E martë, 27 Janar, 2026

Sindikata e Postës paralajmëron rritje pagash dhe masa sindikale nëse nuk plotësohen kërkesat

Ndaj

Shoqata Sindikale “POSTA” ka njoftuar se është duke punuar intensivisht për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave për punëtorët e Postës së Kosovës, duke paralajmëruar edhe masa sindikale në rast se kërkesat e saj nuk realizohen brenda afateve të caktuara, raporton Kujdestari.info.

Sipas njoftimit drejtuar anëtarëve, sindikata ka garantuar se rritja e pagave pritet të ndodhë së shpejti, me fokus të veçantë tek postierët, sportelistët dhe shoferët e linjave. Po ashtu, është kërkuar nga menaxhmenti shpërndarja e një bonusi për të gjithë punëtorët, kërkesë e cila është diskutuar në bord dhe pritet të miratohet në një afat të afërt.

Sindikata ka kërkuar gjithashtu hapjen urgjente të konkurseve për postierë dhe sportelistë, duke theksuar se nuk do të lejojë që punëtorët ekzistues të ngarkohen me detyra shtesë për shkak të largimeve nga puna apo pensionimeve. Sipas saj, pranimi i punëtorëve të rinj është i domosdoshëm për funksionimin normal të shërbimeve.

Menaxhmenti i Postës është njoftuar për afatet e realizimit të këtyre kërkesave, ndërsa nga sindikata është bërë e ditur se, nëse ato nuk përmbushen, do të ndërmerren masa sindikale, përfshirë edhe protesta të organizuara, siç ka ndodhur edhe më herët.

Në fund të njoftimit, sindikata ka bërë thirrje për unitet mes punëtorëve, duke theksuar se vetëm përmes bashkimit mund të realizohen të drejtat e tyre. Po ashtu, është bërë e ditur se është në përgatitje edhe një ekskursion tre-ditor jashtë Kosovës për të gjithë anëtarët e sindikatës. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera