Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas incidentit të fundit në minierë, ku disa minatorë mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës.
Përmes një reagimi publik, sindikata ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar, duke e konsideruar rastin si një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë.
“Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar!”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Sindikata thekson se në vazhdimësi ka ngritur shqetësime lidhur me kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët e emergjencës, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
Sipas tyre, minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë nën frikën se një defekt teknik mund t’ua rrezikojë jetën.
Sindikata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë një hetim të plotë dhe transparent për rastin, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të bëjnë një vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë.
Po ashtu, ajo kërkon investime urgjente nga shteti për sigurinë e minatorëve.
“Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve”, thuhet në reagim.
Sindikata ka vlerësuar edhe raportimin e mediave për shqetësimet e minatorëve, por ka theksuar se përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te mediat.
“Institucionet duhet të veprojnë”, ka theksuar sindikata.
Në fund, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka rikujtuar se, pavarësisht rëndësisë strategjike të Trepçës për Kosovën, jeta dhe shëndeti i minatorëve duhet të jenë mbi çdo interes tjetër.
“Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, thuhet në reagimin e sindikatës. /Kujdestari.info/