Ministria e Shëndetësisë po përgatitet të paguajë rreth gjysmë milioni euro për të asgjësuar barna të skaduara që kanë mbetur të grumbulluara në depot e shtetit për vite me radhë. Rreth 150 tonë ilaçe, të njëjta që do të mund të shpëtonin jetë të pacientëve, do të përfundojnë në incenerator, duke mbushur 6 deri në 10 kamionë të mëdhenj TIR, shkruan Kujdestari.info.
“Ri-Tender – Asgjësimi i barnave dhe materialit shpenzues medicinal nga Depoja e Barnave e MSh-së”. Kështu quhet tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë që parasheh asgjësimin e rreth 150 mijë kilogramëve barna.
Për këtë tender është rekomanduar për kontratë kompania “MetBat” SH.P.K. nga Drenasi, në një vlerë prej 490,000 eurosh. Kontrata do të nënshkruhet me të njëjtën kompani, pasi ka kaluar afati i ankesave.

Sipas paramasës së publikuar, sasia e barnave për asgjësim është e ndarë kështu:
- 50 mijë kilogramë barna dhe material shpenzues medicinal të identifikuar (rreth 30 mijë kg nga MSh dhe rreth 20 mijë kg nga IKSHPK).
- 100 mijë kilogramë barna të paidentifikuara, që pritet të evidentohen, maten, përgatiten dhe dërgohen për asgjësim (hapësirë e pa përcaktuar prej 180 deri në 230 m³).

Kontrata do të ketë validitet për një vit dhe mund të rritet edhe për 30% të vlerës së saj, që nënkupton 147 mijë euro shtesë për asgjësim të barnave të tjera, nëse kjo paraqitet si nevojë.
Në dosjen e tenderit theksohet se “nga gjendja e keqe e depos së barnave qendrore të MSh-së, ku si stok është krijuar me vite, është shumë e nevojshme të asgjësohen barnat dhe materiali shpenzues i identifikuar dhe i paidentifikuar, meqenëse paraqesin rrezik dhe pengesë në depo, duke marrë parasysh se tani MSh është në proces të realizimit të depos së re të marrë nga AKP dhe kjo sasi nuk mund të jetë pjesë e depos së re”.
Kjo sasi prej 150 tonësh barnash të skaduara përbën ngarkesë sa 6 deri në 10 kamionë të mëdhenj TIR, të mbushur plot. Një situatë e tillë tregon qartë shkallën shqetësuese të keqmenaxhimit, ku depoja e shtetit është shndërruar në varrezë barnash.
Pra, fakti që një sasi kaq e madhe barnash me peshë prej 150 tonësh po shkon drejt asgjësimit, është një alarm i madh publik. Barnat e blera me para të qytetarëve, në vend se të përdoren për pacientët, kanë mbetur në depo për vite të tëra derisa u ka kaluar afati. /Kujdestari.info/