E mërkurë, 4 Mars, 2026

Shtatë muaj pas hapjes së ofertave për tenderin 137 milionë euro, KEK ende pa epilog për modernizimin e A3-shit

Ndaj

Kanë kaluar rreth shtatë muaj nga hapja publike e ofertave për tenderin “Rehabilitimi dhe modernizimi i njësisë A3 të Termocentralit Kosova A”, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ende e ka shpallur rezultatin final, ku do të rekomandonte për kontratë ndonjë operator ekonomik ose do ta vlerësonte të pa përgjegjshëm të gjithë. Afatet ligjore për përfundimin e vlerësimit janë tejkaluar, shkruan Kujdestari.info.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve nga komisioni vlerësues, si dhe nxjerrja e njoftimit mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, duhet të përfundojë brendaperiudhës më të shkurtër të mundshme, por jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave.
Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme  dhe për kontrata me natyrë komplekse, ky afat mund të zgjatet për jo më shumë se 20 ditë shtesë.

Në rastin e tenderit 137 milionësh të KEK-ut, hapja publike e ofertave është bërë në korrik 2025, ndërsa sot më 14 shkurt 2026, procesi ende nuk ka përfunduar dhe nuk është dhënë asnjë sqarim publik për arsyet e vonesës.

Krejt çka ka bërë korporata është se më 11 nëntor 2025, në e-prokurim ka publikuar njoftimin për rezultatet e fazës së parë të kualifikimit. Që nga ajo dat e deri më sot KEK nuk ka qenë nw gjendje të shpall rezultatin final.

Redaksia e Kujdestari.info i ka dërguar KEK-ut pyetje zyrtare lidhur me këtë vonesë, duke kërkuar se “Cila është arsyeja e vonesës së konsiderueshme në shpalljen e vendimit përfundimtar lidhur me tenderin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 të Termocentralit Kosova A”? Kur pritet të shpallet rezultati final i këtij tenderi?”. KEK deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Sic u theksua, më 11 nëntor 2025, KEK publikoi në e-prokurim njoftimin për rezultatet e fazës së parë të kualifikimit. Në listën e publikuar figurojnë vetëm tre operatorë të kualifikuar:

  1. KEPCO Plant Service & Engineering – DYPNF – BHI (Koreja e Jugut)
  2. HIB Petrol – Florian Viqa – NTPC Limited
  3. LIMAK İnşaat Sanayi ve Ticaret A.Ş.

Ndërkaq dy aplikuesit tjerë ndër ta edhe konsorciumi i fuqishëm SBB Energy – Intering – EthosEnergy, si dhe Golden Concord Group (GCL)  janë eliminuar, por KEK nuk ka ngarkuar në platformën e-prokurimit raportin e vlerësimit, arsyetimin e skualifikimit apo kriteret që i kanë përmbushur/mos-përmbushur operatorët.

Si mbetën vetëm tre? Procesi i gjatë dhe shtyrjet e afateve

Sipas dokumentacionit zyrtar, procesi ka kaluar disa faza problematike:

Publikuar më 23.01.2025

Afati është shtyrë katër herë, deri më 04.07.2025

Një operator ka bërë kërkesë për rishqyrtim (27.06.2025) – refuzuar

I njëjti operator ka paraqitur ankesë në OSHP – hedhur poshtë më 10.07.2025

Afati final: 17.07.2025, me pesë aplikacione të pranuara

Më pas KEK eliminon dy prej tyre pa arsyetim publik

Cilat janë kompanitë në garë dhe ato qe u eliminuan

Në garën për rehabilitimin e Njësisë A3 kanë qenë pesë kompani dhe konsorciume, nga superfuqia energjetike indiane NTPC, deri te firmat që kanë kontrata milionëshe me KEK-un, shkruan Demokracia.com.

Kompanitë që kanë ofertuar janë:

  1. “SBB Energy S.A; Intering SH.PK; EthosEnergy” – eleminuar

  2. “LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S” – kaluar

  3. “GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED” – eleminuar 

  4. “KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD; DYPNF Co., Ltd; BHI CO, Ltd” – kaluar

  5. “HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited” – kalaur

Kush janë këto kompani?

1. SBB Energy S.A.; Intering SH.PK; EthosEnergy

SBB Energy S.A. është një kompani me seli në Poloni, themeluar në vitin 1992, e specializuar në rinovimin e termocentraleve dhe sistemeve energjetike me përqasje të qëndrueshme. E drejtuar nga Ziemoëit Słomczyński, SBB ka mbi 300 punonjës dhe projekte në zëvendësimin e kaldajave, përdorimin e biomasës, sistemet e hidrogjenit dhe ruajtjes së energjisë.

Intering SH.PK, është një kompani vendore e lidhur me biznesmenin Xhevdet Shoshi (i njohur edhe si pronar i “Onix SPA -Baja e Pejës), ka histori kontratash të shumta me KEK-un, përfshirë dy projekte prej rreth 4 milionë euro vetëm në vitin 2018.

EthosEnergy është një kompani me seli në Holandë që operon në mbi 20 shtete. E fokusuar në mirëmbajtjen e turbinave dhe impianteve energjetike, kompania së fundmi bleu një operator amerikan me përvojë 50-vjeçare në pjesët e turbinave (Turbine Services Ltd). Në qershor 2024, EthosEnergy fitoi një kontratë prej 830,000  euro nga KEK për instalimin e rotorëve të pompave furnizuese në njësinë B2.

2. LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S

Limak, gjiganti turk i ndërtimit dhe infrastrukturës, është i njohur për projekte të mëdha si Aeroporti i Stambollit, Terminali II në Kuwait, si dhe për ndërtimin e hidrocentraleve dhe urave të mëdha.
Në Kosovë, është bashkëpronar (me Çalik Holding) i KEDS – Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike. Po ashtu, ka ndërtuar edhe Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Në vitin 2024, Limak u rendit në vendin e 48-të në botë në listën e ndërtuesve ndërkombëtarë sipas Engineering News-Record (ENR).

3. Golden Concord Group Limited (GCL)

Kompania  Golden Concord Group Limited (GCL) është një konglomerat global i energjisë së rinovueshme me seli në Hong Kong. Grupi është themeluar në vitin 1990 nga Zhu Gongshan, i cili gjithashtu mban pozitat e Kryetarit dhe CEO-së të GCL Technology Holdings Limited dhe është një figurë udhëheqëse në industrinë globale të energjisë diellore. Ky grup është i lidhur ngushtë me Zhu Gongshan, një nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të tij. Grupi ka prani në më shumë se 30 vende, përfshirë Kinën, Afrikën, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut, Azinë Juglindore dhe Evropën. Golden Concord Group është në pronësi të disa kompanive të listuara dhe të tjera të lidhura, përfshirë:

GCL-Poly Energy Holdings Limited;

GCL System Integration Technology Co., Ltd;

GCL Neë Energy Holdings Limited;

GCL synon zhvillimin e energjisë së rinovueshme në përmasa globale, duke përfshirë projektet solare dhe ruajtjen e energjisë.

4. Konsorciumi tjetër në garë përbëhet nga: KEPCO Plant Service Engineering Co. LTD, DYPNF Co. Ltd, dhe BHI Co. Ltd.

KEPCO Plant Service & Engineering Co., Ltd. (KEPCO KPS) është një ndërmarrje shtetërore e Koresë së Jugut, që operon nën kontrollin e korporatës shtetërore Korea Electric Power Corporation (KEPCO). Kompania është e specializuar në mirëmbajtje, rinovim dhe komisionim të termocentraleve, centraleve hidro dhe nukleare, si dhe të stacioneve të transmetimit të energjisë brenda dhe jashtë Koresë së Jugut.

DYPNF Co., Ltd. (e njohur më parë si “Dong Yang P&F Co., Ltd.”) është një kompani e listuar në bursën KOSDAQ, e themeluar në vitin 1996 me seli në Seul. Ajo është e specializuar në ndërtimin e sistemeve pneumatikë të transportit për industrinë kimike, ushqimore, të baterive dhe të energjisë. Po ashtu, kompania ndërton impiante industriale dhe merret me renovimin e fabrikave.

BHI Co., Ltd. (ish “Bumwoo ENG Co., Ltd.”) është gjithashtu e listuar në bursën KOSDAQ dhe u themelua në vitin 1998 me seli në Haman-gun, Gyeongsangnam-do. Kompania prodhon dhe furnizon pajisje për termocentrale si bojlera, HRSG (Heat Recovery Steam Generators), kondensatorë dhe sisteme për kompensimin e nxehtësisë. Ajo angazhohet gjithashtu në projekte EPC dhe ndërtim të infrastrukturës industriale për impiante energjetike dhe për industrinë e çelikut.

5. HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited

HIB Petrol është një nga kompanitë më të mëdha në tregtinë dhe transportin e derivateve në Kosovë, me rrjet prej disa pikash shitjeje, mbi 600 punonjës, dhe bashkëpunime me organizata si Qeverinë e Kosovës, UNMIK, EULEX, USAID, etj.

Florian Viqa është zëvendëskryetar i kompanisë Viqa Investment me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kompania e drejtuar nga familja Viqa merret me riciklim dhe menaxhim mbeturinash në rajonin GCC dhe synon zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme me zero mbetje.

NTPC Limited është kompania më e madhe publike për prodhimin e energjisë në Indi, themeluar në vitin 1975. Është e kontrolluar nga Ministria e Energjisë e Indisë (51.1% pronësi). Ka mbi 76 GW kapacitet të instaluar, duke përfshirë termocentrale me qymyr, gaz, si dhe projekte në energjinë diellore, erës dhe bërthamore.

Sipas KEK, qëllimi i këtij projekti është që të zgjatet jetëgjatësia funksionale e Njësisë A3 për të paktën 20 vjet të tjera. Kjo njësi, e cila gjeneron rreth 10% të energjisë kombëtare, është jetike për furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë. Përmes këtij investimi pritet rritja e efikasitetit, ulja e ndotjes mjedisore, si dhe optimizimi i performancës operacionale të termocentralit. Vlera e këtij tenderi kap shifrën prej 137 milionë euro. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera