Prej gati dy javësh, sistemi për paraqitjen e provimeve për herë të parë në njësitë për patentë-shofer nuk është duke funksionuar.
Njëri nga pronarët e një autoshkolle ka treguar për Kujdestarin se sistemi për paraqitjen e kandidatëve për provimin e parë është jashtë funksionit.
Sipas tij, kjo po sjell edhe probleme të mëdha tek kandidatët.
“Sistemi nuk po punon tash e gati dy javë. Çdo herë na thonë se do të rregullohet sot ose nesër, por deri tani asgjë nuk ka ndodhur. Kandidatët që janë për herë të parë në provim nuk mund ta paraqesin atë. Askush s’po merr masa e as përgjegjësi”, ka deklaruar ai për Kujdestarin.
Si pasojë, dhjetëra kandidatë po detyrohen të shkojnë çdo ditë nëpër qendra me shpresën se sistemi do të rregullohet, por pa sukses.
Kandidatët janë shprehur të shqetësuar për zvarritjen e procesit, duke theksuar se kjo situatë po u shkakton humbje kohe dhe shpenzime shtesë.
Ata po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë dhe të japin një sqarim zyrtar për arsyet e mosfunksionimit të sistemit.
Derisa problemi të zgjidhet, mbetet e paqartë se kur kandidatët do të mund të paraqiten në provim dhe të vazhdojnë procedurat për pajisjen me patentë-shofer./Kujdestari.info/.