Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka ndërprerë “në mënyrë miqësore” kontratën 12-mujore me kompaninë Medical Group SH.P.K. për furnizimin me ilaçin onkologjik cisplatin 50 mg/50 mL, vetëm një vit pasi ishte nënshkruar. Ky produkt përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit dhe konsiderohet esencial për shumë pacientë.
Sipas dokumentit zyrtar të publikuar në E-prokurim, kontrata ishte nënshkruar më 15 gusht 2024 dhe kishte një vlerë totale prej 46 mijë eurosh me TVSH, duke parashikuar furnizimin nga prodhuesi Accord Healthcare (Holandë/Poloni) brenda një periudhe 30-ditore nga çdo porosi. Por më 21 korrik 2025, kompania i kërkoi SHSKUK-së ndërprerjen e marrëveshjes, duke pretenduar se prodhuesi nuk mund të siguronte më produktin deri në fund të shtatorit 2025, për shkak të mungesës globale të lëndës së parë.
Medical Group ka dorëzuar dëshmi nga prodhuesit Accord dhe Phoenix mbi pamundësinë e furnizimit, ndërsa në një komunikim zyrtar ka theksuar se, për të ndihmuar pacientët që kanë nevojë për trajtim me cisplatin, do të dhurojë 768 njësi të variantit tjetër të barnës (cisplatin 100 mg/100 mL) nga depoja e saj në Maqedoni. Sidoqoftë, ky version nuk është identik me produktin e kontraktuar dhe nuk mbulon tërësisht nevojat e pacientëve.
Nga të dhënat e menaxherit të kontratës, deri në atë moment ishin bërë dy porosi: e para prej 887 njësish, nga të cilat ishin dorëzuar vetëm 152 copë; dhe e dyta prej 584 njësish, e cila nuk ishte realizuar. Kjo do të thotë se përkundër planifikimit, një pjesë e konsiderueshme e sasisë së kontraktuar nuk u sigurua asnjëherë.
Pavarësisht kësaj situate, SHSKUK vendosi të mos aplikojë masa ndëshkuese, duke e pranuar ndërprerjen si “miqësore”, bazuar në nenin 29 të kontratës. Ky vendim është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi dhe zyrtari përgjegjës për prokurim Ekrem Fetahu, ndërsa një kopje e tij është shpërndarë edhe te Barnatorja Qendrore dhe sektori i prokurimit, shkruan Demokracia.com.
Ky veprim ngre disa pyetje: pse nuk u shqyrtua mundësia e penaliteteve, kur operatori nuk përmbushi obligimet e furnizimit? A është “shkëputja miqësore” një precedent që dobëson seriozitetin e kontratave publike, sidomos kur bëhet fjalë për barna që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e pacientëve?
Për më tepër, ndërprerja lë SHSKUK-në pa kontratë aktive për furnizimin me cisplatin 50 mg/50 mL, duke e detyruar të hapë një procedurë të re prokurimi, gjë që kërkon kohë dhe rrezikon të thellojë mungesat. Deri atëherë, pacientët onkologjikë mund të mbështeten vetëm në sasitë alternative të dhuruara nga kompania, të cilat nuk përputhen plotësisht me specifikat e trajtimit të planifikuar.
Rasti i Medical Group e vendos sërish në vëmendje sfidën e prokurimit të barnave jetike dhe dilemat e menaxhimit të kontratave publike: a duhet të mbizotërojë mirëkuptimi kur furnizimi dështon, apo zbatimi strikt i përgjegjësive kontraktuale?
Kompania “Medical Group”, pronë e biznesmenit Skënder Kutllovci, që është i autorizuari i kompanisë italiane “Sol Spa Italy”, në vitin 2022, është denoncuar se ka furnizuar ShSKUK-në me oksigjen të pa licencuar.
“Medical Group” nga vitit 2019 ka marrë 17 tenderë në vlerë mbi 6.3 milionë euro.
Ka pas raportime se tenderi për furnizim të ShSKUK-së me oksigjen që nisi në pjesën e parë të vitit 2021 u zvarrit me muaj vetëm brenda niveleve të qeverisjes aty. Në mes të qershorit 2021 u anulua nga vet ShSKUK-ja me një arsyetim të Barnatores Qendrore se nuk iu duhej ajo sasi e madhe që ishte planifikuar.
Muaj më vonë do të përkeqësohej dhe përfunduan duke nënshkruaj tender emergjent, me çka dyshohet se çmimi pastaj ishte edhe më i shtrenjtë. “Medical Group” u angazhua edhe me këtë tender emergjent.
Pa kaluar as dy javë nga kur u bë denoncimi kundër “Medical Group”, kompania që e denoncoi ishte futur nën hetime nga Administrata Tatimore e Kosovës, ani pse kontrollin e fundit e kishte përfunduar në shtatorin e vitit 2021. Në ATK nuk paten treguar se hetimi i ri i tyre a lidhet me denoncimin. As nëse është formë për ta heshtur.
“Sikurse çdo rast për të cilin pranojmë raportime/denoncime, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës verifikon fillimisht faktet, njëjtë ndodhë edhe për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për Insajderi.
Lidhur me këtë denoncim Inspektoratit Farmaceutik bashkë me Policinë e Kosovës kishin nisur një hetim në mars të 2022. /Demokracia.com/