E premte, 13 Mars, 2026

Skandal në QKMF të Klinës: Shkelet vendimi i Kryeministrit, punëtorët paguhen nën pagën minimale

Ndaj

Pavarësisht vendimit zyrtar të Kryeministrit të Kosovës për rritjen e pagës minimale, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, punëtorët teknik po vazhdojnë të paguhen në mënyrë të paligjshme, shkruan Kujdestari.info.

Sipas Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), punëtorët teknikë sot kanë marrë vetëm 350 euro pagë, në kundërshtim flagrant me vendimin e Qeverisë së Kosovës, i cili parasheh që nga 1 janari 2026 paga minimale të jetë 425 euro, ndërsa nga korriku 2026 të rritet në 500 euro.

Vendimi në fjalë, i miratuar më 31.10.2025 me numër 10/273, është detyrues për të gjitha institucionet dhe moszbatimi i tij përbën shkelje të drejtpërdrejtë ligjore dhe abuzim me të drejtat e punëtorëve.

FSPTSPK e cilëson këtë veprim si shkelje të rëndë të ligjit dhe përbuzje të vendimeve shtetërore, duke paralajmëruar se rasti do të dërgohet në Inspektoratin e Punës, e nëse është e nevojshme, edhe në Gjykatë.

“Punëtorët teknikë nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Federata kërkon zbatim të menjëhershëm të vendimit dhe pagesë sipas pagës minimale, duke paralajmëruar se heshtja institucionale ndaj këtyre shkeljeve vetëm sa e thellon padrejtësinë sociale. /Kujdestari.info

Lexo më shumë

Të tjera