E hënë, 18 Gusht, 2025

Skenderaj, komuna që shpërndan subvencione dy herë në vit për të njëjtin përfitues

Ndaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në raportin për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2024 për Komunën e Skenderajt, ka evidentuar shkelje serioze në ndarjen e subvencioneve për OJQ-të dhe përfituesit individualë. Auditorët kanë gjetur se procedurat nuk janë respektuar, duke rritur dyshimet për trajtim të pabarabartë të aplikuesve dhe për përdorim joefikas të parasë publike, shkruan Kujdestari.info.

Sipas gjetjeve të ZKA-së, në tri raste subvencionimi me vlerë totale prej 40,400 euro, përfituesit nuk kishin dorëzuar raportin e auditimit të jashtëm, siç e kërkon qartë rregullorja e brendshme e komunës për subvencionim. Për më tepër, Komuna nuk kishte publikuar as udhëzuesin për aplikantët gjatë thirrjeve publike, duke cenuar transparencën dhe barazinë në qasje.

Një tjetër shkelje e rëndë është regjistruar me projektin “Festivali gjithëkombëtar Rapsodia Shqiptare”, ku e njëjta OJQ ishte subvencionuar dy herë brenda vitit kalendarik 2024, ndonëse rregullorja përcakton qartë se një përfitues mund të marrë subvencion vetëm një herë në vit. Në këtë rast, vlera e përgjithshme e subvencioneve arriti në 33,700 euro.

Skandale nuk mungojnë as te bursat për nxënësit. Auditori ka zbuluar se Komuna kishte financuar me 3,500 euro transportin e nxënësve me nevoja të veçanta, por përfituesi ishte përzgjedhur nga prindërit përmes nënshkrimeve, e jo përmes procedurave ligjore, duke shkelur kështu rregulloret e brendshme.

Sipas ZKA-së, këto parregullsi janë rezultat i moszbatimit të procedurave dhe akteve rregullative përkatëse nga zyrtarët komunalë, duke krijuar terren për vendime arbitrare dhe për përdorim të fondeve jashtë qëllimit.

Auditorët theksojnë se dhënia e subvencioneve në mungesë të dokumentacionit të plotë dhe në kundërshtim me rregulloren, jo vetëm që rrezikon barazinë mes aplikuesve, por edhe e bën të dyshimtë vetë efektivitetin e subvencionimit.

ZKA ka rekomanduar që kryetari i Skenderajt të sigurojë respektim të plotë të procedurave ligjore dhe mbikëqyrje më të fortë, në mënyrë që praktikat e tilla të mos përsëriten. Menaxhmenti i komunës ka pranuar gjetjet e auditorit, duke deklaruar se pajtohet me to. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera