër kujdes çështjen e konfliktit të mundshëm të interesit.

Menaxher i kontratës: dokumenti që e vendos Hysenin në qendër të rastit

Kujdestari.info posedon një dokument të nënshkruar nga ish-kryeshefi i Termokos-it, Fisnik Osmani, ku Driton Hyseni caktohet menaxher i projektit për implementimin e kontratës “Shpenzimet për fizibilitet të tubacioneve për Prishtinën”, me numër të brendshëm TER-024-044-2.1.1.

Dokumenti mban datën 09.09.2025 dhe në të thuhet:

“Z. Driton Hyseni, Drejtor i Departamentit të Investimeve kapitale, caktohet Menaxher i Projektit për implementimin e kontratës sipas specifikimit teknik me emrin ‘Shpenzimet për fizibilitet të tubacioneve për Prishtinën TER – 024 – 044.21.1’.”

Më tej, në të njëjtin dokument thuhet se mbikëqyrës i menaxherit të projektit caktohet Florent Hoxha, drejtor i departamentit të prodhimit/kogjenerimit. Dokumenti e arsyeton caktimin duke iu referuar edhe një interpretimi ligjor, sipas të cilit një zyrtar i departamentit që ka përgatitur specifikimet apo standardet nuk ka ndalesë automatike për t’u emëruar menaxher kontrate.

Në dokument thuhet, ndër të tjera, se: “Menaxheri i projektit, në bashkëpunim të vazhdueshëm, duhet të monitorojë performancën e operatorëve ekonomikë në zbatim të kontratës…”

Pra, sipas vetë vendimit të ndërmarrjes, Hyseni është caktuar në pozitën kyçe për monitorimin e zbatimit të kontratës.

Kjo është pika ku rasti bëhet më delikat. Sepse, sipas të dhënave të hulumtimit, Hyseni ishte caktuar të monitoronte kompaninë apo konsorciumin ku si staf profesional figuron Avni Sfishta, person me të cilin ai ka ortakëri në kompani të tjera të energjisë dhe nga një subjekt i lidhur me këtë rreth kishte deklaruar të hyra në të kaluarën.

Çfarë thotë Termokos

Për këto çështje, Kujdestari.info i ka dërguar një sërë pyetjesh Termokos-it. Në përgjigjet e saj, zëdhënësja Aferdita Uka-Fezullahu ka mbajtur qëndrimin se ndërmarrja nuk ka pasur njohuri për lidhjet që po ngrihen në hulumtim.

Në pyetjen nëse Termokos ka bërë verifikim për konflikt të mundshëm interesi lidhur me kompaninë fituese dhe personat e lidhur me të, ajo është përgjigjur:

“Jo, nuk kemi pasur informata të tilla”.

Në pyetjen nëse ka pasur apo ka ndonjë lidhje profesionale ose biznesi ndërmjet përfaqësuesve të kompanisë fituese dhe zyrtarëve aktualë apo të mëhershëm të Termokos-it, ajo ka thënë: “Nuk jemi në dijeni”

Në pyetjen nëse Driton Hyseni është i punësuar aktualisht në Termokos dhe çfarë pozite mban, ajo ka sqaruar:

“Driton Hyseni ka qenë anëtar i Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes nga viti 2019 deri në vitin 2021, prej të cilit post ka dhënë dorëheqje pak kohë para skadimit të mandatit. Nga 25.04.2023 është angazhuar si ekspert i jashtëm për njësinë e implementimit të projekteve në një periudhë 1 vjeçare. Prej 08.03.2024 ka qenë në pozitën e zëvendësdrejtorit të Departamentit të distribuimit. Ndërkaq, prej 17.03.2025 është përzgjedhur drejtor i Departamentit për zhvillim dhe investime kapitale, në të cilën pozitë është ende.”

Në pyetjen nëse Hyseni ka pasur ndonjë rol në përgatitjen, vlerësimin apo mbikëqyrjen e kësaj kontrate, apo nëse ka qenë i angazhuar nga kontraktori në të, Uka është përgjigjur:

“Në cilësinë e menaxherit të kontratës rrjedhimisht ai ka kryer të gjitha punët, që ka përgjegjësi si menaxher.”

Ndërsa në pyetjen nëse Hyseni ka pasur apo ka lidhje biznesi apo bashkëpronësi në ndonjë kompani me Avni Sfishtën ose persona të lidhur me të, ajo ka thënë “Nuk e dijmë.”

Kurse në pyetjen nëse një lidhje e tillë është deklaruar si konflikt interesi dhe nëse zyrtari është tërhequr nga procesi, përgjigjja ka qenë:

“Procedurat për realizimin e këtij aktiviteti tenderues janë zhvilluar nga menaxhmenti i kaluar i ndërmarrjes, rrjedhimisht nuk i posedojmë të gjitha informacionet.”

Çfarë thotë Driton Hyseni

Për të njëjtat çështje, Kujdestari.info i ka drejtuar pyetje edhe Driton Hysenit. Në përgjigjen e tij të gjatë zyrtare, ai e mohon çdo përfshirje në procedurën e prokurimit dhe mohon ekzistencën e konfliktit të interesit.

Në pjesën e parë të deklaratës së tij, Hyseni thotë: “Deklaroj se nuk kam qenë i përfshirë në asnjë fazë të procedurës së prokurimit publik, përmes së cilës është përzgjedhur konsorciumi InSES Sh.p.k. dhe Termovision Sh.p.k.”

Ai e detajon këtë mohim duke shtuar se “nuk kam qenë i përfshirë në përgatitjen apo hartimin e dokumentacionit të tenderit; nuk kam qenë pjesë e Zyrës së Prokurimit apo e komisionit për vlerësimin e ofertave; nuk kam marrë pjesë në vlerësimin, pikëzimin, shqyrtimin apo rekomandimin e ofertave; nuk kam qenë pjesë e vendimmarrjes për dhënien e kontratës; nuk i kam ofruar asnjë operatori ekonomik informacion të brendshëm, këshillë apo mbështetje në lidhje me procedurën e prokurimit”.

Lidhur me raportin e tij me Avni Sfishtën, Hyseni pranon se të dy figurojnë bashkë në kompani, por thotë se ato kanë mbetur joaktive: “Deklaroj se unë dhe z. Avni Sfishta figurojmë si aksionarë në dy kompani të regjistruara të veçanta”.

Më pas shton se “këto kompani nuk kanë ushtruar aktivitet biznesor; nuk kanë gjeneruar të ardhura apo realizuar projekte; nuk kanë paguar paga apo kontribute për punonjës;
dhe në praktikë kanë mbetur subjekte joaktive nga pikëpamja operacionale”.

Sa i përket rolit të tij si menaxher i kontratës, ai pretendon se është përfshirë vetëm në fund të zbatimit “Deklaroj se përfshirja ime në këtë kontratë ka filluar vetëm pas përfundimit të procedurës së prokurimit dhe ne fazen e perfundimit të kontratës, në fazën kur zbatimi i saj tashmë ishte ne finalizim.”

Ai thotë gjithashtu se: “fillimisht është emëruar Menaxheri i parë i kontratës (qe nuk jam unë); pas pensionimit të tij është emëruar Menaxheri i dytë i kontratës (qe nuk jam unë);
vetëm në një fazë të vonshme të kontratës jam emëruar edhe unë si Menaxher i Kontratës, me vendim të Kryeshefit Ekzekutiv.”

Më tej ai pretendon se, në momentin e emërimit të tij: “puna substanciale e paraparë me kontratë tashmë ishte realizuar; dorëzimet elektronike të dokumentacionit tashmë ishin pranuar nga ana e përfaqësuesve të kompanisë; ndërsa dokumentet fizike ishin dorëzuar përmes arkivës zyrtare të Termokos.”

Në lidhje me raportin përfundimtar të brendshëm që ka përgatitur, ai thotë se ai është mbështetur në dokumentacionin teknik, termat e referencës dhe evidencën zyrtare të dorëzimit të dokumentacionit final. Në pjesën më të ndjeshme të deklaratës së tij, ku trajton pretendimet për konflikt interesi, Hyseni shkruan: “Sa i përket pretendimeve për konflikt interesi, theksoj se konsorciumi – kompania përfituese e kontratës nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në bashkëpronësi me mua, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi.”

Ai pranon një marrëdhënie të mëhershme biznesore me Avni Sfishtën, por përpiqet ta shkëpusë atë nga kontrata konkrete: “Është e vërtetë që në të kaluarën kam qenë bashkëpronar në kompani tjetër private me z. Avni Sfishta, mirëpo ajo kompani nuk është aktive që nga viti 2022 dhe nuk ka pasur asnjë rol apo ndikim qofte drejtpërdrejt apo tërthortë në hartimin e raportit në fjalë.”

Ai thekson edhe se në këtë rast nuk ekziston konflikt interesi, pasi nuk ka asnjë interes privat aktual apo lidhje pronësore që do të mund të ndikonte në vlerësimin profesional të projektit.

Dhe në fund thotw se “Prandaj, në mungesë të interesit privat aktual, lidhjes pronësore apo përfitimit personal, pretendimet për konflikt interesi janë të pabazuara.”

Në përgjigjet e tij për Kujdestari.info, Avni Sfishta ka mohuar çdo përfshirje të Driton Hysenit në projektin përkatës dhe çdo lidhje relevante të tij me kompaninë fituese në kuadër të këtij aktiviteti. Ai fillimisht ka sqaruar se kompania InSES SH.P.K., të cilës i referohet kontrata e Termokos-it, nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në pronësinë e tij, duke theksuar se kjo mund të verifikohet lehtësisht përmes të dhënave zyrtare në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Sa i përket rolit të Driton Hysenit, Sfishta ka deklaruar se ai nuk ka pasur asnjë funksion, rol apo angazhim në këtë projekt dhe nuk ka qenë i përfshirë në asnjë formë bashkëpunimi me kompaninë InSES SH.P.K. apo me konsorciumin në fjalë gjatë realizimit të studimit.

Ai ka shtuar se nuk ekziston asnjë marrëdhënie kontraktuale, profesionale apo tjetër ndërmjet Hysenit dhe kompanisë që do të mund të lidhej me këtë projekt apo të ndikonte në përmbajtjen apo vlerësimin e tij. Sipas tij, gjatë gjithë procesit të realizimit të studimit, komunikimi dhe dorëzimi i dokumenteve është bërë në mënyrë elektronike përmes emailave zyrtarë tek menaxherët e projektit, dhe asnjëri prej këtyre menaxherëve nuk ka qenë Driton Hyseni.

Në lidhje me raportet e mundshme biznesore ndërmjet tij dhe Hysenit, Sfishta ka pranuar se në vitin 2022 ka qenë i angazhuar në një konsorcium që kishte interes për zhvillimin e dy projekteve të ndara për prodhimin e energjisë elektrike përmes sistemeve fotovoltaike, ku pjesë e këtij angazhimi ka qenë edhe Driton Hyseni.

Ai ka sqaruar se për këtë qëllim janë regjistruar kompani të përbashkëta ku Hyseni figuron si aksionar, por ka theksuar se këto projekte nuk janë realizuar asnjëherë dhe kompanitë përkatëse nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet ekonomik. Sipas tij, këto kompani nuk kanë pasur qarkullim financiar, nuk kanë pasur të punësuar dhe nuk kanë ushtruar veprimtari operative, duke mbetur në praktikë subjekte joaktive.

Duke iu kthyer projektit konkret të studimit të fizibilitetit, Sfishta ka ritheksuar se Hyseni nuk ka qenë i përfshirë në asnjë mënyrë në aktivitetet e kompanisë InSES SH.P.K., as në konsorciumin që ka realizuar projektin dhe as në vet procesin e hartimit të studimit. Ai ka nënvizuar se në realizimin e këtij projekti kanë qenë të përfshirë ekskluzivisht ekspertët e angazhuar nga konsorciumi dhe se asnjë person jashtë listës së stafit profesional të paraqitur në ofertë nuk ka marrë pjesë në këtë proces. Në këtë mënyrë, Sfishta ka kundërshtuar çdo pretendim që mund të lidhë Driton Hysenin me realizimin e këtij projekti apo me kompaninë kontraktuese në këtë rast.

Lidhja tjetër: projekti solar i Termokos.

Rasti bëhet edhe më interesant për shkak të një tjetër elementi që del nga dokumentet e dorëzuara në hulumtim, emrat e Avni Sfishtës dhe Driton Hysenit shfaqen të lidhur edhe me projekte të tjera të Termokos-it në sektorin e energjisë.

Në një dokument që paraqet strukturën e ekipit të projektit solar të Termokos-it, Avni Sfishta figuron si pjesë e “Backstopping Support”, me rolin “District Heating Expert”, në kuadër të programit FOPIP & ESAP. Kjo do të thotë se ai figuron si ekspert në ekipin këshillues të projektit solar të Termokos-it.

Nga ana tjetër,  Driton Hyseni del i lidhur me projektin solar në implementim teknik. Edhe nëse për këtë pjesë kërkohet kujdes maksimal në formulim, ajo që del nga dokumentet  është se të dy emrat, Avni Sfishta dhe Driton Hyseni, shfaqen të lidhur me projektet energjetike që mbështesin ose lidhen me Termokos-in, në role të ndryshme.

Pse ky rast është problematik edhe nëse nuk provohet shkelje penale.

Në një rast të tillë, nuk është e nevojshme që fillimisht të provohet ndonjë shkelje penale që çështja të jetë serioze. Për hulumtimin gazetaresk dhe për interesin publik mjafton të ekzistojë një kombinim rrethanash që krijojnë perceptim të fortë për konflikt të mundshëm interesi ose për mungesë të kujdesit institucional.

Edhe nëse pranohet versioni i Hysenit se ai nuk ka marrë pjesë në prokurim dhe është përfshirë vetëm në fund, mbetet çështje legjitime e interesit publik nëse një ndërmarrje publike, sapo e emëron një zyrtar menaxher të kontratës, duhet të bëjë verifikim nëse ai ka pasur marrëdhënie të mëhershme biznesore me persona që figurojnë në ekipin profesional të kontraktorit, ose të lidhur me vet kontraktorin e kompaninë kontraktuese. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera