Tender

Si u katërfishuan aneks-kontratat dhe pse kjo paraqet potencial për abuzim?

Nga Kujdestari Media

Brenda periudhe pesëvjeçare 2021-2025 aneks-kontratar janë rritur, si për nga pesha në miliona euro, ashtu edhe për nga pjesëmarrja e tyre e shprehur në përqindje. Edhe pse lejohen me ligj, këto kontrata krijojnë hapësirë praktike për keqpërdorim të parasë publike, sidomos kur nuk plotësohen kushtet sipas ligjit për dhënien e aneks-kontratave, tregon analiza “Aneks-kontratat nën llupë” e publikuar nga Sbunker. 

Dokumenti i politikave “Aneks-kontratat nën llupë – Rritje për 482% brenda 5 vjetëve: Çka tregon shtimi i aneks-kontratave për prokurimin publik?” pasqyron potencialin e keqpërdorimit të parasë publike përmes aplikimit të aneks-kontratave në Kosovë. Viteve të fundit, pesha e aneks-kontratave ka shënuar rritje, ndonëse këto lloj kontratash janë aplikuar vazhdimisht në Kosovë.

“Ndonëse e rregulluar me ligj, pesha e aneks-kontratave është rritur me 482% nga viti 2021 deri në vitin 2025, duke e çuar vlerën e tyre nga 3,2 milionë në 18,6 milionë. Vlera e aneks-kontratave ishte e lartë edhe gjatë periudhave të tjera pesëvjeçare: nga viti 2016 deri në vitin 2020, mbi 33 milionë euro në total, ndërsa gjatë periudhës 2021–2025 arriti në mbi 48 milionë euro”, thuhet ndër të tjera në analizë.

Ligji parasheh që, në raste specifike kur lind nevoja për punë apo shërbime shtesë, të cilat nuk janë paraparë në kontratën bazë, të lejohet nënshkrimi i aneks-kontratës deri në 10% të vlerës së kontratës bazë, por pa ndryshuar pjesët thelbësore të kontratës. Aneks-kontratat paraqesin potencial për korrupsion, veçanërisht kur përdoren për të ndryshuar ndjeshëm kushtet financiare ose teknike të kontratave fillestare.

Në këtë raport përmenden shembuj konkretë që lidhen me aneks-kontratat e nivelit qendror dhe lokal. Raporti vë në pah skenarë se si aneks-kontratat ndikojnë edhe në ofertat fillestare të operatorëve ekonomikë.

“Përderisa autoritetet kontraktuese shpesh i arsyetojnë aneks-kontratat me ‘rrethana të paparashikueshme’, ose me nevojën për të shmangur ndërprerjen e punimeve në projekte kapitale, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i shpeshtë i tyre mund të krijojë hapësirë për praktika të rrezikshme abuzive në prokurimin publik. Një nga këto rreziqe është fenomeni i ‘nën-ofertimit strategjik’ (strategic underbidding), ku operatorët ekonomikë mund të paraqesin oferta fillestare qëllimisht të ulëta për të siguruar fitimin e kontratës, duke llogaritur se gjatë zbatimit të projektit do të kërkojnë rritje të vlerës përmes aneks-kontratave për punë shtesë”, thuhet në raport.

Analiza e publikuar nga Sbunker jep edhe rekomandime konkrete për politikat publike që do t’i kontribuonin uljes së rreziqeve të korrupsionit gjatë aplikimit të aneks-kontratave në prokurimin publik.