Aktuale

SPAK kundërshton rritjen e koeficientit në 120 euro: Kërkon që pagat të rriten nga janari 2027

Nga Kujdestari Media

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për rritjen e vlerës së koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, me zbatim nga 1 korriku 2027.

Në një reagim publik, SPAK e ka cilësuar këtë rritje si të pamjaftueshme dhe të vonuar, duke vlerësuar se 10 euro më shumë në koeficient nuk përbëjnë përmirësim të mirëqenies së shërbyesve civilë, në kushtet e rritjes së kostos së jetesës.

Kjo sindikatë kërkon që vlera e koeficientit prej 120 eurosh të rishikohet, ndërsa rritja të hyjë në fuqi nga 1 janari 2027 dhe jo nga korriku i po atij viti.

SPAK ka theksuar gjithashtu se paga e 13-të nuk duhet të përdoret si arsyetim për pamjaftueshmërinë e pagës bazë, pasi sipas sindikatës, ajo është përfitim shtesë dhe nuk mund të zëvendësojë të ardhurat e rregullta mujore.

Në reagimin e nënshkruar nga kryetari Ali Gashi, SPAK i ka kërkuar Qeverisë hapjen e menjëhershme të dialogut social me përfaqësuesit sindikalë dhe rregullimin me bazë ligjore të pagës së 13-të.

Sindikalistët kanë paralajmëruar se nuk do të pajtohen me atë që e konsiderojnë rritje simbolike të pagave dhe kanë kërkuar trajtim më të drejtë ekonomik e institucional për shërbyesit civilë. /Kujdestari.info/