Një qytetar nga Kosova i është drejtuar redaksisë së Kujdestari.info, duke dërguar faturën e barnave që i ka blerë pas një gripi sezonal, i cili më pas ka kaluar në sinus. Sipas tij, shpenzimet e bëra tregojnë se një sëmundje e zakonshme kthehet në barrë serioze financiare për qytetarët.
Sipas faturës, qytetari ka blerë disa barna dhe produkte ndihmëse që përdoren zakonisht për trajtimin e sinusit akut. Në mesin e tyre është Inceptum 500 mg, një antibiotik i përdorur për infeksione bakteriale të sinuseve, i cili ka kushtuar mbi 22 euro. Po ashtu, ai ka blerë Jenaprofen 600 mg, qetësues dhe anti-inflamator për dhimbje koke, temperaturë dhe inflamacion, me çmim rreth 5 euro.
Në listën e barnave figuron edhe Hysan Spray Adult, një spray nazal me ujë deti për pastrimin e hundëve, si dhe Budined, spray me bazë kortikosteroide për uljen e inflamacionit të mukozës së hundës. Këto dy produkte, së bashku, kapin vlerën mbi 20 euro. Përveç tyre, qytetari ka blerë edhe NeilMed Sinus Rinse, komplet për larjen e sinuseve me solucion fiziologjik, i cili kushton rreth 17-18 euro dhe shërben vetëm si produkt ndihmës, jo si ilaç për sëmundje të rënda.
Në total, shuma e barnave të blera arrin mbi 71 euro, ndërsa edhe pas zbritjeve minimale, pagesa e bërë mbetet mbi 65 euro. Qytetari që e ka dërguar faturën në redaksi shprehet i revoltuar, duke thënë se “nuk ka hesap me u sëmu në Kosovë”, pasi edhe për një grip të zakonshëm qytetarët detyrohen të paguajnë shuma të larta nga xhepi i tyre.
Këto barna përdoren zakonisht për infeksione sezonale dhe nuk lidhen me sëmundje të rënda apo kronike. Në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian, trajtime të ngjashme zakonisht kushtojnë dukshëm më pak, pasi një pjesë e barnave mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Në Kosovë, ndërkaq, edhe një grip që kalon në sinus mund të kthehet në luks për shumë familje me tw ardhura të ulëta. /Kujdestari.info/
