Pas publikimit të një videoje ku shihet një mi në një prej marketeve të rrjetit ETC, ka reaguar themeluesi i kompanisë, Ramiz Kelmendi. Ai në një deklarim për Kujdestari.info thotë se rasti nuk është i rastësishëm, por sipas tij, dikush po e bën qëllimisht për të dëmtuar imazhin e kompanisë.
Në rrjetet sociale është shpërndarë një video ku shihet një mi i madh në supermarketin ETC në Fushë Kosovë, pranë sektorit të pemëve, perimeve dhe produkteve të tjera ushqimore, shkruan Kujdestari.info.
Pronari i ETC-së, Ramiz Kelmendi, e ka mohuar se bëhet fjalë për mungesë higjiene brenda marketit.
Ai në një përgjigje për Kujdestarin, ka thënë se kompania kryen rregullisht procesin e deratizimit dhe se pamjet e publikuara mund të jenë të inskenuara.
“Mundet dikush me qëllim me vendosë në produktet që vijnë nga arat vendore, sepse shihet i paorientuar. Kompania për deratizim e kryen punën e vet me rregulla”, ka deklaruar Kelmendi.
Megjithatë, jo rrall herë qytetarët kanë publikuar në rrjetet sociale foto apo video të minjëve nëpër supermarkete të ndryshme, ku janë parë minj apo mace te sektorët e pemëve, perimeve apo edhe mishrave e bylmetit. /Kujdestari.info