Të dhënat zyrtare të Agjencisë Europiane të Statistikave regjistrojnë një normë të rritjes së çmimeve prej 4,5 për qind në Kosovë në muajin gusht, që është afërsisht dyfishi i ngritjes së çmimeve krahasuar me Shqipërinë, ku sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ngritja e çmimeve në gusht është regjistruar të jetë 2.3 për qind.
Në Kosovë, nuk po ndalet ngritja e çmimeve të të gjitha produkteve praktikisht, dhe të një numri të konsiderueshëm shërbimesh. Ky fakt vërehet edhe në rrjetet tregtare me shumicë edhe në ato me pakicë. Ndërkohë, ngritjen e ndjeshme të çmimeve në Kosovë e shënojnë edhe agjencitë e statistikave, si ato të vendit, ashtu edhe ato ndërkombëtare.
Të dhënat zyrtare të Agjencisë Europiane të Statistikave regjistrojnë një normë të rritjes së çmimeve prej 4,4 për qind në muajin gusht, që është një rritje shumë e përafërt me lëvizjen e çmimeve në Maqedoninë e Veriut, ku në muajin gusht u shënua një ngritje çmimesh prej 4,5 për qind, ndërsa është afërsisht dyfishi i ngritjes së çmimeve krahasuar me Shqipërinë, ku sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ngritja e çmimeve del të jetë 2.3 për qind.
Më fjalë të tjera, ngritja e çmimve në muajin gusht të 2025-tës në Kosovë, është shumë më e madhe se në Shqipëri, sado që është e ditur se në Shqipëri, në muajin gusht, kur është piku i valës turistike dhe ku vërshojnë turistë nga shumë vende të botës, rëndom kishte ngritje të theksueshme çmimesh.
Nga ana tjetër, inflacioni sipas ‘INSTAT’ për të njëjtën periudhë fiksohet të jetë 2.3 për qind, përafërsisht sa inflacioni mesatar në Europë që përllogaritet të ketë arrirur në gusht në 2.4 për qind, që do të thotë se çmimet në shtetin shqiptar, në muajin gusht, ishin më të ulëta se mesatarja europiane.
Vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë gjatë gushtit të këtij viti, janë Rumania me 8.5 për qind, Estonia me 6.2 për qind, në Serbi 4.9 për qind dhe në Malin e Zi 4.7 për qind, shkruan Buletini Ekonomik.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, të transmetuara nga Scantv, rritja më e madhe e çmimeve prej 9.9 për qind vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.6 për qind, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.7%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.6%, “Komunikimi” me 1.1%, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 1.0% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.6%, “Veshje dhe këpucë” me 0.4%.
Ndërkohë, të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK] për çmimet e konsumit, tregojnë se Indeksi i tërësishëm i harmonizuar ka shënuar rritje të ndjeshme në të gjithë mujat e sivjetshëm. Sipas ASK-së, çmimet në muajin korrik u rritën mesatarisht 4.3% në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2024.
Rritje çmimesh pati në grupet si: pushime të organizuara 20,9%, kafe, çaj dhe kakao 16,9%, energjie elektrike 16,6%, mish 12,7%, pemë (12,3%, perime 10,7%, shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit 10,4%, mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit 10,2%, vajra dhe yndyra 9,9%, shërbime hoteliere 8,2%, shërbime ambulantore 7,1%, qumësht, djathë dhe vezë 6,5%, gazeta, libra dhe materiale për zyra 6,2%, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 6,2%.
Çmimet u rritën edhe në mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 6,1%, pije alkoolike 5,8%, shërbime financiare 5,2%, bukë dhe drithëra 5,0%, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 4,9%, kujdes personal 4,7%, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 4,0%, prodhime ushqimore 3,9%, furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin 3,5%, këpucë 3,4%, duhan 3,4%, gjëra personale 3,3%, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 3,2%, qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës 2,3%, veshje 2,2%, transport rrugor i pasagjerëve 2,0%, dhe gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare 1,1%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4,9%